Prishtinë, 17 maj 2014
Zëvendëskryeministrja e Republikës së Kosovës, Edita Tahiri, ka kremtuar Ditën Ndërkombëtare të Infermierisë në mesin e studentëve dhe mësimdhënësve të Qendrës Evropiane për Arsim Profesional “Qeap – Heimerer” në Prishtinë.
Me këtë rast, në emër të Qeverisë së Kosovës ka uruar ditën ndërkombëtare të infermierisë duke theksuar se profesioni i infermierisë i jep shëndet më shumë shoqërisë tonë.
Zëvendëskryeministrja Tahiri pastaj ka uruar drejtuesit e kësaj qendre, për bashkëpunimin e shkëlqyer me Gjermaninë.
“Me një bashkëpunim dhe këmbim përvojash siç është Gjermania e njohur si model zhvillimor jo vetëm në Evropë por edhe në botë, është një prej modeleve më të mira për ta ndihmuar kombin tonë, shoqërinë tonë. Ju uroj për këtë vizion, që një model ekselence ta sjellni në Kosovë dhe të na i përgatitni gjeneratat e reja që të shërbejnë në shoqërinë tonë, jo vetëm në planin profesional por edhe shkencor” ka theksuar ajo.
Më tej, zëvendëskryeministrja Tahiri ka theksuar se kjo Qendër e ka pasuruar synimin strategjik të Qeverisë së Kosovës, për të forcuar dimensionin apo sektorin e arsimit dhe të shëndetësisë.
“Më lejoni të shpreh përkushtimet tona si Qeveri e Republikës së Kosovës, që mbështetja për institucionin tuaj, dhe institucione tjera modele për bashkëpunime evropiane, do të jenë lartë në agjendën e Qeverisë së Republikës së Kosovës, sepse Qeveria e Republikës së Kosovës në programin e saj arsimin dhe shëndetësinë i konsideron interesa vital për shtetin tonë, për shoqërinë tonë” ka thënë zëvendëskryeministrja.
Themeluesi i shkollës Heimerer, Friedrich Heimerer, me këtë rast ka falënderuar zëvendëskryeministren Tahiri për mbështetjen.
“Shpresoj se në të ardhmen do të mund të punojmë me shumë përkushtim dhe me shumë zell në Evropë, së bashku” ka thënë ai.
Drejtori i Qendrës Evropiane për Arsim Profesional “Qeap – Heimerer”, Petrit Beqiri ka potencuar se vizita e zëvendëskryeministres Tahiri në Qendrën tonë arsimore në Ditën ndërkombëtare të Infermierisë, nderon punën e tonë dhe vlerëson përkushtimin tonë për të ngritur gjenerata të reja me dije për shëndetësinë si sferë vitale.
“Janë këta profesionist që kanë një mision fisnik të ofrimit të shërbimit human, ofrojnë një vullnet, një gatishmëri të përhershme, që me profesionalizmin e tyre të jenë aty kur qytetari i këtij vendi të ketë nevojë për ta” ka theksuar Beqiri.
