Prishtinë, 29 janar 2016
Qeveria e Republikës së Kosovës, e drejtuar nga kryeministri Isa Mustafa, ka zhvilluar mbledhjen e saj të rregullt, të shtatëdhjetë e dytën me radhë. Në mbledhje janë diskutuar dhe aprovuar vendime dhe dokumente nga fushat e përgjegjësive kushtetuese dhe ligjore të Qeverisë së Republikës së Kosovës.
Në mbledhjen e sotme, kryeministri Isa Mustafa njoftoi kabinetin qeveritar për takimet në Bruksel.
“Para dy ditësh kemi pasur takim në Bruksel me përfaqësuesen e lartë të BE-së, Federica Mogherini dhe me delegacionin serb. Kemi pasur takime edhe në nivel bilateral, delegacioni jonë me përfaqësuesen e lartë dhe zyrtarët që e kanë shoqëruar atë. Kemi biseduar lidhur me implementimin e marrëveshjeve të deritanishme, me trendin e implementimit të këtyre marrëveshjeve dhe me masat të cilat duhet t’i ndërmarrim të dy palët, në mënyrë që marrëveshjet të implementohen. Kemi pasur edhe takime në nivel të përbashkët, të delegacionit të Kosovës dhe të Serbisë me ndërmjetësim të BE-së, në të cilat kryesisht jemi koncentruar në tre çështje themelore: në implementimin e marrëveshjes për diplomat, për çfarë është arritur pajtueshmëria. Është biseduar lidhur me lirinë e lëvizjes. Unë mendoj se janë përafruar shumë çështjet sa i përket lirisë së lëvizjes, mirëpo ka mbetur që përfundimisht çështjet të diskutohen dhe të aprovohen në takimin e ardhshëm. Dhe po ashtu është trajtuar edhe çështja e procedimit lidhur me asociacionin e komunave me shumicë serbe, jo të negocimit të saj, sepse negociatat kanë përfunduar, marrëveshjet janë kryer, vendimi i Gjykatës Kushtetuese është, por çështjet e procedimit të mëtutjeshëm. Unë mund t’ju them se atmosfera ka qenë shumë normale, ka qenë një atmosferë konstruktive, në të cilën natyrisht se çdo palë i mbron pozicionet e veta dhe ofron argumentet e veta. Ajo çfarë ne kemi kërkuar, është që ne do ta bëjmë punën ashtu siç jemi zotuar me marrëveshje dhe siç rezulton edhe vendimi i Gjykatës Kushtetuese lidhur me këtë. Por, po ashtu, kemi kërkuar që krahas agjendës së hartimit të statutit të asociacionit të komunave duhet ta kemi edhe agjendën e zhbërjes së strukturave paralele të cilat veprojnë, në mënyrë që të arrihen efektet të cilat ne pastaj do t’i quanim si efekte të normalizimit, sepse duhet t’ju mundësojmë që komunat me shumicë serbe ta kryejnë në suaza të plota përgjegjësinë e tyre si ua lejon ligji në të gjitha fushat, dhe nuk kemi nevojë që më tutje të kemi struktura paralele të cilat veprojnë. Për çështje të tjera mund të them se ekziston bindja në Bruksel se ato po shkojnë kah implementimi. Edhe çështja e kodit telefonik edhe çështja e energjisë, mbetet që pala serbe të përmbush zotimet e veta sa i përket asaj, dhe ne po ashtu do t’i përmbushim zotimet tona. Tek çështja e Urës (Ibrit) nuk është diskutuar në mënyrë specifike, por ajo pritet që të përfundoj në qershor të këtij viti. Ndërkaq, ka mbetur që më tutje të diskutohet në nivel të grupeve të specializuara ose grupeve teknike çështja e Transportit Ajror dhe Transportit Hekurudhor. Tek Transporti Ajror mbetet që para se ne të futemi në procedurë të dialogimit të kryhen marrëveshjet ndërkombëtare të cilat nuk i takojnë nivelit tonë, i takojnë edhe NATO-s, edhe të tjerëve sa i përket shfrytëzimit të hapësirës ajrore, dhe pastaj pas kësaj ne do t’i qasemi këtyre marrëveshjeve, dhe po ashtu do të shkojmë edhe me çështje të tjera të cilat i kontribuojnë normalizimit sa më të shpejtë të marrëdhënieve me Serbinë. Ne vlerësojmë se dialogu mund t’i kontribuojë këtij normalizimi, se është në shërbim të paqes, sigurisë dhe stabilitetit. Nuk është çështje e lehtë, nuk është çështje të cilën ne duhet ta shfrytëzojmë për sulme reciproke, qoftë ne ndaj qeveritarëve serbë, qoftë ata ndaj Kosovës, sepse tani kemi nevojë që ne të punojmë konkretisht të lirohemi nga këto procese dhe të merremi me zgjidhjen e problemeve të qytetarëve tanë”, tha kryeministri Isa Mustafa.
