Prishtinë, 4 korrik 2011
Në një takim lamtumirës, zëvendëskryeministrja e Republikës së Kosovës Edita Tahiri, priti ambasadorin e Republikës Federale të Gjermanisë, Hans-Dieter Steinbach, I cili uroi Zëvendëskryeministren për tri marrëveshjet e arritura në dialogun teknik mes Kosovës dhe Serbisë, duke thënë se ky është kontribut për lëvizjen e lirë të qytetarëve, përmirësimin e jetës se tyre, por edhe të afrimit të Kosovës me Bashkimin Evropian.
Zëvendëskryeministrja Tahiri fillimisht falënderoi ambasadorin për kontributin e shquar në përkrahje të shtetit të Kosovës, në forcimin e sovranitetit dhe demokracisë në Kosovë.
Znj.Tahiri vlerësoi se Kosova në këtë dialog është e interesuar për të pas rezultate që i shërbejnë interesave të qytetarëve të dy vendeve e të gjithë rajonit, si dhe për të plotësuar kriteret e Kopenhagës, që kanë të bëjnë me fqinjësinë e mirë dhe promovimin e bashkëpunimit rajonal.
Zëvendëskryeministrja Tahiri theksoi se Qeveria e Kosovës mbetet e përkushtuar për të forcuar perspektiven euroatlantike të shtetit të ri të Kosovës.