Prishtinë, 17 prill 2015
E drejtuar nga kryeministri Isa Mustafa, Qeveria e Republikës së Kosovës ka zhvilluar mbledhjen e saj të rregullt, në të cilën ka miratuar vendimet për ndarjen e mjeteve për pagesën e përvojës së punës për punëtoret e arsimit dhe mbulimin e shpenzimeve të eksproprijimit të tokave për Aeroportin Ndërkombëtar Adem Jashari.
Vendimi i parë i miratuar në mbledhjen e sotme të Qeverisë së Kosovës, është sigurimi i mjeteve për pagesën e përvojës së punës për punëtorët e arsimit. Shuma e ndarë për vitin buxhetor 2015 është në vlerë prej 808,398.00 euro.
Për mbulimin e shpenzimeve për eksproprijimin e tokave për nevojat e Aeroportit Ndërkombëtar Adem Jashari – Kontrolli Ajror, Qeveria e Republikës së Kosovës ka ndarë sot 2,648,448.68 euro. Shuma do të sigurohet nga Fondi i shpronësimeve në kuadër të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.
Qeveria ka aprovuar vendimin për emërimin e Osman Shahinit në pozitën e sekretarit të përgjithshëm në Ministrinë e Diasporës, ndërsa Refike Sulçevski në pozitën e drejtoreshës së përgjithshme të Institutit të Kosovës për Administratë Publike.
Qeveria ka shqyrtuar dhe aprovuar vendimin për ndryshim dhe plotësim të vendimit për Themelimin e Këshillit Kombëtar për Zhvillim Ekonomik të Kosovës, i cili do të kryesohet nga Kryeministri i Republikës së Kosovës. Këshilli do të përbëhet nga:
1. Ministria Tregtisë dhe Industrisë, koordinatore e Këshillit;
2. Ministria e Financave;
3. Ministria e Zhvillimit Ekonomik;
4. Ministria Bujqësisë, Pylltarisë dhe zhvillimit Rural;
5. Ministria e Drejtësisë;
6. Ministria Punës dhe Mirëqenies Sociale;
7. Ministria e Infrastrukturës;
8. Ministria e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë;
9. Ministria e Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor;
10. Ministria e Diasporës;
11. Oda Ekonomike e Kosovës;
12. Aleanca Kosovare e Biznesit;
13. Oda Amerikane në Kosovë dhe
14. Asociacioni i Komunave të Kosovës.
Më tutje gjatë mbledhjes, ministri i Administratës Publike, Mahir Jagcillar, ka propozuar që të krijohet një komision për të përkufizuar përvojën e punës për të gjithë të punësuarit në sektorin publik dhe të bëhet trajtimi i barabartë për të gjithë. Një komision i përbërë nga Zyra e Kryeministrit, Ministria e Financave, Ministria e Administratës Publike, Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Ministria e Shëndetësisë dhe Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale do të përgatisë vendimin për mbledhjen e ardhshme të Qeverisë për të përkufizuar drejt dhe në mënyrë të barabartë përvojën e punës për të gjithë të punësuarit në sektorin publik.
