Prishtinë, 5 nëntor 2014
Nën drejtimin e kryeministrit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, u mbajt mbledhja e Qeverisë së Kosovës, në të cilën u morën vendime nga përgjegjësitë e saja kushtetuese dhe ligjore.
Pika e parë që mori aprovimin e kabinetit qeveritar ishte Vendimi për kursimin dhe ndarjen e mjeteve financiare, në shumë prej 26,164,917 euro, në pajtim me Ligjin për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2014, që ka të bëjë me organizatat buxhetore, ndarjen e mjeteve financiare buxhetore, rregullimet e brendshme si dhe transferet në mes të organizatave buxhetore për vitin 2014 me qëllim të ngritjes së efikasitetit në ekzekutimin e buxhetit dhe përmbylljes së vitit fiskal 2014.
Mjetet e ndara janë si vijon: 21,000,000 euro, kalojnë në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, për mbulimin e vendimit për rritje të pensioneve; për Universitetin e Prishtinës janë ndarë 2,354,917 euro për paga; shuma prej 2,000,000 euro për shpenzimet e parashikuara, kategoria ekonomike – rezervat, në Ministrinë e Administratës Publike shuma prej 1, 425,996 euro për të mbuluar obligimet për licenca, si dhe rregullimet për Ministrinë e Bujqësisë 3,500,000 euro për të mbuluar obligimet ndaj bujqve për subvencionim. Në tërësi të gjitha këto rregullime, ndarje të reja, rregullime të brendshme, përfshijnë shumën prej 31,240,913 euro.
Qeveria e Kosovës në mbledhjen e sotme mori vendim për themelimin e Këshillit Organizativ dhe ndarjen e mjeteve financiare në vlerë 50.000.00 euro (pesëdhjetë mijë euro), për Ceremoninë e rivarrimit të eshtrave të Heroit Kombëtar Isa Boletini, e cila do të organizohet më 28 nëntor 2014 nën patronatin e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi.
Këshilli do të ketë këtë përbërje:
1.1. Ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Kryesues
1.2. Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Zv.Kryesues
1.3. Përfaqësuesi i Zyrës së Kryeministrit, anëtar
1.4. Përfaqësuesi i Ministrisë së Punëve të Jashtme- Protokollit të Shtetit, anëtar
1.5. Përfaqësuesi i Ministrisë së Punëve të Brendshme- Policisë së Kosovës, anëtar
1.6. Përfaqësuesi i Komunës së Mitrovicës, anëtar
1.7. Përfaqësuesi i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, anëtar
1.8. Përfaqësuesi i Institutit të Historisë, anëtar
1.9. Përfaqësuesi i Familjes së Isë Boletinit, anëtar
Kabineti qeveritar mori vendim për emërimin e Emrush Thaçi në pozitën e Drejtorit të Përgjithshëm të Shërbimit Korrektues të Kosovës.
Qeveria e Kosovës aprovoi vendimin për ndarjen e mjeteve financiare prej 200 mijë euro, për pajisjen me inventar të objektit të ri, sallave të gjykimit të Pallatit të Drejtësisë.
