Qeveria e Republikës së Kosovës miraton pakon e projektligjeve që dalin nga procesi i liberalizimit të vizave


Image


Image

Prishtinë, 9 korrik 2013

E drejtuar nga kryeministri Hashim Thaçi, Qeveria e Republikës së Kosovës ka zhvilluar mbledhjen e saj të rregullt në të cilën ka aprovuar projektligjet që dalin nga pakoja e Udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave, si dhe vendime tjera nga fushat e saja të përgjegjësive kushtetuese dhe ligjore.

Në vazhdim po e japim të plotë fjalën e hapjes së mbledhjes së qeverisë, mbajtur nga Kryeministri Hashim Thaçi:

Më lejoni që në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, të theksoj se Këshilli Veriatlantik i NATO-s ka deklaruar se Forca e Sigurisë së Kosovës ka arritur kapacitete e plota operacionale dhe është plotësisht e aftë për kryerjen e detyrave të caktuara përbrenda mandatit të saj, sipas standardit të përcaktuar nga NATO.

Në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës i përgëzoj të gjithë pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës për arritjen e këtij hapi jashtëzakonisht të rëndësishëm për shtetin tonë.

Gjithashtu, shfrytëzoj rastin që në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, të falënderoj ushtarët e KFOR-it për tërë atë që kanë bërë për të ndihmuar në ndërtimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës.

KFOR-i do të vazhdoj të jetë i pranishëm në Kosovë, siç u theksua edhe në takimin e fundit që kam zhvilluar me sekretarin e përgjithshëm Rasmussen ditë më parë,  për të siguruar një mjedis të sigurt dhe të qetë për të gjithë qytetarët që jetojnë në Kosovë, gjë të cilën Qeveria e Republikës së Kosovës e çmon jashtëzakonisht shumë.

Misioni i Forcës së Sigurisë së Kosovës mbetet i njëjtë, ashtu siç ka qenë deri më tani, për të kryer operacione të mbrojtjes civile dhe për të ndihmuar autoritetet civile në përgjigje ndaj katastrofave natyrore dhe emergjencave tjera.  

Qeveria  e Republikës së Kosovës gjithashtu përshëndet dhe  falënderon NATO-n për përkushtimin e saj, dhe më tutje që do të vazhdoj të ofroj mbështetje dhe këshilla përmes ekipit këshillëdhënës ndërlidhës të NATO-s , të cilët do të jenë të pranishëm edhe më tutje në FSK, me qëllim që FSK të përmbush vizionin e NATO-s, për një rajon të integruar në strukturat euroatlantike.

Pra, vendimi i sotëm është jashtëzakonisht i rëndësishëm për ne, është një kapitull i ri për zhvillimin e FSK-së, sepse Kosova ndan vizionin e NATO-s për një të ardhme ku Ballkani perëndimor është i integruar në strukturat euroatlantike. Pra, është kapitulli i avancimit të FSK-së.  

Gjithashtu, dua të theksoj se Forca e Sigurisë së Kosovës është një forcë që është ndërtuar nga zeroja, duke i përmbushur standardet më të larta të NATO-s, dhe  duke bashkëpunuar ngushtë me ekipin e NATO-s në kuadër të FSK-së.  

Prandaj, shfrytëzoj rastin të ftoj pjesëtarët e të gjitha komuniteteve në Kosovë të marrin në konsideratë regjistrimin në Forcën e Sigurisë së Kosovës, për të siguruar se ajo vazhdon të bëhet forcë e vërtetë multietnike dhe përfaqësuese e të gjithë atyre që jetojnë në Kosovë.

Ne jemi duke ndërtuar institucionet tona të sigurisë, për të na dhënë neve një kapacitet që e bëjnë Kosovën një sukses të përbashkët vendor dhe ndërkombëtar.

Suksesi ynë është edhe i sukses i NATO-s, sepse ky sukses do të ndihmonte edhe NATO-n të përmbushte vizionin e së ardhmes euroatlantike për Ballkanin perëndimor.

Pra, edhe njëherë, ju uroj juve si kabinet qeveritar, gjithë qytetarët e Kosovës, për këtë sukses të ri të Kosovës, në procesin e konsolidimit dhe forcimit të shtetit tonë.

Në të njëjtën kohë, më lejoni gjithashtu të shtoj se dje në Bruksel është zhvilluar takimi tjetër i radhës, në mes të meje dhe kryeministrit të Serbisë, z. Daçiq, sa i përket dy çështjeve të rëndësishme për procesin normalizimit të marrëdhënieve në mes të shtetit të Kosovës dhe Serbisë, sa i përket telekomunikacionit dhe energjisë.

