13.05.2022

Përkujtim në 41-vjetorin e rënies së Tahir Mehës

Me demonstratat e vitit 1981, Kosova kishte hyrë në një fazë të re të një dekade rezistence të fuqishme ndaj pushtetit okupator të Serbisë. Me qëllim për të eliminuar personat kryengritës dhe të pabindur shqiptarë, regjimi i Beogradit kishte menduar të arrestonte një figurë të tillë: Tahir Mehën nga fshati Prekaz i Drenicës. I koordinuar me policinë serbe në Mitrovicë, komandanti i policisë në Skenderaj, Zvetko Jarediq, e rrethoi me forca policore shtëpinë e Tahir Mehës më 13 maj 1981. Ata besonin naivisht se mund ta arrestojnë Tahirin dhe pasi ta marrin këtë trofe për ta, të shkonin në hotel “Pranvera” në Skenderaj për të festuar 13 majin, ditën e policisë së Jugosllavisë. Por llogaritë i tyre i kishin bërë gabimisht. Tahir Meha ishte i vendosur të mos dorëzohej. Ai refuzoi dorëzimin edhe pas ndërmjetësimit të Jahir Ramës prej Prekazi dhe të Zenë Lutës prej Klinës së Poshtme. Ishte urdhëri i vetë Sekretarit të Brendshëm Federal të Jugosllavisë, Franjo Herljeviq, që Tahir Meha të arrestohej ose të eliminohej me çdo kusht.

Policët provuan ta zinin të gjallë, për çka e sulmuan me gaz lotsjellës dhe tentuan katër herë të hyjnë brenda kullës së tij, por Tahiri arriti të rezistonte bashkë me babain e tij Nebih Mehën. Madje atë ditë ata plagosën pesë dhe i vranë katër policë: Salih Hasanoviqin, Vojo Tubiqin, Milenko Pejoviqin dhe Muhamet Selmanajn. Rreth orës 15:00, policia u përforcua me tanke, që e bombarduan kullën e Tahirit deri në mbrëmje, por Tahiri vazhdonte të rezistonte. Pak para mesnatës, Tahiri doli nga kulla, i hodhi një bombë dore tankut më të afërm dhe arriti ta kalonte rrethin e parë dhe të dytë, para se të qëllohej për vdekje. Në varrimin e tij, policia nuk lejoi pjesëmarrje masive, megjithatë, mes atyre që e varrosën ishte edhe Shaban Jashari bashkë me të dy djemtë, Hamzën dhe Ademin, të cilët u betuan mbi varrin e Tahirit për të vazhduar rrugën e tij. Edhe gjashtë muaj pas vrasjes së Tahirit dhe Nebihit, kulla e tyre e rrënuar u ruajt nga policia, kurse vëllai i Tahirit, Beqiri dhe axha Mehmeti u mbajtën në burg për
gjashtë muaj. Bashkëluftëtar edhe i Adem Jasharit, Beqir Meha do të binte dëshmor me uniformën e UÇK-së, më 25 mars 1999. Me rezistencën e tij, Tahir Meha vazhdoi traditën e të gjyshit, Emin Latit, bashkëluftëtarit të Azem Bejtës. Tahir Meha ra dëshmorë i idealeve të tij politike kombëtare, kurse në zingjirin e historisë së rezistencës dhe luftës për çlirimin e Kosovës, rasti i Tahir Mehës është hallka që u pasua nga ajo e Adem dhe Hamzë Jasharit gjatë viteve ’90-të.

Vitin e kaluar, bashkë me Bekim Hamzë Jasharin, patëm zbuluar bustet e Tahir Mehës, Nebih Mehës, Beqir Mehës dhe Emin Latit në oborrin e kullës së tyre në Prekaz, në 40 vjetorin e rënies së Tahir dhe Nebih Mehës.

Lavdi dëshmorit të kombit Tahir Meha dhe lavdi Nebih Mehës, Beqir Mehës e Emin Latit si dhe të gjithë heronjëve të rënë për çlirimin dhe lirinë e Kosovës!