Prishtinë, 5 qershor 2025
Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në ceremoninë e organizuar me rastin e 100-vjetorit të themelimit të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës.
Në fjalën e tij, kryeministri solli në kujtesë kronologjinë e themelimit të Institutit dhe punën tashmë një shekullore. Nga fillimi i qershorit të 1925, kur u themelua Shërbimi Higjieniko-Epidemiologjik në Pejë, në një kohë kur shqiptarët në Kosovë jetonin të shtypur në trojet e veta nën mbretërinë jugosllave, e deri te fillimi i qershorit të vitit 1999, kur u mposht e u përzu nga Kosova edhe Jugosllavia e fundit, ajo e treta, e regjimit të Millosheviqit, që solli edhe ringjalljen e jetës sonë në liri, me rifillim të punës së institucioneve shëndetësore, e ku rifilloi nga puna edhe Instituti, me emër e organizim të denjë.
“Këto vështirësi përgjatë historisë, nxorën nga Instituti jonë kuadro të shquara që vendosën themelet e shërbimeve të epidemiologjisë, mjekësisë sociale, mikrobiologjisë, ekologjisë humane, statistikave por edhe si profesorë që i ngritën brezat e ardhshëm.” u shpreh ai.
Kryeministri shtoi se me kalimin e viteve, Instituti ka luajtur rol kyç në parandalimin dhe kontrollin e sëmundjeve, promovimin e një stili jetese të shëndetshëm, uljen e pabarazive shëndetësore dhe sigurimin e qasjes në kujdesin shëndetësor cilësor për të gjithë, duke bërë hapa të rëndësishëm në përmirësimin e shëndetit dhe mirëqenies së popullatës sonë.
“Si Qeveri, e kemi dhe do të vazhdojmë ta kemi prioritet të investojmë në shëndetësi, ndër sektorë tjerë edhe në shëndetin publik, qoftë në infrastrukturë, si: ndërtimi dhe funksionalizimi i depos qendrore të vaksinave, renovimi i hapësirave laboratorike, e investimet në Qendrat Rajonale të Shëndetit Publik, pastaj rritjen e numrit të specializantëve në lëmitë e shëndetit publik, pajisje me aparatura moderne, si dhe ngritja e sistemit elektronik për grumbullim e analizë të të dhënave për sëmundje ngjitëse.” tha kryeministri Kurti, duke theksuar se investimet e vazhdueshme në infrastrukturën e shëndetit publik, hulumtimet, qasja ndër-institucionale e bashkëpunimi ndërkombëtar janë thelbësore.
Në vijim, ai vlerësoi rolin e Institutit edhe në përballjen me pandeminë e COVID-19 dhe rolin e saj si këshillues strategjik të Qeverisë e Ministrisë së Shëndetësisë, ku përmes fakteve shkencore, të dhënave e përpunimit të tyre ndihmon në vendimmarrje të bazuar në fakte, udhëzimin dhe hartimin e politikave shëndetësore për mirëqenien e qytetarëve, të bazuara në hulumtime.
“Instituti na shërben si urë lidhëse në mes të shkencës dhe politikave që i hartojmë në Ministri. Është ndërlidhja e dijes me përvojën, në shërbim edhe të qytetarëve edhe të këtyre dyjave: dijes shkencore dhe përvojës institucionale.” u shpreh kryeministri.
Ndërsa ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia tha se gjatë pandemisë COVID-19, kur e panjohura kërcënoi jetën dhe vetë funksionimin e sistemeve shëndetësore, IKSHPK qëndroi në vijën e parë, duke udhëhequr gjurmimin epidemiologjik, testimin, raportimin, edukimin dhe informimin e qytetarëve, dhe duke ndihmuar me të dhëna të sakta Ministrinë e Shëndetësisë në marrjen e vendimeve të vështira, por të drejta. “Me mbështetjen e vazhdueshme të Ministrisë së Shëndetësisë, ky institucion është forcuar në çdo drejtim: është ndërtuar një sistem i integruar digjital për mbikëqyrjen e sëmundjeve ngjitëse, është modernizuar zinxhiri i ftohtë për ruajtjen e vaksinave, dhe është zgjeruar kalendari i imunizimit, duke kaluar nga 10 në 13 vaksina, përfshirë vaksinën kundër HPV-së, si një hap konkret për mbrojtjen dhe fuqizimin e shëndetit të fëmijëve dhe të rinjve në Kosovë”, deklaroi ai.
Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:
I nderuari z. Arben Vitia, ministër i Shëndetësisë,
Zëvendësministër dr. Arsim Berisha,
Drejtor i ShSKUK-së Elvir Aziz,
E nderuara znj. Ardita Baraku, drejtore e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës,
E nderuara znj. Eugena Tumini, drejtore e Institutit të Shëndetit Publik të Shqipërisë,
I nderuari prorektor i Universitetit të Prishtinës, Dr. Naim Jerliu,
I nderuari dekan i Fakultetit të Mjekësisë, Dr. Sefedin Muqaj,
Të nderuar të pranishëm,
Zonja dhe zotërinj,
Jemi mbledhur këtu sot, për të shënuar përvjetorin jubilar, përvjetorin e 100-të të themelimit të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës.
Atëbotë, para plot një shekulli, në fillim të qershorit të vitit 1925, u themelua shërbimi higjieniko-epidemiologjik i Pejës, në një kohë kur shqiptarët në Kosovë jetonin të shtypur në trojet e veta nën mbretërinë jugosllave.
Historia na e përshkruan këtë periudhë shumë të vështirë për të gjithë popujt liridashës që jetonin nën zgjedhën e asaj monarkie diktatoriale e në veçanti për shqiptarët, të cilëve ju merrej toka, me reforma agrare, vriteshin, nën pretekstin e mbledhjes së armëve, e dëboheshin prej Shqipërisë drejt Turqisë, si shpopullim i vazhdueshëm.
Situata e atillë socio-ekonomike e shqiptarëve në Kosovë nën shtypjen politike, doemos ka pasur prapa vetes edhe faturën e saj shëndetësore e epidemiologjike.
Në fillim të qershorit të 1925, filantropi amerikan Rockefeller, i vuri themelet e Shërbimit Higjieniko-Epidemiologjik në Pejë.
Vetëm disa vite më parë, me ndihmën e Fondit Rockefeller e me punën shkencore-profesionale të pionierit të shëndetit publik, doktorin e shkencëtarin kroat, Andrija Shtampar, u themelua Instituti i mjekësisë sociale në kuadër të Fakultetit të Mjekësisë në Zagreb, ngjarje kjo e cila vuri themelet e disiplinës së shëndetit publik në nivel botëror.
Prej atëherë, puna e Institutit ka qenë me shumë vështirësi, përpjekje të mëdha e goditje të panumërta. I organizuar sipas situatës e mundësive, që përcillnin situatën e statusin e Kosovës, Instituti u përball me sukses me sfidat e kohës.
E sërish në fillim të qershorit, por kësaj radhe të vitit 1999, u mposht e u përzu nga Kosova edhe Jugosllavia e fundit, ajo e treta, e regjimit të Millosheviqit. E me ringjalljen e jetës sonë në liri, rifilloi puna e institucioneve shëndetësore, rifilloi nga puna edhe Instituti, me emër e organizim të denjë për një shtet, i cili për më pak se një dekadë do të bëhej i pavarur.
Këto paralele historike, të nderuar të pranishëm, na e ravijëzojnë qartë kush jemi, cilit qytetërim i përkasim dhe cili duhet të jetë orientimi ynë si shtet i pavarur e demokratik. Qytetaria e humanizmi, gjithëpërfshirja e mosdiskriminimi, vlera këto që burojnë nga drejtimi ynë perëndimor.
Këto vështirësi përgjatë historisë, nxorën nga Instituti jonë kuadro të shquara që vendosën themelet e shërbimeve të epidemiologjisë, mjekësisë sociale, mikrobiologjisë, ekologjisë humane, statistikave por edhe si profesorë që i ngritën brezat e ardhshëm.
Shëndeti publik është gurthemeli i një shoqërie në zhvillim. Ai përfshin jo vetëm parandalimin dhe kontrollin e sëmundjeve, por edhe promovimin e një stili jetese të shëndetshme, uljen e pabarazive shëndetësore dhe sigurimin e qasjes në kujdesin shëndetësor cilësor për të gjithë pa lënë asnjeri mbrapa. Me kalimin e viteve, ky Institut ka luajtur rol kyç në avancimin e këtyre objektivave, duke bërë hapa të rëndësishëm në përmirësimin e shëndetit dhe mirëqenies së popullatës sonë.
Sot, teksa reflektojmë për vitet e kaluara, ne shohim ndikimin e Institutit në mbrojtjen dhe përparimin e shëndetit të qytetarëve tonë, që nga çrrënjosja e eliminimi i disa sëmundjeve ngjitëse, ulja e përhapjes dhe përkeqësimit të sëmundjeve në përgjithësi dhe e vdekshmërisë, e deri të vetëdijësimi për shëndetin e sigurimi i ujit e ushqimit pa rrezik.
Sot, ne reflektojmë mbi arritjet dhe pengesat në shëndetin publik po ashtu. Fushatat e shëndetit publik jo vetëm që kanë rritur ndërgjegjësimin, por gjithashtu kanë përmirësuar drejtpërdrejt rezultatet shëndetësore dhe jetëgjatësinë e popullsisë.
Gjatë viteve të fundit, ne jemi përballur me një krizë të paprecedentë, një krizë që ka testuar qëndrueshmërinë tonë, sistemet tona të kujdesit shëndetësor dhe aftësinë tonë për t’u bashkuar si një komunitet. Edhe imunitetin e qytetarëve por edhe imunitetin e sistemit shëndetësor. Pandemia COVID-19 na sprovoi duke u përballë me të panjohurën dhe reagimi ndaj kësaj emergjence të shëndetit publik, na dëshmoi që ne treguam rezultate shumë të mira, përkundër një sistemi ende përgjithësisht të brishtë shëndetësor.
