Otavë, 09 korrik 2011
Në vazhdim të qëndrimit në Otava, zëvendëskryeministrja e Republikës së Kosovës, Edita Tahiri u prit nga zwvendwsministri i punëve të Jashtme të Kanadasë nga z. Morris Rosenberg, me të cilin bisedoi për thellimin e marrëdhënieve mes dy vendeve, perspektivën euro-atlantike të Kosovës, si dhe dialogun teknik dhe marrëveshjet e para të arritura në Bruksel.
Zëvendskëryeministrja Tahiri falënderoi z. Rosenberg për përkrahjen që ka dhënë Kanada për proceset historike të Kosovës në rrugën për liri, pavarësi dhe demokraci si dhe duke njohur shpejt shtetin e pavarur dhe sovran të Kosovës.
Zëvendëskryeministrja Tahiri foli për të arriturat e Kosovës që nga shpallja e pavarësisë, për shtetndërtimin demokratik të Kosovës dhe përparimet në planin ndërkombëtar.
Filozofia politike e qeverisë së Kosovës bazohet në qeverisjen e mirë dhe në politika reformatore në interes të qytetarëve dhe të shtetit, dhe jemi fuqishëm të angazhuar në prioritetet tona për forcimin e sundimit të ligjit, zhvillimin ekonomik dhe sigurimin e mirëqenies së gjithë qytetarëve të vendit tone, ka theksuar zëvendëskryeministrja Tahiri, duke shtuar se në politikën e jashtme kemi bërë progres me njohjet e fuqishme duke përfshirë edhe atë të Kanadasë, Gjykata ndërkombëtare e drejtësisë ka konfirmuar legjitimitetin e pavarësisë dhe po punojmë për njohjen globale të Kosovës dhe anëtarësimin në institucione relevante ndërkombëtare, tha ajo.
Më pas znj. Tahiri tha se jemi duke ndjekur një politikë pragmatike, duke zhvilluar shtetin demokratik në harmoni me standardet ndërkombëtare, duke forcuar ndërkombëtarisht pavarësinë e Kosovës përmes plotësimit të kushteve në rrugën drejt integrimeve euro-atlantike.
Kosova është e përkushtuar për bashkëpunime rajonale dhe fqinjësi të mirë me të gjitha vendet, dhe këtij synimi i shërben edhe pjesëmarrja e Kosovës dialogun teknik ndërshtetëror me Serbinë të ndërmjetësuar nga BE-ja, theksoi znj.Tahiri duke vlerësuar progresin e arritur në këtë proces dhe tre marrëveshjet e para të arritura. Duke folur për marrëdhëniet bilaterale mes Kosovës dhe Kanadasë, zëvendëskryeministrja Tahiri u angazhua për thellimin e bashkëpunimit në të gjitha fushat duke kërkuar mbështetje për njohjet e reja si dhe ftoi Kanadanë për investime ekonomike në Kosovë.
Nga ana e tij, zëvendësministri i Jashtëm, z. Rosenberg, duke shprehur kënaqësinë për takimin përshëndeti të arriturat e Kosovës. Ai siguroi përkrahjen e fuqishme të qeverisë kanadeze për Kosovën në rrugën e saj drejt zhvillimit dhe fuqizimit të mëtejmë dhe ofroi mbështetje për perspektivën euro-atlantike të Kosovës dhe integrimin e plotë në të gjitha institucionet ndërkombëtare. Z. Rosenberg shprehu përkrahje për dialogun teknik dhe të arriturat konkrete si dhe interesimin e veçantë për bashkëpunimet ekonomike mes dy vendeve.
Të dy bashkëbiseduesit vlerësuan përkushtimin e Kosovës për ti qëndruar besnike parimeve euroatlantike, në interes të Kosovës dhe rajonit duke riafirmuar se pavarësia e Kosovës u dëshmua si faktor paqeje dhe stabiliteti në rajon. Poashtu, u pajtuan për rritjen e bashkëpunimit mes dy vendeve, në veçanti në planin diplomatik dhe ekonomik.