Sot kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi do të zhvillojë një takim me zëvendëssekretarin amerikan të shtetit, James Steinberg


Image

Prishtinë, 23 shtator 2010
 

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi në kuadër të vizitës së tij zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dje ka marrë pjesë në Samitin e Liderëve të Ballkanit, që është mbajtur në Nju Jork, e që kishte për temë zhvillimin dhe përmbylljen e procesit të integrimit euro-atlantik të Ballkanit.
 

Në këtë samit, pjesëmarrës ishin edhe liderë të tjerë nga rajoni, si Presidenti i Turqisë, Abdullah Gyl, Presidenti i Malit të ZI, Filip Vujanoviq, Presidenti i Maqedonisë, Gjorgje Ivanov, Kryeministri i Bullgarisë, Bojko Borisov, Kryesusi i Presidencës së Bosnje dhe Hercegovinës, Haris Silajxhiq, një numër i ministrave të jashtëm të shteteve të rajonit, etj.
 

Në fjalën e tij para të pranishmëve, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi foli për zhvillimet në Kosovë dhe për progresin e arritur në vend.
 

Duke theksuar se Republika e Kosovës është thellësisht e përkushtuar për përmbushjen e të gjitha kritereve për integrim në institucionet euro-atlantike, kryeministri Thaçi ka potencuar se integrimi i vendeve të Evropës Juglindore në institucionet euro-atlantike është garantues i paqes, i stabilitetit, i zhvillimit dhe i thellimit të bashkëpunimit të gjithanshëm mes vendeve të rajonit.
 

Përmes Samitit vjetor të liderëve të Ballkanit, Federata e Asociacioneve Ballkanike-Amerikane, shpreson të arrijë misionin e saj të ndarjes së trashëgimisë ballkanike të tolerancës dhe mirëkuptimit me liderët botërorë, presidentë, kryeministra, ministra të punëve të jashtme, po ashtu edhe biznesmenë dhe liderë religjiozë, gazetarë, artistë, shkencëtarë dhe profesionistë të lëmenjëve të ndryshëm.

Kryeministri Hashim Thaçi, po dje, bashkë me presidentin Sejdiu kanë zhvilluar një takim edhe me Emirin e Katarit, Sheik Abdullah bin Khalifa Al Thani.
 

Në një takim të përzemërt, udhëheqësit shtetërorë të Republikës së Kosovës e njoftuan Emirin Al Thani me zhvillimet në vendin tonë, me theks të veçantë me realitetin e ri të krijuar pas mendimit të qartë të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për ligjshmërinë e pavarësisë së Kosovës.
 

Kryeministri Thaçi dhe Presidenti Sejdiu e falënderuan Emirin Al Thani për qasjen konstruktive ndaj Republikës së Kosovës, për mbështetjen e vendit tonë nga vendet e Gjirit, si dhe për bashkëpunimin mes dy vendeve tona.
 

Nga ana e tij, udhëheqësi i Katarit tha se vendi i tij ka përcjellë me shumë interes zhvillimet në Kosovë dhe se do ta formalizojë vendimin për njohjen e Republikës së Kosovës në kohë shumë të shkurtër
 

Ndërsa, sot kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, bashkë me presidentin Sejdiu, do të zhvillojë një takim të rëndësishëm me zëvendëssekretarin amerikan të shtetit, James Steinberg. Temë bosht e takimit do të jenë zhvillimet aktuale politike rreth Kosovës, thellimi i marrëdhënieve bilaterale mes Kosovës dhe SHBA-ve, procesi i përmbushjes së standardeve dhe kritereve të Kosovës në procesin e integrimit euro-atlantik, si dhe fuqizimi i bashkëpunimit rajonal.
 

Delegacioni i Republikës së Kosovës, po sot do të takohet edhe me presidentin e Hondurasit, Porfirio Lobo Sosa, shtet që e ka njohur Kosovë pas shpalljes së mendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë.
 

Ndërsa, Kryeministri Thaçi do të marrë pjesë edhe në darkën solemne vjetore që e organizon Këshilli Kombëtar Shqiptaro-Amerikan, për nder të personaliteteve amerikane që kanë kontribuar për Kosovën dhe shqiptarët.

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors