Podujevë, 19 qershor 2025
Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga ministri në detyrë i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, dhe zëvendësministrja në detyrë, Daulina Osmani, dhe bashkë me Kryetarin e Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, vendosën gurthemelin e pishinës gjysmë-olimpike, në këtë komunë.
Pishina gjysmë-olimpike ka një vlerë investimi afër katër milionë euro, prej të cilave afër tre milionë e gjysmë euro janë investim nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit kurse pjesa tjetër investim i Komunës së Podujevës. Sipërfaqja e gjithmbarshme e ndërtimit do të jetë 4556 metra katrorë. Hapësirat përfshijnë përdhesen, katin e parë dhe podrumin. Në kuadër të këtij projekti parashihet ndërtimi i një pishine për not profesional dhe garues, një tjetër për fëmijë dhe hapësira tjera përcjellëse për rekreacion dhe gastronomi.
Kryeministri u shpreh se me këtë projekt qytetarët e Podujevës do të kenë mjedis të këndshëm, në të cilin ata do të mund të kujdesen për shëndetin e tyre përmes sportit të notit, por edhe të shoqërohen së bashku në një ambient publik i cili kujdeset për mirëqenien e qytetarëve. Ai falënderoi Kryetarin e Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi dhe ministrin e Kulturës, Rinisë dhe Sportit , Hajrulla Çekun, për bashkëpunimin e shkëlqyeshëm.
Kjo do të jetë pishina e dytë publike gjysmë olimpike në nivel vendi, pas asaj në Komunën e Deçanit.
Prononcimi i plotë i kryeministrit Kurti:
Jemi bashkë këtu me nikoqirin, Kryetarin e Komunës së Podujevës, Shpejtimin Bulliqi dhe me ministrin në detyrë të Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku si dhe me zëvendësen e tij Daulina Osmani, e cila është përgjegjëse pikërisht për sportin, ku po e vendosim gurthemelin për pishinën e dytë gjysmë-olimpikë, pas asaj në Deçan, e cila do të jetë publike.
Kostoja e gjithmbarshme është afër 4 milionë euro, prej tyre gjysmë milioni është investim nga Komuna e Podujevës, ndërkaq afër 3 milionë e gjysmë nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.
Sipërfaqja e gjithmbarshme ku do të ndërtohet kjo pishinë gjysmë olimpike do të jetë 4556 metra katrorë përafërsisht me tri etazhe. Do ta ketë përdhesen, katin e parë dhe podrumin. Me ç’rast do të ketë një pishinë e cila është për not profesional edhe garues, por do të ketë edhe një pishinë për fëmijë si dhe ambiente të tjera përcjellëse për rekreacion, gastronomi, e kështu me radhë, në mënyrë që qytetarët e Podujevës kur të vijnë këtu të kenë mjedis të këndshëm, mjedis në të cilin do të mund edhe ta kultivojnë shëndetin e tyre, të notojnë por edhe të shoqërohen së bashku në një ambient publik i cili kujdeset për mirëqenien e qytetarëve.
Unë e falënderoj shumë Kryetarin e Komunës së Podujevës, gjithashtu edhe ministrin tonë të Kulturës për këtë bashkëpunim të shkëlqyeshëm që rezultoi me pishinën e dytë publike gjysmë olimpike në Republikën e Kosovës, në dy skajet e saj, së pari në Deçan dhe tash në Podujevë.
Faleminderit, urime e gëzofshim! Shpresojmë që punimet do të shkojnë sa më shpejtë, mbarë e mirë!