Mund të them se lirisht se gjërat e diskutuara dje janë përafruar maksimalisht.  Kanë mbetur  që disa elemente në të dy tekstet të marrëveshjeve të plotësohen, apo diçka edhe të evitohet.

Sot baronesha Ashton do ta vizitojë Beogradin dhe nesër paradite Prishtinën, dhe shpresoj se në ditët e ardhshme do të kemi dakordimin e të dy qeverive sa i përket marrëveshjes së telekomunikacionit dhe energjisë” tha në fund të fjalës së tij hyrëse kryeministri Thaçi.

******************

Mbledhja e Qeverisë së Republikës së Kosovës ka vazhduar me miratimin e pakos së projektligjeve që dalin nga Udhërrëfyesi për liberalizimin e vizave janë përfshirë komentet dhe sugjerimet e Komisionit Evropian dha janë një nga kushtet të cilat Qeveria e Kosovës duhet t’i plotësojë në kuadër të procesit të liberalizimit të vizave. Në mbledhje janë miratuar këto projektligje:

–          Projektligji për të huajt i cili rregullon kushtet e hyrjes, lëvizjes, qëndrimit dhe punësimit të të huajve në territorin e Republikës së Kosovës.

–          Projektligji për azil i cili rregullon kushtet dhe procedurat për njohjen e statusit të refugjatit, mbrojtjes plotësuese, mbrojtjes së përkohshme, statusin, të drejtat dhe detyrimet e azilkërkuesve, personave me status refugjati, si dhe  personave të cilëve iu është lejuar mbrojtja plotësuese dhe mbrojtja e përkohshme.

–          Projektligji për shtetësinë e Kosovës, i cili përcaktohen mënyrat e fitimit, humbjes dhe  rifitimit të shtetësisë së Republikës së Kosovës dhe rregullohen çështje të tjera të ndërlidhura me shtetësinë e Republikës së Kosovës.

        – Projektligji për parandalimin dhe luftimin e trafikimit me njerëz dhe mbrojtjen e viktimave të trafikimit, i cili përcakton dispozitat juridike, përmes të cilave, autoriteteve kompetente vendore iu jepen të drejta, obligime dhe përgjegjësi, për:

-parandalimin dhe luftimin trafikimit me njerëz në të gjitha format e tij;

-mbrojtjen e viktimave të trafikuara, përfshirë sigurimin e të drejtave, si ndihmë juridike, ndihmë mjekësore, mbështetje  psiko-sociale, sigurimi i kompensimit dhe të drejtave të tjera, për të gjithë personat që supozohen të jenë ose që identifikohen si të trafikuar, pavarësisht gjinisë, moshës, gjendjes martesore, gjuhës, paaftësisë fizike apo mendore, orientimit seksual, kombit, mendimit apo bindjes politike, religjionit apo besimit, përkatësisë etnike apo sociale racës, pronës, lindjes ose statuseve tjera, përmes një qasje te bazuar ne të drejtat e njeriut, në përputhje të plotë me instrumentet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut dhe standardeve.

-bashkëpunimin kombëtar dhe ndërkombëtar me qëllim të parandalimit dhe luftimit të trafikimi më njerëz, dhe sigurimit të ndihmës dhe mbrojtjes së viktimave të trafikuara.

–          Projektligji për bashkëpunim  ndërmjet autoriteteve të përfshira në  menaxhimin e integruar të kufirit.

Qëllimi i këtij ligji është rregullimi i bashkëpunimit ndërmjet të gjitha autoriteteve që janë të përfshira në Menaxhimin e Integruar të Kufirit dhe zbatimi i strategjive të përbashkëta të këtyre autoriteteve, në mënyrë që detyrat e parapara për këto autoritete dhe masat individuale që kanë të bëjnë me parandalimin, zbulimin dhe hetimin e aktiviteteve të kundërligjshme penale, kontrollin,  monitorimin dhe bashkëpunimin përkatës ndërkombëtar, të përmbushen në mënyrë të duhur, efikase dhe efektive.

–          Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për kontrollin dhe mbikëqyrjen e kufirit shtetëror, si dhe Projekt ligji për plotësimin dhe ndryshimin e ligjit për financimin e subjekteve politike.

Kabineti qeveritar ka miratuar  edhe vendimin për fillimin e procedurave për anëtarësimin e Republikës së Kosovës në organizatën “Open Government Partnership” (OGP).

Vendimi ngarkon Ministrinë e Integrimeve Evropiane që të krijoj një Grup Koordinues i punës për procesin e anëtarësimit në OGP.

Qeveria e Kosovës me anë të këtij vendimi obligohet që të zbatojë të gjitha obligimet që dalin gjatë procesit dhe pas anëtarësimit të Republikës së Kosovës në OGP. 

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors