Prishtinë, 19 korrik 2011
Me ftesë të zëvendëskryeministrit të Qeverisë së Republikë së Kosovës, Behgjet Pacolli, po qëndron në vizitë dy ditore në Kosovë, ish-presidenti i Kroacisë, Stipe Mesiq, i cili do të takohet me udhëheqësit më të lartë të vendit.
Në një konferencë shtypi, zëvendëskryeministri Behgjet Pacolli ka vlerësuar lartë angazhimin dhe kontributin e z.Mesiq dhe Kroacisë për Kosovën.
“Ish-presidenti Mesiq ishte president historik i ish-Jugosllavisë, president, i cili dha lajmin e parë që, Jugosllavi nuk ka më, z.Mesiq është president historik edhe i Kroacisë”, theksoi z.Pacolli, duke shtuar se, vizita e z.Mesiq është e mbushur me shumë aktivitete.
Do të kemi një forum ekonomik, ish-presidenti do të dekorohet me titullin Honoris Causa, në universitetin “AAB Riinvest”. Po ashtu, sot, në ambiente e hotelit “Emerald” z.Mesiq do të ketë promovimin e librit të tij, “Si u shkatërrua Jugosllavia”.
“Ai do të mbetet mik i madh i shqiptarëve dhe gjithmonë vendin e ka në zemrat tona”, tha zëvendëskryeministri Pacolli.
Ndërkaq, ish presidenti kroat, Stipe Mesiq tha se Kosova po shënon progres në ndërtimin e shtetit dhe se vendi i tij do të mbështesë Kosovën në rrugën e integrimeve dhe të iniciativave rajonale.
Z. Mesiq pohoi se tani procesi i njohjes së Kosovës po vazhdon dhe udhëheqja e vendit duhet të orientohet në zgjerimin e marrëdhënieve ekonomike dhe tregtare si dhe të zhvillimit ekonomik, duke u bazuar në valorizimin e resurseve natyrore dhe humane.