Prishtinë, 1 mars 2011
Zëvendëskryeministrja e Qeverisë së Republikës së Kosovës, Edita Tahiri ka pritur sot Përfaqësuesin Civil Ndërkombëtar (PCN) në Kosovë, Pieter Feith.
Fillimisht, z.Feith uroi zëvendëskryeministren Tahiri për detyren e re në Qeverinë e Republikës së Kosovës. Ai vlerësoi rëndësinë e krijimit të institucioneve të reja të shtetit të Kosovës dhe përshëndeti gatishmërinë e Kosovës për dialogun teknik midis dy shteteve të pavarura, Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë dhe theksoi se ky dialog do të kontribuojë në përmirësimin e jetës së qytetarëve dhe fuqizimin e agjendës Evropiane për Kosovën.
Zëvendëskryeministrja Edita Tahiri falënderoi PCN-në, Pieter Feith për bashkëpunimin e vazhdueshëm dhe përkrahjen që ICO dhe z. Pieter Feith kanë ofruar për Kosovën, si dhe qëndrimi i tij si partner serioz ndërkombëtar në proceset e konsilidimit të shtetit të ri të Kosovës.
Znj. Tahiri në takim me PCN-në foli edhe për vizionin e politikës së jashtme të Kosovës dhe përcaktimet e Kosovës për integrime europiane dhe euroatlantike dhe në këtë kuadër potencoi rëndësinë ë bashkëpunimit rajonal dhe marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë mes vendeve të rajonit.
Në takimin e sotëm, zëvendëskryeministrja Tahiri në veçanti u ndal tek dialogu teknik midis Kosovës dhe Serbisë, me ç’rast theksoi se Kosova e vlerëson dialogun si një vlerë demokratike dhe evropiane.
“Republika e Kosovës do të këtë një frymë konstruktive dhe kreative dhe dialogu do të jetë eksluzivisht i karakterit teknik për zgjidhjen e çështjeve praktike, që kontribuojnë në përmirësimin e jetës së qytetarëve dhe përshpejtojnë integrimet e Kosovës në BE , NATO dhe institucione tjera ndërkombëtare” – u shpreh zëvendëskryeministrja Edita Tahiri.
