Rastet e infektimit me bakterin E-coli në Evropën Qendrore

Prishtinë, 31 maj 2011

Lidhur me paraqitjen e rasteve të infektimit me bakterin E-coli në Evropën Qendrore, kabineti i Zëvendës Kryeministrit Bujar Bukoshi  lëshon këtë komunikatë:

Në Kosovë nuk ka raste të infektimit të ushqimit me bakterin E-coli dhe të gjitha produktet e testuara në Kosovë kanë rezultuar të sigurta.

Rastet e infektimeve që po përhapen me shpejtësi në Evropën Qendrore janë serioze dhe Qeveria ka ndërmarrë masa për ruajtjen e shëndetit publik.

Agjencia e Veterinës dhe Ushqimit  (AVU) ka ngritur nivelin e kontrollit të produkteve ushqimore me origjinë bimore që importohen nga zonat e prekura.

AVU, Doganat dhe Policia e Kosovës përmes mekanizmave për menaxhim të integruar të kufirit po vepron me mbikëqyrje të shtuar të hyrjes së produkteve ushqimore me origjinë bimore në Kosovë.

Fatmirësisht, import të ushqimit nga zonat që konsiderohen me rrezik, për momentin nuk ka.

Është njoftuar edhe Instituti i Shëndetit Publik dhe janë vënë në veprim planet për të trajtuar rastet e mundshme dhe parandaluar përhapjen në rast të rrezikut. Ky rrezik për momentin konsiderohet i ulët. Epidemitë në të kaluarën dhe bashkëpunimi i ngushtë me organizata botërore për shëndet publik kanë krijuar kapacitet për tu përballë me sukses edhe me këtë rrezik.

Institucionet e Kosovës janë në kontakt me autoritet përkatëse në Unionin  Evropian dhe në vendet në rajon. Në çdo rast, institucionet e Kosovës do të veprojnë shpejtë dhe me vendosmëri konform masave të rekomanduara.

Rekomandimet nga institucionet evropiane për shëndet publik janë kujdesi i lartë për higjienën gjatë përgatitjes dhe konsumit të ushqimit. Pastrimi i duarve, sidomos para përgatitjes dhe ngrënies së ushqimit janë mbrojtje efektive nga infektimi.

Ditëve në vijim, mekanizmat për inspektimin e tregut do të ndërmarrin aksione për të siguruar zbatimin e plotë të ligjeve për mbrojtjen e shëndetit publik. Kërkohet nga komuniteti i biznesit dhe qytetarët të na ndihmojnë në mbrojtjen e shëndetit të përgjithshëm duke ushtruar kujdesin e zakonshëm për higjienën.

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors