Prishtinë, 6 mars 2026
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në Akademinë Përkujtimore kushtuar 5, 6 dhe 7 marsit, e cila u mbajt në kuadër të aktiviteteve shtetërore në shënim të 28-vjetorit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:
I dashuri Baca Rifat,
E nderuara familje Jashari,
E nderuara znj. Albulena Haxhiu, kryetare e Kuvendit të Republikës së Kosovës,
Të nderuara familje të dëshmorëve të kombit, invalidëve e veteranëve të luftës çlirimtare,
Të nderuar deputetë të Kuvendit të Republikës, zëvendëskryeministra, ministra e zëvendësministra,
Të nderuar oficerë e gjeneralë e ushtarë të ushtrisë sonë,
Të nderuar veprimtarë të çështjes kombëtare, ish- të burgosur politikë,
Të nderuar përfaqësues e drejtues të institucioneve tona shtetërore, akademikë, profesorë, studentë,
I nderuari z. Durim Abdullahu, historian,
Më lejoni që të përshëndes edhe një mysafirë të veçantë nga Shqipëria, Agron Xoxa, i biri i Jakov Xoxës, shkrimtarit të mirënjohur të “Lumit të vdekur” dhe “Lulës së kripës”,
Të nderuar të pranishëm,
Motra dhe vëllezër,
Zonja dhe zotërinj,
Nuk është as ekzagjerim, as mburrje kur thuhet se Kosova është zemra e shqiptarisë. Ku më shumë se në Kosovë nuk është sulmuar egërsisht qenia shqiptare gjatë gjithë shekullit XX? Për cilën pjesë të atdheut tonë u hartuan dhe u zbatuan, jo një, por dy dyzina elaboratesh për zhdukjen dhe përzënien e shqiptarëve? Ku më tepër se në Kosovë ka qenë më e gjatë, më e fuqishme, më këmbëngulëse qëndresa shqiptare, për identitetin, lirinë dhe tokën e vet?.
E Kosova qendrën e saj e ka në Drenicë, aty ku trimat dhe heronjtë marrin përmasën e legjendës. Flakët, plagët dhe kujtesa e secilës kryengritje përgatisnin brezin e ri të kryengritësve. Nëpër odat e Drenicës kuvendohej e këndohej për Ahmet Delinë, Azem e Shote Galicën, Shaban Polluzhën e të tjerë trima. Mosdorëzimi dhe qëndresa me zemër e me nder, para epërsisë numerike dhe materiale të armikut, ishte tradita e kësaj krahine. Trupi shuhej, por jo ideali i lirisë, siç dëshmuan edhe Nebih e Tahir Meha në maj të vitit 1981, kur iu kundërpërgjigjën me armë në dorë policisë jugosllave që i kishte rrethuar në shtëpinë e tyre në Prekaz. Emini, gjyshi i Tahirit, kishte luftuar në krah të Azem Galicës e Nebihu, i ati i Tahirit, kishte luftuar më parë në krah të Shaban Polluzhës.
Drenica u bë shkolla e qëndresës shqiptare në Kosovë, prandaj nuk është rastësi që ushtria jonë çlirimtare bazat e saj të para i formoi pikërisht aty. Jasharët ishin UÇK para se të formohej UÇK-ja, sepse ata ishin gati dhe kishin qenë gjithnjë të gatshëm për fillimin e luftës çlirimtare. Ademi, Hamza e baba Shaban me ta marrë pushkën e dinin se nuk ka kthim mbrapa; se paqja për ta do të vinte vetëm kur Kosova do të ishte e lirë, se ata mund të mos e mbërrinin dhe shikonin Kosovën e lirë. Mirëpo ata vetë ishin tashmë të lirë, sepse nuk do të nënshtroheshin. Flijimi i familjes Jashari ishte flakadani që e përhapi luftën çlirimtare anembanë Kosovës, ishte ngjarja që ndau më dysh rrjedhën e historisë.
Pas flijimit të Jasharëve në shtëpinë e tyre në Prekaz, shqiptarët e kuptuan që ecja e bërë marshim nuk do të kishte kthim mbrapa. Masakrat në fshatrat e Drenicës – Likoshan, Qirez e më pas në Prekaz – goditën familjen shqiptare, vijën e fundit të qëndresës. Paqja në Kosovë ishte e pamundshme, lëvizja paqësore ishte e pamjaftueshme. Kishte ardhur koha e luftës për lirinë kolektive, sepse vetëm Republika e pavarur do të sillte paqen e vërtetë.
