Prishtinë, 17 janar 2017
Nën patronatin e kryeministrit të Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, u mbajt Akademi Përkujtimore, me rastin e 15-vjetorit të vrasjes së deputetit të Kuvendit të Kosovës, Smajl Hajdaraj, njëherësh komandant i Shtabit Rajonal të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për Rugovë.
Të pranishëm në këtë Akademi ishin përfaqësues të institucioneve të Republikës së Kosovës, ministra, zëvendësministra, deputetë, familjarë të deputetit Hajdaraj dhe përfaqësues të tjerë.
Në emër të institucioneve të Republikës së Kosovës, para të pranishmëve ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Haki Demolli, foli për kontributin e Smajl Hajdarajt gjatë luftës në Kosovë, por edhe për periudhën e çlirimit, deri në momentin e vrasjes.
“Me tërë elanin dhe forcën që kishte, veproi në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, pa kursyer asgjë, deri në ditën e çlirimit të Kosovës, duke dhënë kontributin vetanak dhe duke marrë pjesë aktivisht në çlirimin përfundimtar të vendit tonë nga okupimi shekullor. Edhe pas çlirimit të vendit, Heroi i Popullit Smajl Hajdaraj, vazhdon me aktivitetin e tij politik, për të dhënë kontributin e tij në shtetndërtimin e Republikës së Kosovës, duke qenë pjesëmarrës aktiv në ringjalljen e jetës partiake dhe politike në vendin tonë”, tha ministri Demolli.
Valdet Hysenaj, përfaqësues ushtarak i Brigadës 136 “Rugova”, tha se Smajl Hajdaraj u vra për të vetmen arsye, se ishte luftëtar i lirisë, gurthemel i shtetit të Kosovës, shtegtar drejt bregut të diellit, drejt bregut të lirisë.
“Smajli është sot me ne, do të jetë prore për jetë e mot. Edhe sot në sfond kërkon unitet, përbashkësi drejt qëllimeve kombëtare, na këshillon e udhëzon. Më mburrje e krenari, të freskëta i kemi kujtimet e një ushtaraku e strategu të denjë, me afinitet motivues gjithnjë në vijën kombëtare për gjuhë, flamur, kufij, për troje etnike”, tha Hysenaj.
Duke kujtuar deputetin Smajl Hajdaraj, si një inxhinier karriere, mësimdhënës, politikan elitar, deputet në vijën e Presidentit Historik, Dr. Ibrahim Rugova dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, strateg e ushtarak për mbamendje, komandant lufte në shtabin rajonal të Rugovës, Hysenaj kërkoi që të ndriçohet vrasja e tij dhe e të gjithë të vrarëve politik pas lufte.
Blerim Hajdaraj, djali i deputetit Hajdaraj, në emër të familjes falënderoj të pranishmit për pjesëmarrje dhe për organizimin e kësaj Akademie Përkujtimore. “Meqenëse vazhdimisht qe 15 vjet kemi kërkuar drejtësi dhe çdo herë janë thirrje të kota, fjala është sidomos për vrasjet politike, ato të cilat e patën fatin e njëjtë me prindin tonë. Kësaj radhe me zhgënjimin e plotë në drejtësi, nuk do të flas dhe nuk do të komentoj, por do të rri një minutë heshtje pa koment”, tha Hajdaraj.
Fjalimi i plotë i ministrit të Forcës së Sigurisë së Kosovës, Haki Demolli, në Akademi:
Është nderë i veçantë për mua, që Kryeministri i Kosovës, akademik Isa Mustafa, më ka besuar që të kem fjalën e rastit në këtë Akademi Përkujtimore, kushtuar patriotit, luftëtarit dhe veprimtarit të pareshtur e të pa ndalur të çështjes kombëtare, njehërit aktivistit të devotshëm të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Heroit të Popullit, komandantit Smajl Hajdaraj. Sot, jemi në një ditë të muajit janar, muaj ky i mbushur përplot me manifestime dhe përkujtime, qoftë lidhur me ngjarjet e lavdishme kombëtare, ashtu edhe lidhur me rënien e figurave patriotike të kombit shqiptar. Në një ditë të ftohtë të janarit, më saktë me 17 janar të vitit 2002, u krye vrasja sa dinake aq edhe mizore e veprimtarit të palodhur të çështjes kombëtare dhe komandantit të UÇK-së, Smajl Hajdaraj.
