Prishtine, 08 korrik 2011
Zëvendëskryeministri dhe ministër i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, priti sot ministrin e Punëve të Jashtme të Lituanisë, z. Audronius Ažubalis, në cilësinë e kryesuesit të radhës të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë.
Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi ka njoftuar mysafirin e lartë lituanez lidhur me prioritete e Qeverisë së Kosovës në forcimin e institucioneve demokratike, sundimit të ligjit dhe luftës kundër krimit të organizuar. Kuçi po ashtu ka thënë se Qeveria e Kosovës është e angazhuar në reformën zgjedhore e cila është në zhvillim e sipër, forcimin e shoqërisë civile, dhe përfshirjen e të gjitha komuniteteve në zhvillimet e proceseve në Kosovë.
Z. Ažubalis në takim me z. Kuçi ka shpalosur prioritetet e kryesisë lituaneze të OSBE-së, duke rikonfirmuar mbështetjen e zhvillimit të shoqërisë demokratike shumetnike në Kosovë, monitorimit dhe promovimit të të drejtave të komuniteteve që jetojnë në Kosovë dhe për t’i ndihmuar dhe përforcuar institucionet demokratike në Kosovë.
Ministri i jashtëm i Lituanisë Ažubalis shprehu gatishmërinë e vendit të tij për zgjerimin e bashkëpunimit midis Kosovës dhe Lituanisë. Ai me këtë rast shprehu gatishmërinë e vendit të tij në përkrahje të Kosovës në proceset e integrimeve evropiane.