Prizren, 30 mars 2026
Zyra e Zëvendëskryeministrit të tretë për Çështje te Pakicave dhe Bashkëpunim, Fikrim Damka, dje ka filluar punëtorinë me komunitetin ashkali, organizuar në kuadër të “Punëtoria për bashkëjetesë dhe politika gjithëpërfshirëse në Kosovë”. Nën moton “Zgjidhje të përbashkëta për sfida të përbashkëta”, kjo punëtori synon të krijojë një platformë të drejtpërdrejtë diskutimi për komunitetet joshumicë në Kosovë.
Punëtoria, e cila do të vazhdojë edhe në ditët në vijim, është konceptuar si një dialog i strukturuar ku çdo ditë do t’i kushtohet tematikisht një komuniteti të caktuar. Ky proces përfshin përfaqësues nga komuniteti Turk, Serb, Ashkali, Rom, Egjiptian, Boshnjak dhe Goran.
Synimet kryesore të forumit, sipas programit të Zyrës së Zëvendëskryeministrit, objektivat kryesore të këtyre takimeve janë: Identifikimi i sfidave: Dokumentimi i pengesave sistematike në fusha jetike si arsimi, punësimi, shëndetësia dhe qeverisja.
Poashtu, hartimi i politikave publike të bazuara në evidencë dhe në përvojat e drejtpërdrejta të komuniteteve. Fuqizimi i dialogut: Nxitja e mirëkuptimit dhe bashkëpunimit të ndërsjellë ndërmjet të gjitha komuniteteve që jetojnë në Kosovë.
Sipas agjendës së paraparë dhe rezultateve të pritshme, me pjesëmarrjen edhe të Zëvendëskryeministrit Damka, do të ketë sesione interaktive ku analizohet gjendja e secilit komunitet dhe propozohen zgjidhje konkrete për politikbërësit.
Në përfundim të këtij procesi, Zyra e Zëvendëskryeministrit do të hartojë një raport analitik gjithëpërfshirës. Ky raport do të shërbejë si bazë për iniciativa të ardhshme institucionale dhe zhvillimore, duke siguruar që zëri i çdo komuniteti të dëgjohet në nivelet më të larta të qeverisjes.