Po kush ishte Smajl Hajdaraj?
Smajli kishte një profil të veçantë të atdhedashësit. Të veçantë e bënë jeta e tij, e cila ishte e ngjeshur me aktivitete të dendura patriotike, me ngritje dhe marrje të përgjegjësive për interesin e kombit shqiptar në vazhdimësi, dhe atë që nga rinia e hershme e deri në ditën e fundit të jetës së tij. Heroi ynë, komandanti Smajl Hajdaraj u lind në një familje me traditë patriotike, familje e cila në gjenet e saj e kishte luftën kundër armikut, luftën kundër okupatorëve të trojeve shqiptare, familje që është angazhuar në vazhdimësi dhe ka dhënë kontributin maksimal për lirinë e vendit dhe kombit tonë. Smajli u rrit dhe edukua në familjen e Arif Rekës, i cili për shkak të veprimtarisë së tij atdhetare dhe patriotike, ishte dënuar nga regjimi okupator komunist jugosllav me 9 vjet burgim, të cilin dënim e kishte vuajtur në burgun ku të dënuarit politikë shqiptarë torturoheshin në mënyrat më çnjerëzore, në burgun famëkeq të Goli Otokut. Në një familje të tillë me traditë dhe kulturë patriotike, ishte ngritur dhe formësuar, që nga rinia e hershme me edukatën dhe ndjenjën e patriotizmit si dhe me idealin për çlirimin e Kosovës nga pushtuesit serbo sllav. Frymën dhe edukatën e tij patriotike, heroi Smajl Hajdaraj, fillojë t’i zbatonte në praktikë, përmes aktivitetit të tij konkret patriotik, si mësimdhënës në Shkollën e Mesme Teknike “Shaban Spahia” në Pejë, duke edukuar në frymën kombëtare breza të shumtë të të rinjve kosovarë, si dhe duke kundërshtuar në vazhdimësi dhe me këmbëngulësi politikat shoviniste serbosllave, të cilat ndërmerreshin dhe zbatoheshin nga regjimi autoritar jugosllav, ndaj arsimit, kulturës dhe kombit shqiptar në përgjithësi.
Me themelimin e Lidhjes Demokratike Kosovës, nga Presidenti Historik Ibrahim Rugova dhe bashkëpunëtorët e tij, ai u bë anëtarë dhe kontributdhënës i devotshëm i saj dhe atë që nga ditët e para të ekzistimit dhe funksionimit të saj. Pasur parasysh, përkatësinë familjare, punën, aktivitetin paraprak të tij, ai fitoi besimin e bashkëvendësve të tij, duke u zgjedhur dhe marrë përgjegjësitë e Kryetarit të Nëndegës të LDK-së për Rugovë, përmes të cilës pozitë dha kontributin e pa kursyer në aktivitetet dhe punën e Degës së LDK-së në Pejë. Smajli nuk shquhet vetëm me aktivitetin e tij politik, por edhe me angazhimin dhe kontributin luftarak të tij, duke treguar në fushëbeteja gatishmërinë e tij personale, për një sakrificë të jetës dhe trupit të tij, me qëllim të çlirimit të Kosovës, nga robëria dhe okupimi shekullor serbosllav. Me paraqitjen në skenë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe fillimit të rezistencës së armatosur në Kosovë, Smajl Hajdaraj i ndërmerr përgatitjet e duhura dhe konkrete, për fillimin dhe zhvillimin e luftës çlirimtare në zonën e Rugovës. Fillimisht, ai tubon bashkëveprimtarët dhe njerëzit e besueshëm, që ishin të gatshëm për luftë dhe veprim luftarake të karakterit çlirimtar. Këtë periudhë të aktivitetit të tij më së miri Smajli, e përshkruan në një intervistë të tij në të përditshmen “Bota Sot”, me 23 tetor të vitit 2001, në të cilën ndër të tjera thoshte(citoj): “Më 26 gusht të vitit 1998, nga ushtarët e shumtë, të cilët e kishin veshur uniformën e UÇK-së, ne formuam Shtabin Rajonal të Rugovës”. Duke