Mitrovicë, 2 nëntor 2021
Nga sot është rihapur terminali doganor shtetëror brenda hapësirave të Ndërmarrjes Publike “Trepça” në Mitrovicë. Në ceremoninë hapëse, bashkë me Kryeministrin e Republikës së Kosovës ishin edhe ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati dhe ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli në njërën anë dhe Drejtori i Doganës së Kosovës, Agron Llugaliu, kryesuesi i Bordit të Trepçës, Bahri Hyseni dhe Ushtruesi i Detyrës së kryeshefit ekzekutiv, Enis Abdurrahmani në anën tjetër.
“Sot është një ditë tejet e rëndësishme për të gjithë ne”, tha kryeministri Kurti në fillim të fjalës së tij. Nga ky veprim i sotëm përfitojnë të gjithë, shteti i Kosovës, Trepça, Dogana e Kosovës, e në veçanti bizneset, shtoi më tej ai.
Kryeministrit Kurti rikujtoi se nga viti 2003 deri në vitin 2014 ky terminal doganor ka qenë në hapësirën e Trepçës, por që padrejtësisht e çuditërisht kjo hapësirë i është privuar Trepçës për terminal doganor dhe i është dhënë një kompanie private jashtë zonës së Trepçës duke bërë që çmimi për maune të rritej në 40 euro dhe në të njëjtën kohë gjithsej 24 punëtorë të ngelin pa punë. “Shtatë vjet më vonë ne po e bëjmë këtë hapje të terminalit doganor në hapësirën e Trepçës, po e rikthejmë në Trepçë atë që gjithmonë i ka takuar Trepçës e në këtë mënyrë po e korrigjojmë një dëm të bërë para shtatë vjetëve”, u shpreh kryeministrit Kurti.
Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati tha se rihapja e këtij terminali doganor nënkupton fitim shtesë për Trepçën. Megjithatë ky fitim do të jetë vetëm si e hyrë komplementarë për të sepse Trepçës do t’i kthehet aktiviteti primar si minierë dhe shkritore për t’u rikthyer si motor i zhvillimit ekonomik të vendit. Ministri Murati po ashtu ritheksoi se deri në mesin e vitit të ardhshëm, terminalet të tilla shtetërore do të shtrihen në tërë territorin e Republikës së Kosovës.
Ndërkaq, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli u shpreh e kënaqur të shoh një avancim të rolit të Ndërmarrjeve Publike, përtej atij primar, në shërbim të qytetarëve dhe bizneseve. Ajo tha se ky është vetëm fillimi për Trepçën, dhe se vëmendja e deritanishme dhe projektbuxheti i miratuar për të tregon për përkushtimin e Qeverisë dhe ministrisë së Ekonomisë ndaj kësaj ndërmarrjeje të rëndësishme.
Adresimi i plotë para medieve i Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti:
Sot është një ditë tejet e rëndësishme për të gjithë neve. Është një e arritur e cila na ndihmon të gjithëve, edhe shtetin e Kosovës e Trepçën, edhe doganat e Kosovës e Qeverinë e Kosovës, por në veçanti ndihmon të bërit biznes. Pra për bizneset një kosto e panevojshme hiqet dhe në këtë mënyrë ato do të mund të funksionojnë më lirë e më mirë edhe për të mirën e tyre, por edhe të qytetarëve të vendit tonë.
Nga viti 2003 deri në vitin 2014 terminali doganor ka qenë në hapësirën e Trepçës. Padrejtësisht e çuditërisht kjo hapësirë i është privuar Trepçës për terminal doganor dhe i është dhënë një privati jashtë zonës së Trepçës, me ç’rast çmimi është shtrenjtuar në 40 euro për maune. Në këtë mënyrë kanë humbur bizneset, ka humbur Trepça, dhe ka fituar një privat. Shtatë vjet më vonë ne po e bëjmë këtë hapje të terminalit doganor në hapësirën e Trepçës, po e rikthejmë në Trepçë atë që gjithmonë i ka takuar Trepçës e në këtë mënyrë po e korrigjojmë një dëm të bërë para shtatë vjetëve. Asokohe 24 punëtorë kanë punuar në terminalin doganor të Trepçës dhe ata automatikisht patën ngelur papunë atëherë kur e patën nxjerrur jashtë kësaj hapësire terminalin doganor.
Me këtë rast unë e falënderoj drejtorin e doganave zotëri Agron Llugaliun për angazhimin e tij. Falënderoj gjithashtu edhe dy ministrat e qeverisë sonë, të Ekonomisë dhe të Financave, zonjën Artane Rizvanolli dhe zotëri Hekuran Muartin si dhe falënderoj punëtorët dhe udhëheqjen e “Trepçës”, kryesuesin e Bordit, Bahri Hysenin dhe Ushtruesin e Detyrës së kryeshefit ekzekutiv, Enis Abdurrahmanin.
Është një ditë e mirë për të gjithë neve, andaj edhe po e bëjmë këtë hapje, këtë ceremoni të hapjes, që është në fakt rikthim i Terminalit Doganor aty ku e ka vendin, në hapësirën e “Trepçës”.
Fitimi është edhe për qytetarët e Mitrovicës, meqenëse maunet kur vijnë nga Bërnjaku e Jarinja, nuk kanë nevojë që të kalojnë nëpër qytet dhe kësisoj ta shkaktojnë një kaos në trafikun e Mitrovicës, por do të mund të vijnë drejtpërsëdrejti në këtë Terminal Doganor, në hapësirën e “Trepçës” pa kaluar nëpër qytet.
Pra, sot, që të gjithë jemi fitues, andaj që të gjithëve urime e përgëzime për këtë të arritur të përbashkët.