08.10.2021

Zëvendëskryeministri Bislimi priti në takim të ngarkuarin me punë të Ambasadës së Japonisë në Kosovë, Ogasawara Mitsunori

 

 

Prishtinë, 8 tetor 2021

 

Zëvendëskryeministri i Parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, priti në takim të ngarkuarin me punë të Ambasadës së Japonisë në Kosovë, z. Ogasawara Mitsunori. Në takim mori pjesë edhe znj. Kurimoto Kay, Sekretare e Dytë në Ambasadën e Japonisë.

Temë kryesore e këtij takimi ishte dialogu Kosovë-Serbi, ku z. Mitsunori shprehu vlerësim nga ana e Japonisë për përpjekjet e Kosovës që të vazhdojë përpara me dialog dhe të arrijë zgjidhje në këtë proces. Zëvendëskryeministri Bislimi në përputhje me mesazhin e z. Mitsunori, ritheksoi që ai është i interesuar të vazhdojë angazhimin e tij në një dialog të drejtë dhe me parime të barabarta për të mirën e të dy popujve, me qëllim të arritjes së objektivave që duhet të definohen qartazi nga të dy palët nën ndërmjetësimin e BE-së.

Në takim u diskutua edhe për Lojërat Olimpike në Tokio, ku sportistët e Kosovës kanë shënuar sukses të jashtëzakonshëm. Z. Mitsunori u shpreh se është arritje e madhe për një shtet si Kosova, që ndonëse me sipërfaqe dhe popullsi relativisht të vogël, çdo ditë e më shumë lë gjurmë në arenën ndërkombëtare.

I ngarkuari me punë i Ambasadës së Japonisë në Kosovë, z. Mitsunori theksoi se marrëdhëniet bilaterale midis dy vendeve duhet të thellohen në të gjitha fushat. Ai gjithashtu tha se shteti i Japonisë është i interesuar në organizimin e seminarëve virtualë përmes së cilëve investitorët potencialë informohen rreth mundësive të investimit në shtetin e Kosovës. Sipas z. Mitsunori, këto seminare kanë shënuar sukses në të kaluarën, dhe padyshim që do të shënonin sukses edhe në të ardhmen.

Zëvendëskryeministri Bislimi e falënderoi z. Mitsunori për vizitën. Ai së fundmi tha se Qeveria e Kosovës pret një kapitull të ri bashkëpunimi ekonomik me Japoninë, sidomos në sektorin e biznesit, duke marrë parasysh rininë e Kosovës me shumë potencial për zhvillim.