14.02.2008

U mbajt mbledhja e radhës e Qeverisë së Kosovës

Qeveria e Kosovës ka mbajtur sot mbledhjen e rregullt, të cilën e ka kryesuar kryeministri Thaçi, i cili fillimisht e ka njoftuar kabinetin qeveritar për ecurinë e përmbylljes së statusit të Kosovës, duke potencuar se tashmë kemi hyrë në fazën e fundit të përgatitjeve për festën e madhe të shpalljes së pavarësisë së Kosovës, me ç’rast plani i shpalljes do të jetë i harmonizuar drejtpërsëdrejti me autoritetet ndërkombëtare. Kryeministri Thaçi ka thënë me ketë rast se do të ketë një festim dinjitoz, me ceremoni shtetërore, dhe një festim qytetar në kuptimin e mirëfilltë civilizues të dërgimit të mesazhit nga Kosova për botën demokratike, se ky vend dhe ky popull kanë sakrifikuar për pavarësi, e meritojmë pavarësinë dhe dinë të menaxhojmë edhe emocionin e festës së gëzimit, haresë dhe të vendimit historik për vendin e tyre.

Prishtinë, 14 shkurt
           
Kabineti qeveritar ka shqyrtuar në vazhdim të mbledhjes Raportin për gjendjen ekzistuese dhe kapacitetet gjeneruese të furnizimit me energji elektrike në Kosovë (MEM). Është konstatuar se gjendja energjike e krijuar në Kosovë ka vetëm një emër – krizë nacionale energjetike dhe mbi këtë bazë është miratuar në mënyrë unanime shpallja e gjendjes së krizës nacionale energjetike dhe është marrë vendim për formimin e Komisionit për menaxhimin e krizës energjetike. Në krye të këtij Komisioni do të jenë kryeministri Thaçi, ndërsa anëtarë do të jenë ministri i Ekonomisë dhe i Financave, Ahmet Shala, ministrja e Energjetikës dhe e Minierave, Justina Pila-Shiroka, ministri i Transportit dhe i Postë-Telekomunikacionit, Fatmir Limaj dhe ministri i Tregtisë dhe i Industrisë, Lutfi Zharku.

Në fokus të diskutimeve të sotme ishte edhe keqmenaxhimi në ndërmarrjet tjera publike, siç janë Postë-Telekomi i Kosovës dhe Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës, ku kabineti qeveritar është pajtuar që të kërkohet llogari për çdo cent të harxhuar, duke ditur se në raportet e fundit të auditimit rezultojnë shkelje të rënda ligjore, të cilat do t’i procedohen organeve përkatëse të drejtësisë. Po kështu gjendja reale në ndërmarrjet publike dhe perceptimi i qytetarëve për punën e tyre, paraqitet jo e mirë, prandaj Qeveria e Kosovës ka përgatitur një strategji që do të miratohet në një të mbledhje të ardhme, është thënë në mbledhjen e sotme të Qeverisë së Kosovës.

Në fund të takimit kryeministri Thaçi ka kërkuar që institucionet qeveritare të punojnë edhe gjatë ditëve të fundjavës që po vjen.