Kopenhagë, 2 shtator 2025
Takimi i radhës në Kopenhagë i Zëvendëskryeministrit të parë në detyrë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog të Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, ishte me Sekretaren e Shtetit për Çështje Evropiane të Kroacisë, Andreja Metelko-Zgombić.
Së bashku diskutuan mbi thellimin e mëtejshëm të marrëdhënieve bilaterale dhe fuqizimit të bashkëpunimit në fusha si ekonomia. Me këtë rast, zëvendëskryeministri theksoi progresin dhe rritjen ekonomike të vendit në katër vitet e fundit, duke theksuar dhe performancën pozitive të ndërmarrjeve publike dhe ndarjen e fitimit vjetor nga Banka Qendrore e Kosovës në llogarinë e Qeverisë, ku për të dytin vit me radhë BQK-ja transferon në llogari të Qeverisë pjesën e ndashme të fitimit vjetor, ashtu siç parashihet me ligj, nga 10 milionë sa ishte në 2024, tashmë në 15 milionë.
Pjesë e diskutimit ishin dhe aspiratat e synimet e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës dhe marrjen e statusit të vendit kandidat.
Zëvendëskryeministri Bislimi shprehu mirënjohjen ndaj Kroacisë për përkrahjen dhe mbështetjen e parezervë ndaj Kosovës.



