Zëvendëskryeministrja Edita Tahiri takoi ambasadorin e Republikës Çeke, z. Jiri Dolezel

Prishtinë, 27 prill 2011

Zëvendëskryeministrja e Republikës së Kosovës, Edita Tahiri ka pritur në një takim Ambasadorin e Republikës Çeke në Kosovë, z. Jiri Dolezel, me të cilin ka biseduar për  forcimin e marrëdhënieve midis dy vendeve, mbështetja e Çekisë për Kosovën në proceset e integrimeve euro-atlantike dhe dialogun teknik ndërshtetëror midis Kosovës dhe Serbisë.

Zëvendëskryeministrja Tahiri duke e falënderuar ambasadorin Dolezel për mbështetjen që Republika e Çekisë i ka dhënë Kosovës me njohjen e shpejtë të pavarësisë dhe rolit shumë përkrahës që ky vend po luan si vend anëtar i Bashkimit Evropian, vlerësoi bashkëpunimin e mirë mes dy vendeve dhe u angazhua për thellimin e bashkëpunimit në të gjitha fushat me interes të përbashkët.

Më tutje, zëvendëskryeministrja Tahiri foli për vizionin e qeverisë për një Kosovë moderne dhe euro-atlantike duke vënë në pah përparimet e gjithëmbarshme dhe përkushtimin për thellimin e reformave demokratike, ekonomike dhe të sundimit të ligjit.

Në planin e politikës së jashtme angazhimet e qeverisë fokusohen në shtimin e numrit të njohjeve, dhe anëtarësimin e Kosovës në BE, NATO, OKB dhe institucione tjera ndërkombëtare, ka theksuar znj.Tahiri, duke kërkuar mbështetjen e Republikës Çeke për integrimet evropiane dhe euro-atlantike të Kosovës dhe në veçanti për liberalizimin e vizave, hyrjen në marrëdhënie kontraktuale me BE-në dhe përshpejtimin e marrjes së statusit të kandidatit.

Zëvendëskryeministrja Tahiri duke folur për dialogun teknik, tha se Qeveria e Kosovës angazhohet për një dialog konstruktiv të bazuar në Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe parimet euro-atlantike. 

Ndërkaq, ambasadori Dolezel tha se Republika e Çekisë përkrahë fuqishëm shtetin e pavarur të Kosovës dhe popullin e saj dhe, kjo përkrahje do të vazhdojë në të gjitha planet dhe në mënyrë të veçantë për integrimin e Kosovës në bashkësinë euro-atlantike. Duke vlerësuar angazhimin e Kosovës për bashkëpunimin rajonal, ambasadori Dolezel theksoi se Republika Çeke mbështet dialogun teknik midis Republikës së Kosovës dhe Serbisë si dhe çmoi angazhimin serioz të Qeverisë së Kosovës në këtë proces të rëndësishëm.

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors