Zëvendëskryeministri Bislimi zhvilloi takime dypalëshe në Bruksel, në kuadër të procesit të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë


Image


Bruksel, 16 nëntor 2021

Në kuadër të raundit të dialogut Kosovë-Serbi janë mbajtur sot në Bruksel takime të ndara bilaterale në nivel kryenegociatorësh me Përfaqësuesin special të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajčák.

Zëvendëskryeministri i Republikës së Kosovës për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi, në takimin me z. Lajčák diskutoi rreth gjendjes së zbatimit të dakordimeve të arritura në kuadër të marrëveshjeve ekzistuese.

U bisedua për çështjen e personave të zhdukur me forcë gjatë luftës në Kosovë, rreth zhvillimeve të fundit, mbajtjes së takimeve të shpeshta të nëngrupeve punuese, si dhe gërmimet dhe pranimin e mbetjeve mortore të viktimave të luftës të gjetura në varrezën masive në Kizhevak të Serbisë.

Delegacioni i Kosovës ngriti shqetësim të madh për rastin e fundit, kur Serbia si organizatore e Kampionatit Botëror të Boksit, ka shkelur të drejtën e sportistëve dhe të Federatës së Boksit të Kosovës, për pjesëmarrje në Kampionatin Botëror të Boksit, siç është e përcaktuar me rregullat e organizatave ndërkombëtare të sportit.

Ndalesa e bërë ekipit përfaqësues të boksit duke mos ua lejuar hyrjen në Serbi për të marrë pjesë në Kampionatin Botëror të Boksit, që mbahej në Beograd, nga delegacioni kosovar u theksua si veprim i palës serbe që është plotësisht në kundërshtim me frymën e lëvizjes së lirë, që promovohet përmes marrëveshjes së Brukselit në raport bilateral me Serbinë.

Gjithashtu, shqetësim tjetër i ngritur janë pengesat e shkaktuara nga autoritet serbe në transferin e mjeteve për Luginë e Preshevës. Nga pala kosovare u kërkua facilitim shtesë nga BE-ja, veçanërisht duke pasur parasysh domosdoshmërinë e një zgjidhje të qëndrueshme afatgjatë, mëqenëse nga Ministria e Financave dhe Transfereve të Republikës së Kosovës janë planifikuar dy milionë euro për Luginën e Preshevës në buxhetin e vitit të ardhshëm.

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors