21.04.2009

Qeveria e sheh biznesin partner në rrugën e zhvillimit ekonomik të Kosovës, – thekson kryeministri Thaçi në hapjen e Panairit Ndërkombëtar “Ekspokos”

Pavarësia e Kosovës ka sjellë qartësi dhe stabilitet në rajon të cilat edhe janë parakushte për zhvillim ekonomik të vendit dhe rajonit. Qeveria e Republikës së Kosovës ka inkurajuar dhe inkurajon zhvillimin e bizneseve përmes politikave të veta aktive dhe pakove fiskale dhe duke minimizuar pengesat burokratike me të cilat është ballafaquar biznesi në të kaluarën, – ka thënë mes tjerash kryeministri Hashim Thaçi në fjalën e hapjes në Panairin Ndërkombëtar “Ekspokos”, që po zhvillohet në Prishtinë.

Prishtinë, 21 prill 2009

Fjalimi i Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi në Panairin Ndërkombëtar “Ekspokos”

I nderuari president Sejdiu,
Të nderuar ministra,
Të nderuar organizatorë të panairit ndërkombëtar Ekspokos,
Të nderuar kompani ekspozuese kosovare dhe ndërkombëtare,
Të nderuar mysafirë, zonja dhe zotërinj,

Organizimi i edicionit të tetë të panairit ndërkombëtar Ekspokos është një ngjarje e rëndësishme për biznesin në Kosovë dhe në rajon.

Në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, përgëzoj organizatorët dhe kompanitë ekspozuese vendore dhe ndërkombëtare për organizimin dhe pjesëmarrjen në panair.

Panairet janë mundësi e mirë jo vetëm për të ekspozuar ofertat afariste të kompanive vendore dhe të huaja por edhe për të krijuar kontaktet e nevojshme afariste dhe ndërnjerëzore.

Republika e Kosovës, shtet demokratik, me sundim të ligjit dhe me ekonomi të hapur të tregut është e hapur dhe e gatshme  për afarizëm dhe investime të biznesit vendor dhe atij të huaj.

Pavarësia e Kosovës ka sjellë qartësi dhe stabilitet në rajon të cilat edhe janë parakushte për zhvillim ekonomik të vendit dhe rajonit. 

Qeveria e Republikës së Kosovës ka inkurajuar dhe inkurajon zhvillimin e bizneseve përmes politikave të veta aktive dhe pakove fiskale dhe duke minimizuar pengesat burokratike me të cilat është ballafaquar biznesi në të kaluarën.
 

Ne kemi zvogëluar barrën tatimore për bizneset në Kosovë duke ulur tatimin në korporata dhe duke ofruar lehtësira të tjera tatimore.

Përkushtim i Qeverisë të cilën e drejtoj unë është lufta e pakrompomis ndaj kontrabandës, krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Ne jemi duke punuar aktivisht për reformimin e sistemit gjyqësor. Gjykatat efektive janë kusht i domosdoshëm i funksionimit të biznesit. 

Qeveria e Republikës së Kosovës e sheh biznesin si partner në rrugën e zhvillimit ekonomik të Kosovës.

Ne nuk duam të ndërtojmë shtet të izoluar, por të integruar plotësisht në rajon dhe në strukturat euroatlantike.
 

Një ekonomi e tregut me liri të lëvizjes për njerëzit dhe mallërat është parakusht i zhvillimit dhe integrimit të Kosovës dhe rajonit në ekonominë ndërkombëtare.

Jemi të vetëdijshëm për efektet e krizës financiare globale në ekonominë botërore. Kosova nuk bën përjashtim në këtë mes. Qeveria e Kosovës është duke e monituar gjendjen me kujdes dhe është e përgatitur të marrë masa në zbutjen e pasojave të saj.

Sistemi bankar i Kosovës është stabil dhe ofron mundësi relativisht të mira për bizneset për mbështetjen e biznesit.
 

Anëtarësimi i shpejtë në Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe Bankën Botërore do t’i ofrojë Kosovë mbështetje dhe siguri edhe më të madhe për zhvillim ekonomik dhe investime të huaja. 

Me këtë rast, ju bëj thirrje edhe njëherë të gjithë ju që të investoni dhe të zhvilloni afarizmin tuaj në Kosovë.

Duke ju uruar panair të suksesshëm, ju siguroj se Qeveria e Republikës së Kosovës do të vazhdojë t’ju mbështes me tërë potencialin e vet përmes krijimit të infrastrukturës adekuate ligjore dhe lehtësirave tatimore dhe doganore për investimet dhe afarizmin tuaj në Kosovë.

Urime dhe suksese!