Prishtinë, 29 prill 2015
E drejtuar nga kryeministri Isa Mustafa, Qeveria e Republikës së Kosovës ka zhvilluar mbledhjen e rregullt në të cilën ka miratuar projektligje dhe vendime të përgjegjësive të saj kushtetuese dhe ligjore.
Vendimi i parë i mbledhjes së sotme të Qeverisë së Kosovës, ishte miratimi i Projektligjit për plotësimin dhe ndryshimin e ligjit për patenta, i cili harmonizon këtë legjislacion me direktivat e Bashkimit Evropian dhe funksionalizon edhe më shumë zbatueshmerinë e këtij ligji.
Qeveria e Republikës së Kosovës ka aprovuar edhe Projektligjin për Akademinë e Arteve dhe Shkencës të Kosovës, i cili ndryshon ligjin e vjetër për këtë institucion të rëndësishëm të shkencës dhe kulturës në Republikën e Kosovës.
Kabineti qeveritar ka emëruar në pozitën e drejtorit të përgjithshëm të agjencisë për investime dhe përkrahjen e ndërmarrjeve në Republikën e Kosovës, z. Besian Mustafa.
Me një vendim të aprovuar sot nga Qeveria, i është rekomanduar presidentes së Republikës së Kosovës që të autorizojë ministrin e Zhvillimit Ekonomik që të nënshkruaj marrëveshje me Qeverinë e Dukatës së Madhe të Luksemburgut për mbështetjen institucionale dhe teknike për sistemin e furnizimit me ujë në regjionin e Mitrovicës. Qeveria ka miratuar edhe nismën e nënshkrimit të marrëveshjes dypalëshe me Qeverinë e Dukatës së Madhe të Luksemburgut për bashkëpunim në projektin për mbështetjen e shëndetësisë në Kosovë, Faza II. Projekti synon përmirësimin e cilësisë së shërbimeve shëndetësore në Kosovë.
Me një vendim të miratuar sot nga Qeveria e Kosovës, është bërë plotësimi dhe ndryshimi i vendimit për themelimin e Këshillit Ndërministror për Kontrollin e Duhanit. Këshilli do të ketë këtë përbërje:
1. Ministri i Shëndetësisë, kryesues;
2. Ministria e Financave, anëtar;
3. Ministria e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë, anëtar;
4. Ministria e Punëve të Brendshme, anëtar;
5. Ministria e Drejtësisë, anëtar;
6. Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, anëtar;
7. Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, anëtar;
8. Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, anëtar;
9. Ministria e Infrastrukturës, anëtar;
10. Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, anëtar;
11. Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik, anëtar;
12. Përfaqësues i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, anëtar;
13. Përfaqësues i Qendrës Kosovare për Avokim dhe Zhvillim;
14. Përfaqësues i Asociacionit për të Drejtat e Pacientëve;
15. Përfaqësues i Organizatës “Konsumatori”;
16. Përfaqësues nga Mjetet e Informimit Publik;
17. Koordinatori Nacional për Kontrollin e Duhanit.
Është plotësuar dhe ndryshuar edhe vendimi për themelimin e Këshillit Ndërministror për luftimin dhe parandalimin e Etheve Hemorragjike Krime Kongo në Kosovë, në këtë përbërje:
1. Ministria e Shëndetësisë, ministri, kryesues;
2. Përfaqësues nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik, anëtar;
3. Përfaqësues nga Qendra Klinike Universitare e Kosovës – Klinika Infektive, anëtar;
4. Përfaqësues nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, anëtar;
5. Përfaqësues nga Agjencioni i Ushqimit dhe Veterinës, anëtar;
6. Përfaqësues nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, anëtar;
7. Përfaqësues nga Ministria e Punëve të Brendshme, anëtar;
8. Përfaqësues nga Ministria e Financave, anëtar;
9. Përfaqësues nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, anëtar;
10. Përfaqësues nga Ministria e Forcës së Sigurisë, anëtar.
Në mbledhje është miratuar Korniza Afatmesme e Shpenzimeve 2016-2018, që do të procedohet në Kuvendin e Kosovës për miratim. Edhe raporti vjetor i funksionimit të sistemit të Kontrollit të Brendshëm të Financave Publike në Sektorin Publik të Kosovës ka marrë miratimin e kabinetit qeveritar në mbledhjen e sotme.
Qeveria sot ka aprovuar edhe Raportin Tremujor të Buxhetit për vitin 2015, dhe të njëjtin do ta procedoj në Kuvendin e Kosovës. Sipas Raportit, te pagesat në kategorinë ekonomike mallra dhe shërbime është shënuar një kursim prej 13 për qind për shkak të masave që janë ndërmarrë, duke mos e cenuar në asnjë rast cilësinë e shërbimeve publike që ofrohen.
Qeveria në mbledhjen e sotme ka miratuar Programin e Borxhit Shtetëror për vitet 2016-2018 dhe të njëjtin do të ja përcjell për njoftim edhe Kuvendit të Republikës së Kosovës.
Në mbledhje janë miratuar dy vendime përfundimtare për shpronësime për interes publik të pronave që preken nga ndërtimi i Linjës Energjetike Kosovë-Shqipëri, dhe pronat që preken nga ndërtimi i segmenteve rrugore që lidhin autostradën Vërmicë-Merdare dhe Prishtinë-Hani i Elezit. Ndërsa kanë marr miratimin edhe dy vendime për shqyrtim të mëtejmë për shpronësimin e pronave që preken nga ndërtimi i objekteve për nevoja të Qeverisë së Republikës së Kosovës në Prishtinë dhe të Fabrikës së riciklimit dhe përpunimit të nënprodukteve shtazore në Sankoc të Gllogovcit.
