Prishtinë, 6 korrik 2011
Qeveria e Republikës së Kosovës, nën drejtimin e kryeministrit Hashim Thaçi, ka zhvilluar mbledhjen e vet të rregullt në të cilën ka miratuar një varg projektligjesh dhe vendimesh nga fusha e vetë e përgjegjësive kushtetuese dhe ligjore.
Në hapje të mbledhjes së kabinetit qeveritar, kryeministri Hashim Thaçi ka përshëndetur thirrjen që Konferenca e Vendeve Islamike, që në përputhje me vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, vendet anëtare të kësaj konference ta njohin pavarësinë e Kosovës.
“Organizata e Konferencës Islamike ka 57 shtete anekënd botës dhe një numër i tyre e ka njohur pavarësinë e Kosovës, andaj besojmë që ftesa e aprovuar nga Organizata e Konferencës Islamike do të përshpejtohet njohja e pavarësisë së Kosovës edhe nga vendet tjera anëtare të kësaj organizate. Besojmë gjithashtu se kjo do të ndikojë edhe në rritjen e njohjeve nga të gjitha ato shtete që janë në proces të shqyrtimit të njohjes së pavarësisë së Kosovës”, ka thënë kryeministri Thaçi në fjalën e tij të hapjes së mbledhjes së sotme të Qeverisë.
Kryeministri Thaçi gjithashtu ka njohur kabinetin qeveritar, se Kosova tashmë ka siguruar votat e mjaftueshme për anëtarësim në Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim. Institucionet tona tashmë kanë proceduar kërkesën për fillimin e procedurave për anëtarësim në këtë institucion të rëndësishëm financiar.
Qeveria e Republikës së Kosovës në mbledhjen e sotme ka aprovuar edhe pesë projektligje që rregullojnë fusha të ndryshme të jetës në Kosovë. Janë aprovuar këto projektligje:
1. Projektligji për Mbrojtjen e Informatorëve;
2. Projektligji për Zjarrfikëje dhe Shpëtim;
3. Projektligji për Tregti me Jashtë;
4. Projektligji për Masat Mbrojtëse në Importe; dhe
5. Projektligjin për Partneritet Publiko-Privat.
Kabineti qeveritar ka aprovuar vendimin për miratimin e Nismës për Rishikimin Strategjik të Shpenzimeve si dhe vendimin për Kornizën e politikave për zhvendosjen nga zona e fushës së re të mihjes që do të rezultojë me zgjerimin e sipërfaqeve të mihjeve për eksploatimin e linjitit për termoelektranën “Kosova e Re”
Pas informatës për procesin e zgjedhjes së sekretarëve të përgjithshëm, Qeveria e Kosovës ka aprovuar vendimin për emërimin e Nagip Skënderit për sekretar të përgjithshëm në Ministrin e Punëve të Jashtme dhe Arben Çitakut për sekretar të përgjithshëm në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.