Projektligji për Mbrojtjen nga Zhurma, është dokumenti i parë që ka marrë miratimin në mbledhjen e sotme të Qeverisë. Qëllimi i këtij projektligji është të përcaktojë qasjen unike me qëllim të shmangies, parandalimit dhe zvogëlimit të efekteve të dëmshme të zhurmës në mjedis. Projektligji është në harmoni me legjislacionin evropian dhe do të ofrojë një bazë për zhvillimin e masave të komunitetit për zvogëlimin e zhurmës së emetuar nga burimet e mëdha.
Udhëzimi Administrativ për Mekanizmin e Përcjelljes së Emisioneve të Gazrave Serë ka marrë gjithashtu miratimin e kabinetit qeveritar. Ky Udhëzim përcakton mekanizmin e afateve kohore të raportimeve, monitorimin e emisioneve, vlerësimin e progresit dhe pasojat e pashmangshme të ndryshimeve klimatike me një kosto efektive. Me këtë Udhëzim Administrativ bëhet transpozimi i përsëritshëm i Rregullores 525/2013 të Komisionit Evropian.
Qeveria ka aprovuar Programin për Reforma në Ekonomi për vitin 2016.
Ky program është dokument që hartohet në baza të rregullta vjetore, përmes të cilit, duke lidhur kornizën afatmesme makrofiskale dhe politikat ekonomike me prioritetet e Qeverisë qartësohet procesi i zbatimit të reformave. Programi bën një përshkrim të kornizës afatmesme makroekonomike e fiskale dhe paraqet reformat strukturore në drejtim të rritjes së aftësisë konkurruese, rritjes ekonomike dhe punësimit, si dhe përmirësimit të mirëqenies sociale.
Po ashtu, Qeveria aprovoi koncept dokumentin për Përmirësimin e Kornizës Ligjore për Sistemin e Kontrollit të Brendshëm të Financave Publike.
Në mbledhje është aprovuar Raporti vjetor financiar (me të dhëna preliminare) për ekzekutimin e buxhetit dhe bilancin e fondeve për vitin 2015.
Me vendimin e aprovuar nga kabinetit qeveritar janë aprovuar ndryshimet në tabelat 3.1 dhe 3.2 të Ligjit për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2016, që kanë të bëjnë me përmbushjen e obligimeve të pakryera financiare nga viti paraprak për projekte kapitale shumëvjeçare.
Qeveria ka miratuar vendimin për emërimin e kryesuesit të Bordit të Drejtorëve të Ndërmarrjes Publike Kompania e Ujitjes Drini i Bardhë, Sh.A. në Pejë.
Është themeluar edhe Këshilli Organizativ për shënimin e tetë vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës.
Me qëllim të mbështetjes financiare të promovimit të filmit “Shok”, i nominuar për Çmimin “Oscar”, Qeveria e Kosovës ka ndarë 70 mijë euro.
Ministri i Shëndetësisë, Imet Rrahmani, ka informuar kabinetin qeveritar për situatën më të re të krijuar në Klinikën e Kardiologjisë pas bërjes publike të hetimeve për një numër të konsiderueshëm të mjekëve.
Kryeministri Isa Mustafa, lidhur me këtë çështje tha se për Qeverinë e Kosovës është me rëndësi që të gjithë sektorët të funksionojnë si duhet. “Është me rëndësi po ashtu që të realizohet përgjegjësia e të gjithë të punësuarve edhe në shëndetësi edhe në sektorët e tjerë. Ndërkaq, organet e shtetit duhet dhe kanë të drejtë ta bëjnë punën e vet, mirëpo, ne duhet të kemi besim të plotë në pjesën dërrmuese të personelit shëndetësorë dhe po ashtu, duhet të kërkojmë që ata ta bëjnë punën dhe të jenë në shërbim të qytetarëve dhe në shërbim të pacientëve”, tha kryeministri Mustafa.