Prishtinë, 25 qershor 2011
Zëvendëskryeministri i Republikës së Kosovës Behgjet Pacolli, në kuadër të angazhimeve për shtimin e numrit të njohjeve për shtetin e pavarur të Kosovës, ka takuar në presidentin e Nigerisë, Goodluck Jonathan dhe zëvendëspresidentin Namadi Sambo.
Në një pritje shtetërore në Pallatin Presidencial në Abuja, zëvendëskryeministri Pacolli ka shprehur mirënjohjen e thellë për Presidentin e Nigerisë për trajtimin me prioritet që po i bëjnë çështjes së Kosovës, duke krijuar hapësirë që të diskutohet për realitetin e ri demokratik në Kosovë dhe për të shprehur nevojën që ka vendi ynë për njohje të reja. Z. Pacolli ka njoftuar Presidentin dhe Zëvendëspresidentin e Nigerisë për zhvillimet demokratike në Kosovë dhe për angazhimet e institucioneve të Kosovës për zhvillim ekonomik, integrim dhe bashkëpunim me vendet e tjera.
Presidenti i Nigerisë, Goodluck Jonathan ka falënderuar zëvendësryeministrin Pacolli për urimin e bërë me rastin e zgjedhjes së tij në krye të shtetit të Nigerisë, në maj 2011, duke e vlerësuar lartë respektin e treguar me këtë rast.
Presidenti i Nigerisë Goodluck Jonathan ka shprehur gatishmërinë për të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme që Republika e Nigerisë të vendosë sa më shpejtë raporte të bashkëpunimit ndërshtetërorë me Kosovën, duke theksuar se vendi që ai drejton, në një periudhë sa më të shkurtër kohore, do të marrë vendim për të njohur shtetësinë e Kosovës.