Shënohet 20-vjetori i Agjencisë për Barazi Gjinore

Prishtinë, 18 nëntor 2025

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në ngjarjen e organizuar me rastin e shënimit të 20-vjetorit të Agjencisë për Barazi Gjinore në Kosovë. Në fillim të fjalës së tij, kryeministri Kurti tha se është kënaqësi e veçantë të hapim këtë konferencë rajonale në një vit simbolik ku shënohen edhe 30 vjet nga platforma e Pekinit dhe 25 vjet nga miratimi i Rezolutës 1325 për Gratë, Paqen dhe Sigurinë.

“Teksa shënojmë këta përvjetorë, riafirmojmë angazhimin e Republikës së Kosovës, si aleate e palëkundur e të drejtave të grave dhe të barazisë gjinore. Edhe pse shumë më e re si Republikë, Kosova i ka përkthyer angazhimet e Platformës së Pekinit në politika konkrete. Një nga shtyllat e kësaj platforme është eliminimi i varfërisë së grave, sepse varfëria nuk është neutrale në aspekt gjinor.” tha kryeministri Kurti.

Ndër masat e ndërmarra, ai theksoi punësimin e mbi 12 mijë grave përmes programeve qeverisëse, platformat “Superpuna”, “Qeveria për familjet”, “Kosovo Generation Unlimited” nga të cilat përfitueset më të mëdha janë gratë dhe vajzat, si dhe faktin se rreth 100 mijë gra kanë hapur llogari bankare për herë të parë në jetën e tyre, falë shtesave për nëna, për fëmijë dhe masave të punësimit për gratë.

Mbi qasjen në kapital e në pronë, kryeministri tha se falë masave afirmative për regjistrimin e pronës së përbashkët në emër të të dy bashkëshortëve pa pagesë, ka pasur përparim të theksuar në dekadën e fundit. Konkretisht deri në vitin 2024 ishin 17,592 prona të regjistruara në krahasim me vetëm 105 sa ishin në vitin 2016. Këtë masë e kemi vazhduar edhe sivjet dhe pronat e regjistruara në emër të të dy bashkëshortëve kanë arritur shifrën 27,830. Pra për më pak se nëntë vjet, numri i pronave të regjistruara në emër të të dy bashkëshortëve është rritur për më shumë sesa 265 herë.

Në vijim, kryeministri theksoi se Kosova po zbaton Platformën e Pekinit e cila thotë qartë se arsimi është thelbësor që gratë të arrijnë barazinë gjinore. Arsimin e lartë publik e kemi bërë falas; 15 milionë euro mbështetje direkte për studentët prej tyre afër 7 mijë bursa për vajzat dhe djemtë në fushat STEM, shkencë, teknologji, inxhinieri dhe matematikë, ku 96% prej përfitueseve janë vajza; 7,423 bursa elitare për studentët me mesatare të lartë 9.0 e mbi, prej tyre 3587 vajza; janë ndërtuar 73 çerdhe të reja; edukimi i hershëm është bërë i detyrueshëm përmes Ligjit për Edukimin e Hershëm; përmes programit të kuponëve, mbulohen shpenzimet e edukimit deri në 150 euro në muaj për fëmijët 3–5 vjeç nga familjet me asistencë sociale.

Kryeministri foli edhe rreth investimeve dhe kujdesit për gratë në shëndetësi si dhe për më shumë drejtësi dhe siguri po e adresojmë dhunën ndaj grave, si çështje të sigurisë njerëzore sipas edhe Platformës së Pekinit dhe Rezolutës 1325.

“Megjithë përparimin që kemi arritur si shtet e shoqëri, sfidat për barazinë gjinore vazhdojnë të jenë të pranishme dhe kërkojnë përkushtimin tonë të pandalshëm dhe për këtë jemi të vëmendshëm e të përkushtuar. Mes presioneve dhe polarizimeve politike, Republika e Kosovës nuk po e relativizon barazinë gjinore. Përkundrazi, po e trajton si thelb edhe të projektit të saj demokratik edhe të vlerës së barazisë shoqërore.” përmbylli fjalën e tij kryeministri Kurti.

Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:

E nderuara zonja Vjosa Osmani Sadriu, Presidente e Republikës së Kosovës,

Të nderuara zonja Albulena Haxhiu dhe Emilija Rexhepi, nënkryetare të Kuvendit të Republikës,

E nderuara zonja Eva Palatova, zëvendësdrejtore e Zyrës së Bashkimit Evropian,

I nderuari ambasador i Mbretërisë së Bashkuar, Jonathan Hargreaves,

E nderuara zonja Vlora Nushi, shefe e zyrës së UN Women në Kosovë,

E nderuara zonja Luljeta Demolli, drejtore ekzekutive Qendra Kosovare për Studime Gjinore,

E nderuara zonja Edi Gusia, drejtore ekzekutive e Agjencisë për Barazi Gjinore,

Të nderuara përfaqësuese dhe përfaqësues të institucioneve të vendit dhe të rajonit,

Të nderuara përfaqësuese të organizatave të grave të shoqërisë civile,

Të nderuar partnerë ndërkombëtarë,

Të nderuar mysafirë,

Zonja dhe zotërinj,

Mirëmëngjes dhe mirëse keni ardhur në Prishtinë. Është kënaqësi e veçantë të hapim këtë konferencë rajonale, në shënim të 20 vjetorit të Agjencisë për Barazi Gjinore të Kosovës, në një vit simbolik: 30 vjet nga platforma e Pekinit dhe 25 vjet nga miratimi i Rezolutës 1325 për Gratë, Paqen dhe Sigurinë. Dy gurëthemele të botës që duam të ndërtojmë: më të drejtë, më të sigurt dhe më të barabartë për gratë dhe vajzat.

Sot, këtu në Prishtinë, teksa shënojmë këta përvjetorë, riafirmojmë angazhimin e Republikës së Kosovës, si aleate e palëkundur e të drejtave të grave dhe të barazisë gjinore.

Të nderuar të pranishëm,

Edhe pse shumë më e re si Republikë, Kosova i ka përkthyer angazhimet e Platformës së Pekinit në politika konkrete. Një nga shtyllat e kësaj platforme është eliminimi i varfërisë së grave, sepse varfëria nuk është neutrale në aspekt gjinor. Prandaj, si Qeveri kemi ndërmarrë masa që e thyejnë këtë cikël:

• Mbi 12 mijë gra të punësuara drejtpërdrejt përmes programeve tona të punësimit.

• Në platformën “Superpuna”, nga afër 20 mijë të rinj, 51% janë gra dhe vajza. Ndërkohë që po punojmë edhe për platformën e dedikuar “Superpuna për gratë”, ku gratë që punësohen në sektorin privat, e marrin për 6 muaj si bonus pagën minimale, e cila nga 1 janari është 425 euro ndërkaq nga 1 korriku i vitit të ardhshëm bëhet 500 euro. Sepse për të ecur përpara me sukses, është thelbësore që standardet e barazisë gjinore të zbatohen edhe në sektorin privat, që barazia të jetë praktikë në çdo vend pune, për çdo vajzë e grua. Çdo institucion, secila ndërmarrje dhe çdo komunitet duhet të jetë aleat për barazinë gjinore, për një shoqëri ku potenciali i grave shihet, mbështetet dhe vlerësohet.

• Nga mbi 4 mijë të punësuar përmes programit “Qeveria për familjet”, pra asnjë familje pa së paku një të punësuar, 55% të tyre janë gra.

• Në programin “Kosovo Generation Unlimited”, gati 60% e përfituesve janë vajza dhe gra.

• Rreth 100 mijë gra kanë hapur llogari bankare për herë të parë në jetën e tyre, falë shtesave për nëna, për fëmijë dhe masave të punësimit për gratë.

