12.02.2008

Telegram ngushëllimi

Në telegramin e ngushëllimit të kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, drejtuar familjes Lantos, Kongresit Amerikan dhe popullit amerikan me rastin e ndarjes nga jeta të kongresistit Tom Lantos, thuhet:

Prishtinë, 12 shkurt 2008
 
Në telegramin e ngushëllimit të kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, drejtuar familjes Lantos, Kongresit Amerikan dhe popullit amerikan me rastin e ndarjes nga jeta të kongresistit Tom Lantos, thuhet:
 
“Me dhimbje të madhe morëm lajmin për vdekjen së Kongresistit Tom Lantos, kampion i lirisë dhe i të drejtave të njeriut për popujt e shtypur.
 
Kongresisti Lantos dha një kontribut shumë të çmuar për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës gjatë dy dekadave të luftës së saj kundër shtypjes. Mbështetja e tij këmbëngulëse për Kosovën në Kongresin amerikan përmes sponsorizimit të shumë rezolutave dhe dëgjimeve publike, ka trasuar rrugën e lirisë së Kosovës më 1999, kur bota demokratike, nën udhëheqjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, i doli në ndihmë popullit të Kosovës për ta fituar lirinë.
 
Bashkë me pikëllimin e thellë për vdekjen e Kongresistit Lantos kujtojmë vizionin e tij që liria të ngadhënjejë mbi shtypjen, që demokracia të ngadhënjejë mbi tiraninë dhe që të drejtat e njeriut të ngadhënjejnë mbi padrejtësinë. Pavarësia e Kosovës në ditët e ardhshme është dëshmi e gjallë e përpjekjeve të pareshtura të kongresistit Lantos. Kujtimi për të si mik i madh i demokracisë dhe pavarësisë do të mbetet përherë i pashlyer në mendjet dhe zemrat e qytetarëve të Kosovës.
 
Qeveria e Kosovës, me këtë rast, u shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes Lantos, Kongresit Amerikan dhe popullit amerikan, për humbjen e madhe të birit, burrështetasit dhe mbrojtësit të devotshëm të idealeve të lirisë, të drejtave të njeriut dhe demokracisë në tërë botën”.
 
Sinqerisht,
 
Hashim Thaçi
Kryeministër i Kosovës