Qeveria ka miratuar vendimin për ndarjen e 210,677 euro për Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës. Këto mjete do të barten në kategorinë ekonomike paga dhe mëditje, programin për prokurorët special të Prokurorisë së Shtetit.
Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami dhe ministri i Financave, Avdullah Hoti kanë njoftuar kabinetin qeveritar për përmbushjen e obligimeve për sigurimin e pagesës së përvojës së punës për punëtorët e arsimit para universitar, duke siguruar se pagesat do të kryhen sipas vendimit të Qeverisë dhe se arsyet për grevën e paralajmëruar të punëtorëve të arsimit nuk ekzistojnë.
Kryeministri Isa Mustafa, duke folur për përmbushjen e të gjitha detyrimeve sa i përket punonjësve të arsimit, u shpreh se për arsimin është bërë më shumë sesa që është bërë për shërbyesit civilë dhe punonjësit tjerë, të cilët financohen nga Buxheti i Kosovës.
“Kështu që nuk ka asnjë arsye të mos mbahet mësimi. Një gjë është e qartë, se shkollat ne nuk i kemi për të paguar pagat për arsimtarët, shkollat ekzistojnë për t’iu dhënë mësim fëmijëve tanë. Ai është funksioni themelor i shkollës, që të sigurohet mësimi për fëmijë dhe jo që dikush të marr pagë dhe të mos punojë dhe të mos mbajë mësim. Duhet të gjithë ne të kemi përgjegjësi dhe për këtë duhet të kenë përgjegjësi edhe punonjësit e arsimit dhe organizatorët e grevës, sepse nuk mundet askush që të marrë pagë, ndërkaq mos ta bëjë punën për të cilën e merr pagën. E them publikisht se ne kemi bërë më shumë se që kemi potencial buxhetor, sepse buxheti, siç u informuam edhe nga ministri i Financave, nuk është në gjendje të mirë sa i përket kapacitetit për të përmbushur të gjitha obligimet, përkatësisht të gjitha të dalat që ne i kemi planifikuar me buxhet dhe ato që nuk i kemi të planifikuara. Nga fakti se ne kemi pasur investime, në periudhën e kaluar ne kemi pasur edhe shpronësime, të cilat edhe janë përcjellë kët
ë vit që të përmbushen detyrimet, domethënë kemi 160 milionë obligime, të cilat edhe nuk i kemi të parapara si shpenzime buxhetore, por të cilat duhet t’i përmbushim me çdo kusht. Në këtë aspekt unë konsideroj se individë të caktuar, pa marrë parasysh se a i takojnë sindikatës apo jo, duhet të jenë të përgjegjshëm sa i përket shkollës, sa i përket arsimit, sepse çdonjëri duhet ta merr përgjegjësinë se është fëmija në rrugë apo është në shkollë. Ne e kemi përgjegjësinë dhe ne iu sigurojmë pagat që fëmijët tanë me qenë në shkollë, që arsimtarët tanë të japin mësim dhe të kryejnë detyrimet e tyre, ndërkaq, në qoftë se dikush këtë e bën për arsye politike ose arsye tjera dhe teke tjera, ai nuk mund të ketë përgjegjësinë që të merr vendime lidhur me shkollën, të merr vendime lidhur me fëmijët, sepse askush nuk guxon që të merr vendim që fëmija mos të jetë në shkollë, por të mbetet në rrugë. Ne si qeveri nuk do të përkrahim sjellje dhe vendime të tilla dhe nuk do të përkrahim individë në sindikata të tilla.
Kryeministri Isa Mustafa ka njoftuar kabinetin qeveritar edhe me vizitën e ministrit të Jashtëm të Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier, në të cilën është shprehur përkrahja e plotë për masat dhe reformave të cilat po i merr Qeveria e Republikës së Kosovës. “Poashtu edhe në aspektin e zhvillimit ekonomik dhe të integrimeve evropiane dhe të përmbushjes së detyrimeve karshi komunitetit ndërkombëtar dhe masave të cilat janë marrë në zvogëlimin, përkatësisht në ndaljen e migrimit, që mendoj se është rezultat i punës së çdo ministrie dhe çdo sektori në Qeverinë e Kosovës. Është kërkuar që ne të punojmë më shumë në forcimin e shtetit ligjor, në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si parakusht i tërheqjes së investimeve nga jashtë dhe i sigurisë së investitorëve të jashtëm për të ardhur dhe punuar në Kosovë dhe poashtu, janë përkrahur të gjitha masat, të cilat po i ndërmarrin bashkërisht me të gjitha komunitetet, edhe me komunitetin serb, në integrimin e tyre në institucionet Republikës së Kosovës dh
e marrjen e përgjegjësisë së përbashkët që bashkërisht t’i qojmë proceset përpara”, theksoi kryeministri Mustafa.
Ministri Avdullah Hoti dhe ministri i Shëndetësisë Imet Rrahmani e kanë njoftuar kabinetin qeveritar për vizitën në Emiratet e Bashkuara Arabe.