Dhe kur flasim për qasje në kapital e në pronë, një nga barrierat për gratë, falë masave afirmative për regjistrimin e pronës së përbashkët në emër të të dy bashkëshortëve pa pagesë, është përparim i theksuar në dekadën e fundit. Konkretisht deri në vitin 2024 ishin 17,592 prona të regjistruara në krahasim me vetëm 105 sa ishin në vitin 2016. Këtë masë e kemi vazhduar edhe sivjet dhe pronat e regjistruara në emër të të dy bashkëshortëve kanë arritur shifrën 27,830. Pra për më pak se nëntë vjet, numri i pronave të regjistruara në emër të të dy bashkëshortëve është rritur për më shumë sesa 265 herë. Për më pak se 9 vjet, më shumë se 265 herë.

Platforma e Pekinit na thotë qartë: arsimi është thelbësor që gratë të arrijnë barazinë gjinore. Andaj arsimin e lartë publik e kemi bërë falas, për të gjitha nivelet, edhe për bachelor edhe për master, vetëm për doktoraturë ka një kërkesë për pagesë dhe janë mbi 173 mijë studentë, vajza dhe djem, që janë liruar nga pagesa që nga viti 2021.

15 milionë euro janë mbështetje direkte për studentët, prej tyre: afër 7 mijë apo saktësisht 6,917 bursa për vajzat dhe djemtë në fushat STEM, shkencë, teknologji, inxhinieri dhe matematikë, ku 96% janë vajza. 7,423 bursa elitare për studentët me mesatare të lartë 9.0 e mbi, prej tyre 3587 vajza.

73 çerdhe për fëmijë të reja janë ndërtuar ose në ndërtim anembanë vendit, sepse pa kujdes cilësor për fëmijët, gratë mbeten brenda shtëpisë dhe jashtë tregut të punës. Pikërisht për shkak se janë ndërtuar çerdhet në vendbanime të caktuara, gratë po kanë mundësi që ose të kthehen në tregun e punës të cilin e kanë braktisur kur i kanë lindur fëmijët ose edhe të regjistrojnë ndonjë fakultet apo vazhdojnë shkollimin aty ku e patën ndërprerë pikërisht për shkak të lindjes së fëmijëve.

Edukimi i hershëm është bërë i detyrueshëm përmes Ligjit për Edukimin e Hershëm, dhe po pilotohet kurrikula e re. Përmes programit të kuponëve, mbulohen shpenzimet e edukimit deri në 150 euro në muaj për fëmijët 3–5 vjeç nga familjet me asistencë sociale, që të përfshihen në edukim të hershëm, duke u dhënë nënave mundësinë që të ndjekin arsimim, punësim dhe vetëpunësim.

Kosova e ka rritur buxhetin për shëndetësinë e që reflektohet posaçërisht për gratë, me mbi 130 milionë euro krahasuar me vitin parapandemik, një rritje prej 57%, ku një pjesë e rëndësishme është orientuar në shëndetin e grave dhe shërbimeve shëndetësore sikurse që janë:

• Mamografia falas gjatë gjithë vitit;

• Rikonstruktimi i gjirit falas për gratë me kancer;

• Falë pajisjeve të reja diagnostikuese dhe fushatave të vetëdijësimit, shumica e rasteve të kancerit të gjirit që më parë zbuloheshin në fazën 3 dhe 4 kur nuk ka shumë shpresë, tani diagnostikohen në fazën 1 dhe 2;

• Vaksina HPV për vajzat deri në 15 vjeç, për parandalimin e kancerit të qafës së mitrës;

• Tri rezonanca të reja magnetike dhe transformim i klinikave kyçe, përfshirë Gjinekologjinë dhe Onkologjinë;

• Shërbime të reja, si Mjekësia Fetale dhe amniocenteza;

• Mbi 70 barna të reja në listën e barnave esenciale që janë shtuar gjithashtu për Fertilizim të Asistuar.