Epoja e luftës së Jasharëve i tregoi armikut serb se UÇK-ja nuk mund të mposhtej për sa kohë që mbështetej nga populli. Për ta mbajtur Kosovën e pushtuar, Serbisë do t’i duhej të përzinte krejt popullin shqiptar. Vrasja masive e civilëve, pa kursyer as fëmijët, gratë shtatzëna e pleqtë, dhe shkatërrimi i pronave për t’ua pamundësuar kthimin të mbijetuarve do të ishin metodat, ashtu siç kishin qenë në vitin 1945, siç kishin qenë në vitin 1918, siç kishin qenë në vitin 1912 e më parë. Ashtu siç mbahej mend brez pas brezi në odat e Drenicës e të mbarë Kosovës.
Dukej sikur historia po përsëritej, por ndryshe nga herët e tjera, kësaj radhe lufta jonë çlirimtare rezononte me zhvillimet pozitive në kontinentin e vjetër, me rënien e totalitarizmave, demokratizimin, ngadhënjimin e të drejtave të njeriut, rigjallërimin e identiteteve të shtypura, pavarësimin e popujve prej federatave të panatyrshme e bashkimin e tyre vullnetar në një zonë paqeje, lirie e begatie. Ndërhyrja e NATO-s tregoi se regjime gjenocidale nuk do të lejoheshin më në truallin e Evropës. Shpallja e pavarësisë së Republikës së Kosovës, më 17 shkurt 2008 do të pranohej menjëherë nga shumica dërrmuese e shteteve perëndimore e demokratike, që kishin nguruar ta njihnin shpalljen e parë, atë të shtatorit vitit 1991.
Emri i Adem Jasharit është i pashkëputur nga ai i UÇK-së dhe të pashkëputur do të mbeten përjetë! Epopeja e Jasharëve do të përkujtohet përjetë kudo ku jetojnë shqiptarët. Çdo dëshmor i UÇK-së është një emër i përveçëm i gdhendur në shtatoren e republikës sonë, të lirisë së popullit tonë. Çdo veteran i UÇK-së është bashkëluftëtar krenar i Adem Jasharit. Ademi dhe Jasharët janë frymëzim i Forcave të Sigurisë së Kosovës, që janë të gatshme të përsërisin martirizimin e tyre për të mbrojtur anekënd kufijtë e republikës dhe për t’i shërbyer paqes në botë së bashku me partnerët tanë euro-atlantikë.
Sot, Republika jonë është më e fuqishme se kurrë më parë. Ajo jep ndihmesë për sigurinë në rajon. Mirëpo, nuk mund të flasim për siguri të paqes në Ballkanin Perëndimor për sa kohë që Serbia ka ambicie të rikthejë sovranitetin e saj mbi Kosovën dhe hegjemoninë në vende të tjera. Nuk mund të flasim për sigurinë e paqe në Evropë për sa kohë që vazhdon pushtimi rus në një pjesë të Ukrainës. Nuk mund të flasim për paqe në botë për sa kohë që lufta po përhapet në Lindjen e Mesme. Situata e nderë me shtetin fqinj verior, rritja e klimës së pasigurisë në Evropë, ftesa për angazhime në operacione të paqes në botë, na detyrojnë që të rrisim kapacitetet tona mbrojtëse. Aleanca jonë mbetet e palëkundur me NATO-n dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Mbretërinë e Bashkuar, shtetet e Bashkimit Evropian, Turqinë, Kanadanë, Japoninë etj., sepse bazohet në vlera të njëjta.
Bashkëpunimi i Kosovës me Republikën e Shqipërinë është detyrim kombëtar, andaj edhe këtu fillojmë me të dy himnet. Atë të Republikës së Kosovës dhe të Republikës së Shqipërisë, për çfarë falënderoj dhe i përshëndes artistët, instrumentistë, dhe maestron Edon Ramadani.
Aleanca me Kroacinë, marrëdhëniet e mira dhe bashkëpunimi me Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut e shtete të tjerë përreth nesh janë në shërbim të qytetarëve dhe të perspektivës së përbashkët në Bashkimin Evropian.
Si çdo vit, përulemi me respekt para Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe nderojmë dëshmorët dhe martirët dhe të gjithë ata të cilët sakrifikuan për lirinë e popullit dhe sovranitetin e Republikës.
Lavdi e ju faleminderit për pjesëmarrje e vëmendje.













