Prishtinë, 31 dhjetor 2010
Në telegramin e Kryeminsitrit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi drejtuar qytetarëve të Kosovës thuhet:
Qytetarë të dashur të Republikës së Kosovës,
Viti 2010 ishte vit i sukseseve të Kosovës si në rrafshin e brendshëm ashtu edhe në atë ndërkombëtar.
Ishte vit historik i ngritjes ekonomike dhe përmirësimit të mirëqenies sociale për të gjitha kategoritë shoqërore në Kosovë, vit i vazhdimit dhe fillimit të projekteve madhore në infrastrukturë dhe investime kapitale.
Viti që po lëmë pas ishte vit i konsolidimit dhe afirmimit të Republikës së Kosovës në arenën ndërkombëtare.
Opinioni i Gjykatës Ndërkombëtare për drejtësinë e shpalljes së Kosovës shtet i pavarur, demokratik dhe sovran ishte e arritura më e madhe e vitit që po lëmë pas.
Konsolidimi dhe afirmimi i shtetit demokratik të Kosovës do të vazhdojë edhe më tej me njohje të reja dhe forcim të pozicionit të tij në institucionet ndërkombëtare.
Viti i Ri 2011 do të jetë vit i fillimit të realizimit të agjendës së integrimeve evropiane për shtetin e Kosovës.
Viti i Ri 2011 do të jetë vit i rritjes së mirëqenies sociale për punëtorët e arsimit, të shëndetësisë, për minatorët, zjarrëfikësit, punonjësit e shërbimit civilë, për familjet e dëshmorëve, policët, pensionistët dhe gjihtë kategoritë sociale.
Viti i Ri do të jetë vit të cilin qytetarët tanë në mërgatë do ta ndjejnë edhe më shumë praninë e kujdesit shtetëror të Republikës së Kosovës në vendet ku punojnë dhe jetojnë.
Viti i Ri 2011 do të jetë vit i krijimit të institucioneve që dolin nga vullneti i lirë i qytetarëve të Kosovës në zgjedhjet e para parlamentare nga shpallja e Pavarësisë.
Viti i Ri do të jetë vit i thellimt të besimit në vlerat e demokracisë, lirisë, përparimit, dinjitetit dhe mirëqenies për të gjithë qytetarët e Kosovës.
Urime Viti i Ri 2011!
Hashim Thaçi
Kryeministër i Republikës së Kosovës