Të nderuara të pranishme,

Në një kohë kur në shumë vende të botës, po shohim kufizim të të drejtave riprodhuese, stigmatizim dhe pengesa në qasje në shërbime, Kosova po zgjeron edhe qasjen por edhe po e rrit cilësinë.

Sipas Platformës së Pekinit dhe Rezolutës 1325, po e adresojmë dhunën ndaj grave, si çështje të sigurisë njerëzore, jo si çështje private.

• Kemi miratuar Strategjinë Kombëtare për Mbrojtje nga Dhuna në Familje dhe Dhuna ndaj Grave 2022–2026, me 94% të aktiviteteve të zbatuara ose në zbatim.

• Kemi lansuar Protokollin Shtetëror për trajtimin e rasteve të dhunimeve seksuale.

• Po ofrojmë ndihmë juridike falas për viktimat e dhunës në familje dhe dhunës me bazë gjinore, pavarësisht gjendjes ekonomike.

• Kemi miratuar Ligjin për Kompensimin e Viktimave të Krimit. Sepse drejtësia nuk mbaron me ndëshkimin e kriminelit, është i domosdoshëm zhdëmtimi i viktimave të krimit.

• Janë ndarë 7.3 milionë euro mbështetje financiare për strehimoret dhe OJQ-të e licensuara në fushën e shërbimeve sociale dhe familjare për periudhën 2021 dhe 2025.

• Është lansuar masa e punësimit për gratë viktima të dhunës, ku shteti subvencionon 70% të pagës për 6 muaj. Është tejet e rëndësishme riintegrimi i të gjitha viktimave dhe një faktor tejet i rëndësishëm për riintegrim është pikërisht punësimi me pagë të dinjitetshme dhe me kushte të mira të punës.

Kosova e njeh në thelb Rezolutën për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, jo vetëm për shkak të historisë sonë, por edhe për shkak të grave të vendit tonë.

Gratë aktiviste për paqe, organizatat e grave, të mbijetuarat e dhunës seksuale gjatë luftës, gratë në Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe Policinë e Kosovës që sot mbajnë grada të larta, janë shembuj të zbatimit të saj. Konkretisht:

• 411 gra dhe vajza ushtarake janë në FSK, përfshirë një gjeneralmajore, kolonele, nënkolonele dhe qindra nënoficere e ushtare.

• 1,504 police në Policinë e Kosovës, me dhjetëra sosh në pozita udhëheqëse dhe në njësi të specializuara, sikurse që janë NJSI e NJSO si dhe patrullat kufitare.

Në një kohë kur numri i luftërave dhe konflikteve edhe i autoritarizmave fatkeqësisht po rritet, e ku gratë shpesh herë janë të parat që goditen dhe të fundit që dëgjohen, Kosova rithekson se gratë nuk duhet të shihen si viktima të luftës, por aktore e faktore të paqes dhe të sigurisë.

Republika e Kosovës vazhdon të ecë përpara, pavarësisht valës globale të regresit të barazisë, ku të drejtat e grave dhe vajzave po kontestohen hapur në shumë vende të botës. Megjithë përparimin që kemi arritur si shtet e shoqëri, sfidat për barazinë gjinore vazhdojnë të jenë të pranishme dhe kërkojnë përkushtimin tonë të pandalshëm dhe për këtë jemi të vëmendshëm e të përkushtuar. Mes presioneve dhe polarizimeve politike, Republika e Kosovës nuk po e relativizon barazinë gjinore. Përkundrazi, po e trajton si thelb edhe të projektit të saj demokratik edhe të vlerës së barazisë shoqërore.

Të nderuara të pranishme,

Uroj që konferenca e sotme të shërbejë si platformë për bashkëpunim dhe të dalim me rekomandime të cilat më pas shndërrohen në politika konkrete.

Ju faleminderit për vëmendjen e pjesëmarrjen dhe iu dëshiroj diskutime të frytshme në këtë konferencë!

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors