Fushë Kosovë, 29 gusht 2025
Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me ministren në detyrë të Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, vendosën gurthemelin e Shkollës Fillore dhe të Mesme të Ulët, në Fushë Kosovë, investim i Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit në vlerë prej 3.9 milionë euro.
Objekti do ketë një sipërfaqe prej 8212 metra katrorë. Do të ketë 12 klasë të mësimit fillor, gjashtë klasë të mësimit parashkollor dhe shtatë laboratore me shumë hapësira përcjellëse e me zyra administrative. Kapaciteti i shkollës do të jetë deri në 1500 nxënës.
Kryeministri Kurti u shpreh i nderuar dhe gëzuar pasi që menjëherë pas përurimit të çerdhes së përfunduar, siç tha ai, erdhëm të vendosim këtu afër edhe gurthemelin e Shkollës Fillore dhe të Mesme të Ulët në Fushë Kosovë.
Duke uruar për punime të mbara dhe të shpejta për ndërtimin e kësaj shkolle të re, ai theksoi se investimi total në Fushë Kosovë, në fushën e arsimit gjatë këtij mandati tonë është mbi 5.6 milionë euro.