qenë ndër më aktivët, ndër më të guximshmit dhe më të përkushtuarit në aktivitetet luftarake kundër makinerisë militare dhe paramilitare të okupatorit serbosllav, Smajli emërohet për Komandant të Shtabit Rajonal të Rugovës. Falë aktivitetit luftarak të Smajlit dhe bashkëluftëtarëve të tij, vjen deri të shtimi i numrit të luftëtarëve të lirisë dhe rritjes së formacionit ushtarak në zonën e Rugovës, si rezultat i zhvillimeve të tilla pozitive, në janar të vitit 1999 bëhet promovimi i Brigadës 136 me emrin “RUGOVA”, e cila do të vepronte në kuadër të Zonës Operative të Dukagjinit. Dhe pikërisht heroi ynë i popullit, Smajl Hajdaraj në strukturat komanduese të Brigadës 136 “Rugova” do të zgjidhet Kryeshef i Operativës së Brigadës. Me respekt dhe krenari të posaçme, duhet theksuar se Smajli si oficer dhe epror institucionalist që ishte, që nga fillimi dhe në vazhdimësi ka mbajtur kontakte të rregullta dhe bashkëpunim profesional ushtarak, me ministrin e Mbrojtjes së Republikës së Kosovës, kolonel Ahmet Krasniqi, si dhe me komandantët e zonës së Dukagjinit të Forcave të Armatosura të Republikës së Kosovës. Në këtë frymë, me tërë elanin dhe forcën që kishte, veproi në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, pa kursyer asgjë, deri në ditën e çlirimit të Kosovës, duke dhënë kontributin vetanak dhe marrë pjesë aktivisht në çlirimin përfundimtar të vendit tonë nga okupimi shekullor.
Edhe pas çlirimit të vendit, heroi i popullit Smajl Hajdaraj, vazhdon me aktivitetin e tij politik, për të dhënë kontributin e tij në shtetndërtimin e Republikës së Kosovës, duke qenë pjesëmarrës aktiv në ringjalljen e jetës partiake dhe politike në vendin tonë. Kuptohet, ai do të vazhdojë të veprojë dhe kontribuojë politikisht në kuadër të partisë së zemrës së tij, pra në kuadër të LDK-së. Në zgjedhjet e para lokale, të organizuara dhe mbajtura në Kosovën e pasluftës, falë besimit të madh që kishte te votuesit, respektivisht qytetarët e komunës së Pejës, ai ia del që të zgjidhet deputet i Asamblesë Komunale në Pejë. Kurse në zgjedhjet e para nacionale të Kosovës, të mbajtura në vitin 2001, Smajl Hajdaraj zgjidhet deputet i Kuvendit të Kosovës, kuptohet në kuadër të Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës. Kështu i tërë ky aktivitet dhe angazhim i pakursyer gjatë tërë jetës, si në rrafshin politik ashtu edhe në atë ushtarak, e bënë heroin tonë Smajl Hajdaraj një atdhetar të përkushtuar i cili për interesat, idealet dhe lirinë e kombit, si dhe ndërtimin e shtetit të Kosovës, nuk kurseu punën dhe djersën e tij deri në ditën e fundit të jetës së tij. Fatkeqësisht, heroi, patrioti dhe atdhetari që kishte kontribuar me armë në dorë për çlirimin e Kosovës, nuk mundi të gëzojë lirinë dhe të vazhdojë me dhënien e kontributit për ndërtimin dhe forcimin e shtetit të Kosovës, sepse më 17 janar të vitit 2002, në hollin e hyrjes të banesës së tij, në lagjen “Fidanishte” të Pejës, në mënyrën më tinëzare dhe të pabesë, ekzekutohet në një pritë të organizuar, nga ata që nuk ja duan të mirën popullit dhe shtetit, nga ata që janë dorë e zgjatur e armiqve të kombit tonë, e të cilët fatkeqësisht deri më sot nuk u zbuluan nga organet kompetente dhe kështu mbetën pa u vënë para drejtësisë dhe pa u ndëshkuar për këtë vrasje të rëndë.