Me këtë rast dua të vlerësoj angazhimin e punonjësve të Institutit. Përkushtimi, njohuritë, pasioni dhe përpjekja juaj e palodhur kanë qenë padyshim forca shtytëse e suksesit tonë të përbashkët. Duke parë përpara, ne duhet të jemi vigjilentë sepse në njërën anë COVID-19 nuk është zhdukur, e në anën tjetër duhet të jemi të përgatitur për emergjenca të reja, të tjera, të ardhshme.
Investimet e vazhdueshme në infrastrukturën e shëndetit publik, hulumtimet, qasja ndër-institucionale e bashkëpunimi ndërkombëtar janë thelbësore.
Si Qeveri, e kemi dhe do të vazhdojmë ta kemi prioritet të investojmë në shëndetësi, ndër sektorë tjerë edhe në shëndetin publik, qoftë në infrastrukturë, si: ndërtimi dhe funksionalizimi i depos qendrore të vaksinave, renovimi i hapësirave laboratorike, e investimet në Qendrat Rajonale të Shëndetit Publik, pastaj rritjen e numrit të specializantëve në lëmitë e shëndetit publik, pajisje me aparatura moderne, si dhe ngritja e sistemit elektronik për grumbullim e analizë të të dhënave për sëmundje ngjitëse.
Është një tregim suksesi i njohur në regjion e në botë, një bashkëpunim ndërsektorial, me Institutin – agjencionin e Ministrisë së Shëndetësisë në ballë të frontit: përballja e Kosovës me pandeminë Covid-19 si dhe organizimi i vaksinimit masiv.
Në vitin 2021, në afat rekord, me kontraktim të drejtpërdrejtë me prodhuesin, kontraktuam vetë sasinë e nevojshme të vaksinave. Planifikuam dhe organizuam një proces plotësisht të digjitalizuar të vaksinimit, i cili dha rezultate të menjëhershme dhe vuri bazën e mbrojtjes së shëndetit të popullit.
Aplikuam data-science dhe vendimmarrje të bazuar në evidencë, për të aplikuar masat e duhura. Siç e dimë të gjithë, më mirë ju se askush tjetër, ia dolëm së bashku. Suksesin tonë e njohu bota, e jetuan dhe e përjetuan qytetarët tanë.
Edhe pas kësaj emergjence të shëndetit publik, pesëfishuam buxhetin për vaksina, duke përditësuar kalendarin e rregullt të vaksinimit me shtimin e tre vaksinave te reja: kundër pneumokokut (PCV), Rotavirusit dhe Human Papilloma Virusit.
Ndërsa festojmë këtë moment historik, një shekullor, është gjithashtu një kohë për të parë përpara për të ardhmen. Sfidat në shëndetin publik janë gjithnjë në zhvillim dhe ne duhet të mbetemi edhe të adaptueshëm edhe inovativ.
IKShPK-ja, nëpërmjet ministrisë i shërben Qeverisë dhe Republikës si këshillues strategjik, ku përmes fakteve shkencore, të dhënave e përpunimit të tyre ndihmon në vendimmarrje të bazuar në fakte, udhëzimin dhe hartimin e politikave shëndetësore për mirëqenien e qytetarëve, të bazuara në hulumtime e jo në të dhëna empirike partikulare apo ndoshta edhe gojëdhëna anekdotike.
Në veçanti, IKShPK-ja është inteligjencë shëndetësore, diçka që bëhet edhe më e rëndësishme në aktualitetin që po e jetojmë.
Pra, Instituti na shërben si urë lidhëse në mes të shkencës dhe politikave që i hartojmë në Ministri. Është ndërlidhja e dijes me përvojën, në shërbim edhe të qytetarëve edhe të këtyre dyjave: dijes shkencore dhe përvojës institucionale.
Bashkëpunimi me vendet tjera, asocimi dhe anëtarësimi në institucionet ndërkombëtare shëndetësore i IKShPK-së, është shumë i rëndësishëm, me qëllim jo vetëm të shkëmbimit të përvojave, por edhe të sigurohemi që jemi në përputhje me standardet më të larta ndërkombëtare. Instituti ynë bashkëpunon me sukses me institucione homologe në shtete tjera, organizata rajonale e globale si ECDC, CDC, OBSh-në e agjencitë tjera të OKB-së në Kosovë, e të tjera.
IKShPK-ja është vazhdimësi e një tradite për t’u pasur lakmi dhe kujtesë institucionale e ndërtuar nga profesionistë të vyer. IKShPK-ja nuk është administratë burokratike. IKShPK-ja është shkenca dhe akademia jonë në fushën e shëndetësisë publike.
Në mbyllje, dëshiroj të shpreh urimet e mia të përzemërta për të gjithë në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike. Arritjet tuaja ndër vite janë vërtet të lavdërueshme dhe Qeveria do të mbetet e përkushtuar që të investojë e së bashku të vazhdojmë të bëjmë hapa të rëndësishëm në avancimin dhe përmirësimin e shëndetit publik për të gjithë.
Ju faleminderit e urime!


















