Prishtinë, 6 gusht 2025
Zëvendëskryeministri i parë në detyrë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, priti në takim lamtumirës ambasadorin e Finlandës në Kosovë, Matti Nissinen.
Duke e falënderuar ambasadorin për mbështetjen, përkushtimin dhe dedikimin e sinqertë të tij, zëvendëskryeministri u shpreh se Finlanda ka qenë dhe mbetet partner i Republikës së Kosovës. Ai tha se vitet e fundit kanë sjellë bashkëpunim të shkëlqyer dhe forcim të mëtejmë të marrëdhënieve Kosovë-Finlandë.
Nga ana e tij, ambasadori u shpreh se përgjatë këtyre katër viteve në Kosovë ka patur bashkëpunim dhe partneritet bilateral, eksperiencë e cila reflekton njëherit edhe raportet mes Kosovës dhe Finlandës.
Në takim u diskutua ndër të tjera edhe për zhvillimet e fundit në vend dhe integrimin evropian të Kosovës. Zëvendëskryeministri Bislimi i uroi suksese ambasadorit në angazhimet dhe detyrat e tij të radhës.






