Bardhosh, Prishtinë, 30 qershor 2025
Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me ministren në detyrë të Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, vendosën sot gurthemelin e çerdhes së re në Bardhosh, të Komunës së Prishtinës, në investimin e radhës të qeverisë në arsimin e hershëm.
Çerdhja do të ketë kapacitet të akomodimit deri në 120 fëmijë, me një sipërfaqe të gjithmbarshme prej 1552 metra katrorë, me dy etazhe. Vlera e investimit është afër 1.17 milionë euro. Punimet pritet të përfundojnë brenda 36 muajve.
Kryeminstri Kurti tha se ndërtimi i kësaj çerdhe përbën një lajm të mirë për prindërit dhe fëmijët, duke qenë se studimet shkencore tregojnë se edukimi në fëmijëri të hershme është jashtëzakonisht i rëndësishëm për ngritjen intelektuale, emocionale dhe për karrierën profesionale të fëmijëve.
“Jemi të përkushtuar për arsim për shkak se dinjiteti i njerëzve, harmonia në shoqëri, shëndeti në familje varen aq shumë prej edukimit dhe prej arsimimit. Edukimi i hershëm nuk është diçka për çfarë duhet ta ketë barrën vetëm familja, por këtë barrë duhet ta ndajë me shtetin, e shteti duke e zvogëluar barrën edhe kontribuon në cilësinë e edukimit”, u shpreh ai.
Kjo në Bardhosh shënon çerdhen e 71-të që është ndërtuar, po ndërtohet ose është në proces të prokurimit gjatë këtij mandati të qeverisë. Vlera e gjithmbarshme e investimit është 40 milionë euro. Për krahasim, nga viti 2003 deri në vitin 2021, vetëm katër çerdhe janë ndërtuar me investim të qeverisë qendrore.
Në ceremoninë e vendosjes së gurthemelit mori pjesë edhe kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama.







