Berlin, 24 nëntor 2025
Gjatë vizitës zyrtare në Gjermani, Zëvendëskryeministri i parë në detyrë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog të Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, ishte i ftuar nga organizata Konrad Adenauer Stiftung (KAS) qendra në Berlin, në një drekë pune dhe tryezë diskutimi. Pjesë e kësaj tryeze ishin dhe deputetë të Bundestagut nga radhët e CDU, Vivian Tauschwitz dhe Tilman Kuban, si dhe ekspertë të fushave të ndryshme nga qendra studimore.
Tema të diskutimit ishin procesi i zgjerimit, integrimi evropian i Kosovës dhe progresi i viteve të fundit, aktualiteti në vend dhe rajon, Plani i Rritjes, Procesi i Berlinit, situata e sigurisë dhe procesi i dialogut.
Zëvendëskryeministri tha në adresimet e tij në kuadër të bashkëbisedimit se Kosova mbetet e përkushtuar në procesin e integrimit evropian, e mbështetur edhe në përkrahjen e lartë qytetare ndaj integrimit në BE. Theksoi aplikimin tonë për anëtarësim, arritjen e liberalizimit të vizave dhe avancimit në zbatimin e reformave dhe rritjen ekonomike të vendit në katër vitet e fundit krahas edhe suksesit në fushën e sundimit të ligjit.
Zëvendëskryeministri falënderoi Sekretarin e Përgjithshëm të KAS, Mark Speich, për ftesën, mikpritjen dhe organizimin, si dhe të gjithë pjesëmarrësit për kontributin e frytshëm në këtë bashkëbisedim.

