Prishtinë, 30.10.2012
Zëvendëskryeministrja e Kosovës Edita Tahiri mori pjesë në konferencën e organizuar nga “Fondacioni Fëmijët e Kosovës” me qëllim të sensibilizimit të opinionit për fëmijët me autizëm. Ajo përshëndeti konferencën në emër të Qeverisë së Kosovës duke uruar punë dhe rezultate të suksesshme.
Zëvendëskryeministrja Tahiri theksoi se Qeveria e Kosovës është e përkushtuar që me të gjitha kapacitetet të mbështesë luftën ndaj autizmit dhe t’i ndihmojë fëmijët e kësaj kategorie për të tejkaluar vështirësitë që i shkakton një çrregullim i tillë. Ajo potencoi se kjo dukuri është e hershme në shoqërinë global por e zbuluar vonë në vitet 1943, andaj investimet duhet të përfshinë studimet shkencore dhe politikat publike për shkaqet, identifikimin dhe trajtimin e këtij problemi humanitar e shoqëror.
Zëvendëskryeministrja Tahiri theksoi se duhet një bashkëpunim sinergjik mes institucioneve të vendit, pjesëtarëve të shoqërisë civile dhe profesionale, prindërve dhe mësimdhënësve për t’i trajtuar dhe mbështetur fëmijët e spektrit autistik dhe për t’i integruar plotësisht në shoqëri. Me këtë rast ajo vuri në pah së edhe lufta dhe gjenocidi që ka ndodhur në Kosovë janë faktor që kanë ndikuar në rritjen e këtij fenomeni, dhe me angazhimet e përbashkëta janë edhe përpjekjet për të shkëputur plagët e luftës dhe tragjedisë.
Zëvendëskryeministrja Tahiri uroi presidenten e Fondacionit Fëmijët e Kosovës, Lumnije Thaçi, për angazhimin dhe humanizmin e thellë që po e tregon ajo dhe Fondacioni për adresimin e dukurisë së autizmit dhe përpjekjet e jashtëzakonshme në luftë efektive ndaj këtij çrregullimi që i godet fëmijët.
Poashtu, zëvendëskryeministrja Tahiri vlerësoi lartë punën Presidentes së Fondacionit Fëmijët e Shqipërisë, znj. Liria Berisha, duke thënë se ajo është liderë në luftën kundër autizmit në botën shqiptare dhe më gjerë.
Në fund, zëvendëskryeministrja Tahiri tha se bashkëpunimi i Kosovës dhe i Shqipërisë edhe në këtë fushë të rëndësishme dëshmon përpjekjet për të restauruar lidhjet mes kombit tonë që ka jetuar i ndarë për 100 vjet.
