Zëvendëskryeministrja e Qeverisë së Republikës së Kosovës, Edita Tahiri takoi ambasadorin e Danimarkës për Kosovë z. Karsten Ankjær Jensen, Ambasador rezident në Tiranë.
Në takim u bisedua rreth dialogut teknik mes Kosovës dhe Serbisë, dhe u vlerësuan marrëveshjet e arritura gjatë dialogut teknik, duke theksuar se marrëveshjet praktike kanë efekte pozitive ekonomiko-shoqërore për qytetarët e Kosovës, por se ato duhet të zbatohen në teren.
Zëvendëskryeministrja Tahiri tha se Kosova ka qenë shumë konstruktive që nga fillimi i dialogut teknik në Bruksel, si dhe është e përkushtuar në zbatimin e marrëveshjeve në të mirë të qytetarëve.
Ndërkaq, u tha se plani i Ahtisari garanton të drejta të avancuara për minoritetet në shtetin e Kosovës.
Të dyja palët u pajtuan për forcimin e mëtejmë të marrëdhënieve midis Kosovës dhe Danimarkës dhe u zotuan të vazhdojnë të jenë të përkushtuara për të bashkëpunuar pasi që Danimarka do te jete kryesuese e radhës e BE në 2012
Zëvendëskryeministrja, Edita Tahiri, kërkoi mbështetje për Kosovën në rrugën e saj drejt Bashkimit Evropian, si dhe marrjen e marrëdhënieve kontraktuale me BE. Ndërsa vlerësua se pa integrim të plotë të Ballkanit në BE, nuk ka stabilitet të qëndrueshëm në rajon.