Më duhet thënë se vrasja e Smajlit, ishte më shumë se një vrasje e zakonshme, dhe shuarja e dhunshme e jetës së tij, nuk ka shkaktuar humbje vetëm për familjen Hajdaraj, por humbje për tërë shtetin tonë dhe shqiptarinë në përgjithësi. Sepse me këtë vrasje tinëzare, është shuar jeta e njeriut që ka kontribuar në luftë për liri, andaj me vrasjen e tij është vrarë dhe lënduar edhe liria e brishtë e Kosovës, është dëmtuar rëndë demokracia dhe siguria jo vetëm e aktivistëve politik, por edhe e të gjithë qytetarëve të vendit tonë. Sot, 15 vite pas vrasjes tinëzare të heroit të popullit, Smajl Hajdaraj, ne po angazhohemi dhe punojmë me të gjitha kapacitetet tona, që të ndërtojmë dhe forcojmë shtetin e pavarur të Kosovës. Për ta bërë një shtet funksional, një shtet ku sundon ligji dhe e drejta. Sepse vetëm në shtetin e tillë ligjor, do të krijohet ambienti dhe kushtet që policia, prokuroria dhe gjykatat tona do të mund të kryejnë punën e tyre në mënyrë të pavarur dhe të pandikuar nga askush, e që si rezultat do të kenë ndriçimin e të gjitha vrasjeve dhe krimeve të tjera të rënda të cilat kanë mbetur pa u zbardhur për vite të tëra, përfshirë këtu edhe vrasjen e Smajl Hajdarajt, e që për epilog përfundimtar do të kenë identifikimin, zbulimin, arrestimin dhe ndëshkimin me dënimet më të rënda të mundshme, të të gjithë kryerësve dhe urdhërdhënësve të tyre, respektivisht të të gjithë kriminelëve të cilët, duke vrarë aktivistë të shumtë të Lidhjes Demokratike të Kosovës, atdhetarë dhe patriotë, si dhe qytetarë të tjerë të pafajshëm të Kosovës, jo vetëm që mbështjellën me të zezën e mortit shumë familje patriotike dhe liridashëse kosovare, por cenuan rëndë edhe lirinë dhe demokracinë në Kosovë.
Një fjalë e urtë e popullit tonë, thotë “Zoti vonon, po nuk harron”, e neve të gjithë dashamirësve të Smajlit, nuk na mbetet tjetër vetëm të angazhohemi, të punojmë me besimin dhe shpresën, se edhe drejtësia kosovare, mund të vonojë, por kurrën e kurrës nuk do t’i harrojë kriminelët që vranë Smajlin dhe shumë qytetarë tjerë të pafajshëm për shkak të bindjeve të tyre politike, dhe një ditë do t’i ndëshkojë me dënimet me të rënda të mundshme, ndëshkime këto që do të kontribuojnë jo vetëm në rimëkëmbjen e lirisë dhe të demokracisë në Kosovë, por do të jenë edhe një satisfaksion moral, njerëzor dhe ligjor për miqtë, familjarët dhe të bashkëmendimtarët e Smajlit.
Qoftë i përjetshëm kujtimi për Smajl Hajdarajn.
Lavdi jetës dhe veprës së Smajl Hajdarajt.
Nderim dhe respekt familjes Hajdaraj.
Ju faleminderit.