Prishtinë, 23 mars 2016
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, vizitoi sot Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, ku u njoftua nga ministrja Hykmete Bajrami për agjendën e MTI-së, për realizimin me sukses të projekteve në kuadër të planit për zbatimin e MSA-së, si dhe për koordinimin e projekteve që kanë të bëjnë me zhvillimin ekonomik.
Gjatë vizitës, kryeministri Mustafa u shoqërua nga ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi.
Kryeministri Mustafa vlerësoi punën e mirë që ka bërë MTI-ja dhe theksoi mbështetjen e Qeverisë në realizimin e objektivave themelore për zhvillimin ekonomik, tërheqjen e investimeve, ngjalljen e investimeve të brendshme dhe krijimin e vendeve të punës, në kuadër të realizimit të agjendës dhe programit qeverisës.
Kryeministri Mustafa veçoi realizimin e projektit të Brezovicës dhe përgatitjet që po bënë Ministria për Zonat Industriale dhe perspektivën që krijojnë këto zona në regjione të ndryshme të Kosovës.
“Kjo Ministri ka bërë punë shumë të mirë dhe ka një agjendë shumë të qartë të punëve. Ka realizuar gjatë vitit të kaluar dhe gjatë kësaj periudhe shumë objektiva dhe po ashtu tani jemi në një gjendje shumë më të qartë, më të lehtë, në mënyrë që të punojmë më shumë sa i përket implementimit të Marrëveshjes për Stabilizim Asociim, e cila hyn në fuqi në muajin e ardhshëm. Të jemi më aktiv sa i përket bashkëpunimit me investitorët potencialë të jashtëm që mund të vijnë në Kosovë. Të sqarojmë të gjitha relacionet, të gjitha marrëdhëniet me CEFTA-n, në mënyrë që të realizojmë vendin tonë që kemi në CEFTA dhe të bëjmë përpjekje të përbashkëta që të realizojmë projektin e Brezovicës, i cili në pikëpamje përgatitore është i afatizuar deri në fund të muajit maj”, tha kryeministri Mustafa.
Kryeministri po ashtu ka thënë se Ministria ka bërë punë shumë të mirë edhe sa i përket përgatitjes së Zonave Industriale dhe të perspektivës për zhvillimin e Zonave Industriale në regjione, përkatësisht në komuna tjera, duke shprehur përkrahjen e Qeverisë edhe sa i përket sigurimit të burimeve të financimit.
“Për ne është më rëndësi edhe efiçienca e shfrytëzimit të këtyre burimeve ku ato japin rezultate më shumë, përkundër asaj që kemi nevojë që atë ta bëjmë në të gjitha fushat”, tha kryeministri Mustafa.
Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, tha se gjatë takimit është biseduar për koordinimin e projekteve që bënë MTI-ja që shkojnë në funksion të zhvillimit ekonomik të Republikës së Kosovës.
“Theksuam një sërë projektesh të cilat kemi arritur t’i realizojmë me sukses vitin e kaluar dhe projektet të cilat i kemi planifikuar dhe po i zbatojmë gjatë këtij viti. Natyrisht se kemi si prioritet zbatimin e planit nacional për zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit e cila pritet të filloj së implementuari më 1 prill të këtij viti”, tha ministrja.
Ministrja e MTI-së, po ashtu, tha se ëshët biseduar për Këshillin Kombëtar për Zhvillim Ekonomik dhe mirëfunksionimin e katër grupeve punuese.
“Biseduam gjithashtu për projektin e granteve, 36 ndërmarrje të cilat kanë përfituar vitin e kaluar dhe për fazën e dytë të këtij projekti që po bisedohet me zyrën e BE-së, për projektin për certifikim të produkteve për standarde të cilësisë, për punën e mirë që ka bërë Inspektorati i Tregut dhe Metrologjia duke licencuar pjesën më të madhe të pikave të karburantit dhe duke bërë kalibrimin e të gjitha atyre”, tha ministrja.
Ministrja Hykmete Bajrami tha se në kuadër të planit për zbatimin e MSA-së ka projekte të cilat po i zbatohen me sukses.
“Po punojmë në përmirësimin e ambientit të biznesit. Jemi në dialog të vazhdueshëm me të gjitha ndërmarrjet e mesme, të vogla dhe të mëdha në Kosovë. Kemi edhe orë të hapura ku po i informojmë bizneset për të mirat që sjellë Marrëveshja e Stabilizim Asociimit dhe kemi gjithashtu një orar të konferencave, panaireve ndërkombëtare, panaireve që do të bëhen brenda vendit me të cilat po i njoftojmë bizneset”, tha ministrja Bajrami.
Ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, vlerësoi punën e bërë deri tani nga MTI-ja në veçanti për projektet që do të jenë në të ardhmen.
“U fokusuam në veçanti në bazën e infrastrukturës ligjore që do ta bëjë Ministria dhe e ka bërë deri më tani, në veçanti për Ligjin për Investime Strategjike që do ta ketë një qasje edhe sa i përket krijimit të konkurrencës për bizneset në Kosovë, por edhe mundësitë për një ambient më të mirë për investitorët e huaj. Ministrja e ka gjithë mbështetjen e Qeverisë por edhe të partnerëve të koalicionit, besoj edhe në Kuvendin e Kosovës për të realizuar projektet e saj që janë jashtëzakonisht ambicioze”, tha ministri Kuçi.