07.02.2008

U mbajt mbledhja e gjashtë e Qeverisë së Kosovës

Në mbledhjen e gjashtë të Qeverisë së Kosovës, të cilën sot e ka udhëhequr kryeministri Thaçi, i shoqëruar edhe nga zëvendëskryeministrat Kuçi dhe Manaj, janë diskutuar përgatitjet intensive që po bëhen për ditën e shpalljes së statusit të Kosovës dhe çështjet që lidhen më këtë ditë historike për Kosovën.

Prishtinë, 7 shkurt 2008 

Në mbledhjen e gjashtë të Qeverisë së Kosovës, të cilën sot e ka udhëhequr kryeministri Thaçi, i shoqëruar edhe nga zëvendëskryeministrat Kuçi dhe Manaj, janë diskutuar përgatitjet intensive që po bëhen për ditën e shpalljes së statusit të Kosovës dhe çështjet që lidhen më këtë ditë historike për Kosovën. 

Kryeministri Thaçi ka theksuar para Këshillit të Ministrave se realisht Qeveria e Kosovës po angazhohet me të gjitha kapacitetet dhe me përkushtimin më të madh për përfundimin e suksesshëm të procesit të pavarësimit të Kosovës, si dhe është duke punuar maksimalisht me gjithë formacionin politik të vendit, me bashkëpunim të ngushtë me Uashingtonin dhe Brukselin, për përmbylljen e kësaj çështjeje madhore.
  
Kabineti qeveritar në ketë takim të hapur edhe për mediat vendëse dhe të huaja, të cilat gjenden në Kosovë për të përcjellë zhvillimet e fundit, ka miratuar një sërë vendimesh dhe ligjesh, ndër të cilët edhe vendimin për inicimin e procedurës për hartimin e Projektligjit për Presidentin (ZKM), me anë të të cilit do të rregullohen  të drejtat e presidentit dhe familjes së tij pas përfundimit të mandatit, si dhe është miratuar projektvendimi për inicimin e procedurës për hartimin e Projektligjit për Diasporën (ZKM), me anë të të cilit njihet roli i diasporës shqiptare në ecurinë e proceseve në vendin tonë. 

Po kështu është miratuar edhe plani vjetor të punës së Qeverisë (ZKM), me ç’rast Zyra e Kryeministrit të Kosovës ka bërë koordinimin e punëve me të gjitha ministritë për përgatitjen e këtij plani. Me këtë rast është vlerësuar se plani paraqet një pasqyrë reale të mundësive dhe kapaciteteve për realizimin e pjesëve të obligimeve që dalin nga Programi i Qeverisë.
Gjithashtu është miratuar strategjia legjislative për vitin 2008 (ZKM), e cila është hartuar nga grupi punues qeveritar që është themeluar me Vendimin e Qeverisë nr. 03/2, të datës 17 janar 2008, duke u bazuar në akte dhe dispozitat ligjore, si dhe në bazë të planeve legjislative për vitin 2008, të miratuara dhe të ofruara nga të gjitha ministritë, me qëllim të hartimit të një strategjie në harmoni me rrjedhat politike në Kosovë dhe në harmoni me legjislacionin evropian dhe planin e partneritetit, si dhe është miratuar vendimi për eliminimin e kolizionit ligjor dhe njësimin e ligjeve (ZKM), i cili ka dalë si rezultat i vështirësive të krijuara në legjislaturat e kaluara, ku janë miratuar ligje në të cilat ekzistojnë mospërputhje dhe kundërthënie në mes tyre.

Me qëllim të zbatimit efikas në praktikë dhe shmangies së paqartësive është propozuar themelimi i një grupi punues me përfshirje të gjerë, i cili do të shqyrtojë të gjitha konfliktet eventuale ndërmjet ligjeve dhe do të rekomandojë veprimet e caktuara. Nga fusha ligjore është miratuar edhe vendimi për themelimin e Komisionit për mbikëqyrjen e zbatimit të ligjeve (ZKM), i cili  do të mbikëqyrë një numër të madh të ligjeve që janë në fuqi dhe nuk zbatohen në praktikë ose ka ngecje në zbatimin e tyre, dhe është aprovuar kërkesa për shqyrtimin e ligjeve që janë miratuar nga Kuvendi i Kosovës dhe nuk janë nënshkruar nga PSSP-ja (ZKM). 

Kabineti qeveritar ka miratuar në vazhdim të mbledhjes së sotme edhe vendimin për shënimin e përvjetorit të Epopesë së UÇK-ës (ZKM), me qëllim që manifestimi popullor Epopeja e UÇK-së të organizohet dhe udhëhiqet në mënyrë solemne nga Zyra e Kryeministrit, ndërkaq ka miratuar udhëzimin administrativ për caktimin e shpenzimeve të reprezentacionit për zyrtarë të institucioneve të Qeverisë së Kosovës (MSHP); udhëzimin administrativ për përcaktimin për një pagë të të emëruarve politikë (MSHP); udhëzimin administrativ për përdorimin e automjeteve të Qeverisë së Kosovës (MSHP) dhe udhëzimin administrativ për përdorimin e telefonave (fiks dhe mobil) në Qeverinë e Kosovës (MSHP).

Gjithashtu për riaktivizimin e grupeve për tranzicion kishte një pajtim të përgjithshëm të kabinetit qeveritar, me ç’rast kryeministri Thaçi ka emëruar si koordinator për tranzicion, këshilltarin e tij politik, z. Lirim Grajçevci.