Vendoset gurthemeli i kompleksit të Banimit të Përballueshëm dhe Social me 135 banesa në Komunën e Pejës

Pejë, 28 maj 2025

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga zëvendësministri në detyrë i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Jeton Raka, dhe bashkë me kryetarin e Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, vendosën gurthemelin e kompleksit të Banimit të Përballueshëm dhe Social në këtë komunë.

Ky kompleks përbëhet nga dy ndërtesa, me gjithsej 135 njësi banimi, nga to 103 do të jenë njësi të banimit të përballueshëm, ndërsa për banim social do të jenë 32 njësi. Banesat do të jenë të katër tipeve: 53 m², 66 m², 77 m² dhe 87 m².

“Është një rrëfim suksesi i bashkëpunimit të Qeverisë me Komunën, pastaj me Korporatën Ndërkombëtare Financiare dhe me Institutin për Studime të Banimit. Dija, financat, pushteti qendror dhe pushteti lokal janë bërë bashkë për t’i ndihmuar çiftet e reja që të kenë banesat e dinjitetshme, ku së paku njëri prej tyre duhet të jetë nën moshën 37 vjeçare dhe gjithashtu për prindërit vetushqyes”, deklaroi kryeministri Kurti.

Ai shtoi se Qeveria në detyrë punon dhe bashkëpunon me komunat të cilat aplikojnë për të mirën e qytetarëve, derisa shprehu keqardhje që vetëm 13 komuna nga 38 gjithsej kanë aplikuar për projektin për Banim të Përballueshëm dhe Social.

Kryeministri Kurti falënderoi Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, kryetarin e Komunës, Muhaxheri, dhe të pranishmit tjerë për punën dhe kontributin e tyre deri në inaugurimin e punimeve të këtij projekti me rëndësi jetike siç është kjo e banimit, sepse sipas tij, është e drejtë themelore njerëzore që për jetesë të mirë të kemi banesë të dinjitetshme. 

Zëvendësministri në detyrë i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Jeton Raka në deklarimin e tij për media njoftoi se kohëzgjatja e këtyre punimeve është tre vjet, vlera e projektit është 10,083,015 euro dhe sipërfaqja ndërtimore 22,362 m².    

Ndërkaq, Kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, pas vendosjes së gurthemelit tha se parcela e ndarë nga komuna për këtë projekt është ndarë sipas planit zhvillimor komunal dhe hartave zonale dhe se nuk ka pasur asnjë pengesë për lëshimin e lejes për ndërtimin e këtyre banesave. 

Fjala e plotë e Kryeministrit Kurti:

Jemi këtu bashkë me kryetarin e Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, dhe me zëvendësministrin në Ministrinë e Mjedisit, Infrastrukturës dhe Planifikimit Hapësinor, Jeton Raka, që të vendosim gurthemelin me rastin e fillimit të ndërtimit të 135 banesave në dy ndërtesa në Komunën e Pejës, për banim të përballueshëm dhe banim social.

Është një rrëfim suksesi i bashkëpunimit të Qeverisë me Komunën, pastaj me Korporatën Ndërkombëtare Financiare dhe me Institutin për Studime të Banimit. Dija, financat, pushteti qendror dhe pushteti lokal janë bërë bashkë për t’i ndihmuar çiftet e reja që të kenë banesat e dinjitetshme, ku së paku njëri prej tyre duhet të jetë nën moshën 37 vjeçare dhe gjithashtu për prindërit vetushqyes.

Kostoja totale e këtyre dy ndërtesave me 135 banesa, ku 103 janë për banim të përballueshëm edhe 32 janë për banesa sociale është 10,083,000 euro. Do të jetë një sipërfaqe në total prej 22,362.00 m².

Peja është në mesin e komunave që ka aplikuar dhe ka fituar. Neve na vjen keq që një numër shumë i madh i komunave nuk kanë aplikuar fare. Vetëm 13 nga gjithsej 30 komuna kanë aplikuar dhe dëshirojmë që sa më shumë këto familje që nuk e kanë të zgjidhur çështjen e banimit, t’ju dalim në ndihmë. Qeveria në detyrë punon dhe bashkëpunon me komunat të cilat aplikojnë dhe në këtë mënyrë për të mirën e qytetarëve, ju ndihmojmë të gjithë atyre.

Duhet theksuar që njësoj kemi bërë edhe në Gjilan, në Podujevë edhe në Istog dhe katër tipe të banesave i kemi në secilën prej këtyre komuna. Kemi banesa 53 m², 66 m², 77 m² dhe 87 m². Këto 87 m² janë banesa për banim social, ndërkaq për banim të përballueshëm janë ato 53 m². Ndërkaq, këto dy tjera janë të tipeve të përziera. Shumica dërmuese e banesave janë të tipit B dhe C, përkatësisht 55% janë 77 m² dhe 30% janë banesa të tipit 66 m². Ndërkaq nga 7.5% janë të këtyre dy tipeve tjera 53 m² edhe 87 m².

Urojmë që punimet prej operatorëve ekonomikë të kryhen sa më shpejtë dhe të jemi prapë bashkë, kur t’ua japim çelësat banorëve të ri që do të vijnë qoftë nga çiftet e reja, ku edhe një herë po e theksoj, së paku njëri duhet të jetë në moshën 37 vjeçare ose të prindërve vetushqyes, të cilët nuk e kanë të zgjedhur çështjen e banimit.

Dija, financat edhe pushteti lokal edhe qendror besojmë që janë kombinimi fitues për ta zgjidhur një çështje jetike, qysh është ajo e banimit, sepse është e drejtë themelore njerëzore që për jetesë të mirë të kemi banesë të dinjitetshme.

E falënderoj kryetarin e Komunës së Pejës! Komuna e Pejës do të kujdeset për infrastrukturën përcjellëse dhe për lokacionin, ndërkaq Qeveria për investimin në kapital, përkatësisht projektimin, mbikëqyrjen edhe ndërtimin.

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors