Shtime, 2 qershor 2025
Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti së bashku me ministrin në detyrë të Shëndetësisë, Arben Vitia, dhe drejtorin e ShSKUK-së, Elvir Azizin, ishin sot në Komunën e Shtimes, me rastin e vendosjes së gurthemelit të ndërtesës së re të Entit Special në këtë qytet. Me ta bashkë ishte edhe kryetari i Komunës, Dr. Qemajl Aliu nga i cili u mirëpritën.
Me një vlerë të investimit prej 6.3 milionë euro, ndërtesa e re e Entit Special do të përfshijë një sipërfaqe të gjithmbarshme prej 6800 metra katrorë. Kohëzgjatja e punimeve pritet të jetë dy vjet.
Duke e cilësuar si një ditë të rëndësishme për pacientët të cilët do t’i shfrytëzojnë këto hapësira të kësaj ndërtese të re, kryeministri tha se punimet për ndërtimin e Entit Special kanë qenë nevojë e kahershme për Komunën e Shtimes. Ai shtoi, se funksionalizmi dhe ndërtimi i këtij objekti të ri dhe zhvendosja nga ndërtesa e vjetër përbën një lajm të mirë për shëndetësinë në Republikën e Kosovës, e në veçanti për pacientët dhe për Komunën e Shtimes.
Në ceremoninë e vendosjes së këtij gurthemeli, kryeministri Kurti, shprehu falënderimet e tij për kryetarin e Komunës së Shtimes, Dr. Qemajl Aliun, ministrin Arben Vitia, si dhe drejtorin e ShSKUK-së, Elvir Azizin.
Ministri Vitia tha se objekti i vjetër i Entit Special në Shtime përkundër investimeve që janë bërë, kurrë nuk i ka plotësuar kriteret sa duhet për pacientët rezidencialë të cilëve u ofrohet mbështetje 24-orëshe. Për realizimin e projektit, ai falënderoi kryetari Aliu, i cili, siç u shpreh ministri Vitia, me empatinë e një mjeku dhe me menaxhimin e jashtëzakonshëm si një kryetar komune ka insistuar që sa më parë të nisin punimet dhe kështu Enti Special të mund të ofrojë shërbime që plotësojnë nevojat e pacientëve nga i gjithë vendi.
Kurse kryetari Aliu u shpreh shumë i lumtur që po sot u hodh gurthemeli i një projekti për të cilin janë zotuar para qytetarëve të Shtimes. Ai tha se ky ka qenë një obligim shoqëror dhe moral për të gjithë shtetin dhe shoqërinë tonë që këtyre pacientëve t’ju krijojmë kushte më të mirë dhe kjo po arrihet falë edhe mbështetjes së Qeverisë, kryeministrit Kurti dhe ministri Vitia.
Prononcimi i plotë i kryeministrit Kurti:
Makineria janë gati, punëtorët po ashtu, vëmë gurthemelin e ndërtesës së re të Entit Special këtu në Shtime, me sipërfaqe të gjithmbarshme prej mbi 6800 metra katrorë, me ç’rast punimet do të kryhen për maksimum dy vjet, ndërkaq kostoja e gjithmbarshme është rreth 6.3 milionë euro.
Unë e falënderoj shumë kryetarin e Komunës së Shtimes, nikoqirin tonë Dr. Qemajl Aliun, por gjithashtu edhe ministrin Arben Vitia, drejtorin e ShSKUK-së, Elvir Azizin, që na kanë bërë sot bashkë në një ditë shumë të rëndësishme për pacientët e Entit Special, por gjithashtu edhe për zhvendosjen nga ndërtesa e vjetër që po e përgatisim konkretisht, e që ka qenë nevojë e kahershme e Komunës së Shtimes. Ky është një lajm i mirë për shëndetësinë në Republikën e Kosovës, e në veçanti për pacientët dhe për Komunën e Shtimes.
Faleminderit shumë kryetar Qemajl! Faleminderit shumë ministër Arben Vitia!




















