21.04.2009

Procesi i decentralizimit në Kosovë do të jetë i balancuar edhe me pjesën veriore, – thotë zëvendëskryeministri Kuçi në Gjilan

Zëvenëskryeministri i Republikës së Kosovës, Hajredin Kuçi sot ka marrë pjesë në ceremoninë e hapjes së Zyrës rajonale ICO-së në Gjilan. “Në këtë rajon, janë obligimet më të mëdha që i kemi marrë në Pakon e presidentit Ahtisaari. Por, jam i bindur se me vullnetin politik dhe bashkëpunimin ndërqytetor, në veçanti edhe në qasjen pozitive të serbëve, do të kemi sukses, shprehu bindjen e plotë zëvendëskryeministri i Republikës së Kosovës.

Prishtinë, 21 prill 2009

Zëvendëskryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Hajredin Kuçi sot ka marrë pjesë në ceremoninë e hapjes së Zyrës rajonale ICO-së në Gjilan. Në hapje mori pjesë edhe shefi i ICO-s Piter Feith.

Z. Hajredin Kuçi para zyrtarëve të ICO-s dhe udhëheqësve të komunave të rajonit të Gjilanit ka thënë se hapja e zyrës në nivelin regjional të Gjilanit, ka dy simbolika: e para – Gjilani ka një simbolikë të mirë të bashkëjetesës dhe përkujdesjes së kryetarëve të komunave për qytetarët, në veçanti ata serbë. Mendoj se ky është një avantazh edhe për zyrën e ICO-së në Gjilan. E dyta –  kjo zyrë bashkë me kryetarët e komunave dhe stafin tjetër politik, kanë edhe një sfidë të madhe.

Në këtë rajon, vazhdoi zëvendëskryeministri Kuçi janë obligimet më të mëdha që i kemi marrë në Pakon e presidentit Ahtisaari. Por, jam i bindur se me vullnetin politik dhe bashkëpunimin ndërqytetor, në veçanti edhe në qasjen pozitive të serbëve, do të kemi sukses, shprehu bindjen e plotë zëvendëskryeministri i Republikës së Kosovës.

Procesi i decentralizimit në Kosovë do të jetë i balancuar edhe me pjesën veriore të Kosovës, edhe me këtë pjesë dhe pjesët tjera. Kjo nënkupton se do të punojmë paralelisht në gjithë territorin e Republikës së Kosovës, ka thënë zëvendëskryeministri Kuçi dhe ka ftuar kryetarët e komunave, që të bashkëpunojnë ngushtë me zyrën e ICO-së dhe Qeverinë e Kosovës.

Poashtu z. Kuçi u ka bërë ftesë qytetarëve të komunitetit serb, që të marrin pjesë në ndërtimin e jetës demokratike dhe institucionale, në veçanti në procesin e decentralizimit dhe në zgjedhjet lokale që do të mbahen këtë vit.

Hapjen e Zyrës rajonale ICO-së në Gjilan e ka përshëndetur edhe z. Piter Feith. Ai ka vlerësuar bashkëpunimin dhe përkrahjen e Qeverisë së Republikës së Kosovës.