Prishtinë, 10 shkurt 2016
Qeveria e Republikës së Kosovës, e drejtuar nga kryeministri Isa Mustafa, ka zhvilluar mbledhjen e rregullt, të 74-tën me radhë.
Në vazhdën e kompletimit të infrastrukturës ligjore, në përputhshmëri me legjislacionin e Bashkimit Evropian për fushën e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, e veçanërisht në fushën e mbrojtjes së natyrës, Qeveria e Kosovës në mbledhjen e sotme ka miratuar 18 vendime për vënien në mbrojtje të rezervateve strikte, prej të cilave 15 gjenden në Parkun Kombëtar “Sharri”, të cilat janë të përcaktuara edhe me planin hapësinor të Parkut Kombëtar “Sharri”, miratuar Kuvendi i Kosovës më 11 shkurt 2014, dhe tri rezervate strikte që janë ekzistuese në Parkun Kombëtar “Bjeshkët e Nemuna”.
Vendimet që janë aprovuar sot në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës, janë si në vijim:
– Vendimi për vënien nën mbrojtje strikte të pyjeve të pastra të arnenit të kuq, në vendin e quajtur “Pisha e madhe” pjesë e masivit malor koxha ballkan, Parku Kombëtar, “Sharri”.
– Vendimi për vënien nën mbrojtje strikte të pyjeve të pastra të arnenit të kuq “Maja e arnenit”, Parku Kombëtar, “Sharri”.
– Vendimi për vënien nën mbrojtje strikte të pyjeve të pastra të arnenit kuq “Oshlak”, Parku Kombëtar “Sharri”.
– Vendimi për vënien nën mbrojtje strikte vendbanimit natyror të rrëqebullit ballkanik, “Rusenicë”, Parku Kombëtar, “Sharri”.
– Vendimi për vënien nën mbrojtje strikte të vendbanimit natyror të llojit të mbrojtur forzicia “Gubavci”, Parku Kombëtar, “Bjeshkët e Nemuna”.
– Vendimi për vënien nën mbrojtje strikte të panja e heldrahit dhe arneni në “Malet e prilepit”, Parku Kombëtar, “Bjeshkët e Nemuna”.
– Vendimi për vënien nën mbrojtje strikte të “bjeshkës së kozhnjerit – Maja e ropsit” Parku Kombëtar, “Bjeshkët e Nemuna”.
– Vendimi për vënien nën mbrojtje strikte të zonës malore “Bistra” Parku Kombëtar, “Sharri”.
– Vendimi për vënien nën mbrojtje strikte të zonës malore “Dupnica” Parku Kombëtar, “Sharri”.
– Vendimi për vënien nën mbrojtje strikte të zonës malore “Kobilica” Parku Kombëtar, “Sharri”.
– Vendimi për vënien nën mbrojtje strikte të zonës malore “Luboteni” Parku Kombëtar, “Sharri”.
– Vendimi për vënien nën mbrojtje strikte të zonës së burimit dhe ujërrjedhjes së epërme të “Lumbardhit”, Parku Kombëtar, “Sharri”.
– Vendimi për vënien nën mbrojtje strikte të zonës malore, bashkësia e rëndësishme autoktone pyjore të reliktit të ciartisit me ahun në “Gryka”, Parku Kombëtar, “Sharri”.
– Vendimi për vënien nën mbrojtje strikte të pyjeve endemorelikte të rrobullit dhe vegjetacionet barishtore të pasura me bimë të rralla dhe endemike në “Koritnik”, Parku Kombëtar, “Sharri” .
– Vendimi për vënien nën mbrojtje të zonës së maleve të larta në serpentin me ekosistemet e rralla dhe specifike pyjore të rrobullit, arnenit, bredhit, hormoqit, dredhakut dhe ahut në “pashallare”, Parku Kombëtar, “Sharri”.
– Vendimi për vënien nën mbrojtje strikte të vendbanimit natyror të llojit të veçantë të bredhit maqedonas dhe ariut të murrmë në “bredhik”, Parku Kombëtar, “Sharri”.
– Vendimi për vënien nën mbrojtje strikte të zonës së maleve të larta në silikat që karakterizohet me vlera te veçanta biologjike, gjeologjike, gjeomorfologjike, hidrografike dhe peisazhore në “Shutman”, Parku Kombëtar, “Sharri”.
– Vendimi për vënien nën mbrojtje strikte të zonës malore ne serpentin dhe habitat i llojit stenoendemik bornmullera e dieckit në “Lëndina e shenjtë”, Parku Kombëtar, “Sharri”.
Qeveria e Kosovës, gjatë kësaj mbledhje, ka aprovuar edhe nismat për nënshkrimin e këtyre marrëveshjeve:
– Nismën për lidhjen e Marrëveshjes për bashkëpunim policor në luftimin e krimit, ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Republikës së Italisë;
– Nismën për lidhjen e Marrëveshjes për bashkëpunim në fushën e zbatimit të ligjit për parandalim dhe luftim të krimeve të rënda, ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Mbretërisë së Danimarkës;
– Nismën për lidhjen e Marrëveshjes për bashkëpunim policor në luftimin e krimit, ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Mbretërisë së Belgjikës;
– Nismën për lidhjen e Marrëveshjes për bashkëpunim policor në luftën kundër krimit, ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Republikës së Lituanisë; dhe
– Nismën për lidhjen e Marrëveshjes për bashkëpunim policor, ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Republikës së Estonisë.
Kabineti qeveritar, po ashtu, ka miratuar vendimin për mbështetjen financiare për shërim të zonjës Shpresa Zyberaj, e cila vuan nga kanceri.
Qeveria miratoi edhe propozimin e ministrit të Drejtësisë, bazuar në një kërkesë të Shoqatës së ish-të burgosurve politikë, për subvencionimin e projektit për Konferencën Shkencore kushtuar figurës së veprimtarit të çështjes kombëtare, z. Adem Demaçi, me rastin e 80-vjetorit të lindjes.