Qeveria e Kosovës miratoi nënshkrimin e Planit të Zbatimit të Marrëveshjes së përafruar më 22 maj 2013 nga kryeministri i Republikës së Kosovës dhe kryeministri i Republikës së Serbisë


Image


Image

Prishtinë, 24 maj 2013

Qeveria e Republikës së Kosovës, e drejtuar nga kryeministri Hashim Thaçi, ka zhvilluar mbledhjen e saj të rregullt në të cilën ka miratuar nënshkrimin e Planit të Zbatimit, të përafruar me 22 maj 2013,  nga kryeministri i Republikës së Kosovës dhe nga kryeministri i Republikës së Serbisë, për zbatimin e Marrëveshjes së Parë të Parimeve që Rregullojnë Normalizimin e Marrëdhënieve mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, përafruar më 19 prill 2013, nga kryeministri i Republikës së Kosovës dhe kryeministri i Republikës së Serbisë.

Në hapjen e mbledhjes së Qeverisë së Republikës së Kosovës, Kryeministri Hashim Thaçi ka ritheksuar qëndrimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe ka shprehur brengosjen për zhvillimet e fundit lidhur me dyshimet për krime lufte ndaj ish-komandantëve dhe luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Qeveria e Republikës së Kosovës beson plotësisht në luftën e drejtë të UÇK-së, të komandantëve dhe luftëtarëve të saj, luftë kjo që bëri që Kosova  të fitojë lirinë, pavarësinë, shtetin demokratik dhe partneritetin e ngushtë  me bashkësinë ndërkombëtare, me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimin Evropian dhe NATO-n” – theksoi Kryeministri Thaçi dhe shtoi se:

“Qeveria e Republikës së Kosovës ndërton dhe mbështet sundimin e rendit dhe ligjit, funksionimin e pavarur dhe të paanshëm të gjyqësorit në tërësi dhe të EULEX-it dhe pret  që edhe ky proces të zhvillohet mbi këto parime që mbrohen nga ne dhe bota demokratike. Qeveria e Republikës së Kosovës beson në drejtësi dhe në pafajësinë e komandantëve, të ushtarëve  të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, beson në luftën e drejtë të UÇK-së, të qytetarëve të Kosovës, në pastërtinë e luftës çlirimtare të Kosovës”.

“Të gjitha këto dyshime edhe më herët edhe në Hagë edhe në Prishtinë, kanë dalë të pabazuara dhe shpresojmë e besojmë plotësisht se këto dyshime janë të paargumentuara dhe të pabazuara.  Qeveria e Republikës së Kosovës beson plotësisht në drejtësi, por beson plotësisht në pafajësinë e komandantëve dhe luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, siç besojnë qytetarët e Kosovës” – theksoi Kryeministri Thaçi.

*****

Më tej, Kryeministri Thaçi i ka njoftuar anëtarët e kabinetit qeveritar për arritjen e marrëveshjes së parë në Bruksel mbi normalizimin e marrëdhënieve në mes shtetit të Kosovës dhe Serbisë për procesin e implementimit, marrëveshje kjo e cila mori mbështetjen unanime të Qeverisë së Kosovës.

Në vazhdim, po e japim të plotë fjalën e Kryeministrit Thaçi lidhur me këtë çështje:

Të nderuar anëtarë të kabinetit qeveritar,

Pardje, është arritur marrëveshja e parë në Bruksel mbi normalizimin e marrëdhënieve në mes shtetit të Kosovës dhe Serbisë për procesin e implementimit, marrëveshje që u nënshkrua apo që jemi pajtuar në parim. Është cilësuar ngatë gjithë si historike për shumë arsye:

Për herë të parë Kosova dhe Serbia si dy shtete të pavarura dhe në nivel të barabartë, në nivel kryeministrash, nënshkruajnë një marrëveshje për normalizimin  e marrëdhënieve, duke mundësuar kështu mbylljen e një kapitulli të errët pothuajse njëshekullor dhe hapjen e një kapitulli të ri, atij të paqes dhe bashkëpunimit ndërshtetëror. Mbi të gjitha, me anët të kësaj marrëveshje, Kosova ka vendosur kontroll ligjor dhe kushtetues në tërë territorin e Republikës së Kosovës.

Për të arritur tek kjo marrëveshje, kemi negociuar shumë, kemi punuar shumë, në mënyrë që qëndrimi ynë politik, të jetë i mbështetur në argumente reale, logjike dhe të përshtatshme për secilin qytetar të Kosovës dhe secilin komunitet këtu.

Kjo marrëveshje ka kompromise, por jemi siguruar që secili kompromis të jetë i tillë që shërben në të mirë të interesave të qytetarëve të Kosovës si në veri ashtu edhe në jug.

Me këtë marrëveshje, Kosova ju ka dhënë një shansë ideale qytetarëve tanë në veri, që të bëhen pjesë e pandarë e shoqërisë tonë demokratike.

Kështu, u mundësohet atyre që të jenë pjesë e  një policie efikase të ndërtuar me standardet më të larta evropiane. Kjo është mundësia e tyre për t’u bërë pjesë e strukturës unike e gjyqësorit të Kosovës, duke iu ofruar atyre mundësi shtesë që të fitojnë besimin në drejtësi në Kosovë, duke qenë vetë pjesëmarrës në vendimmarrje.

Marrëveshja ju jep atyre mundësinë që të administrojnë pushtetin lokal në përputhje të plotë me ligjet e Kosovës dhe kartën evropiane.

Referimi i marrëveshjes me këto dy pjesë të legjislacionit është garanci që autorizimet e këtij asociacioni të mos ndërhyjnë në ato të nivelit qendror, për më tepër kjo marrëveshje ju jep fund obstruksioneve të Serbisë, në rrugën e Kosovës drejt integrimit Evropian dhe ky është edhe një element shtesë me rëndësi thelbësore.

Ne ishim dëshmitarë të vëmendjes që ka gëzuar kjo marrëveshje në opinionin publik po posaçërisht te partnerët tanë ndërkombëtar  vëmendja e tyre ka qenë e fokusuar veçanërisht në zbatimin e kësaj marrëveshje që është jetike për gjithë procesin dhe pikërisht për këtë për këtë shkak të mungesës së kompromiseve në komitetin zbatimit para pak ditësh kaluam një raund të ri të vështire negociatash në Bruksel  negociata ne mes dy kryeministrave, e cila rezultoi me një nivel shumë konkret të implementimit.

Tani na  pret puna më e madhe drejt realizimit të kësaj marrëveshje. Planin e implementimit besoj se secili prej jush e keni para vetes dhe mund të theksoj lirisht se për herë të dytë Kosova ka fituar betejat më të vështira në zbatimin e kësaj marrëveshje.

Është dakorduar që asociacioni i komunave të funksionalizohet vetëm pas zgjedhjeve lokale dhe strukturat e sigurisë dhe drejtësisë do të integrohen menjëherë në sistemin unik të policisë dhe drejtësisë kosovare, por vetëm pasi të kenë kaluar nëpër procedurat dhe ligjet tona që parashihen.

Këto janë elementet më të rëndësishme sit ë marrëveshje, ashtu edhe të planit të zbatimit. Këto do të mundësojnë që në veri të Kosovës të shtrihet rendi kushtetues i Kosovës dhe i Qeverisë së  Kosovës, të kthehet sundimi i ligjit të Republikës së Kosovës, duke çuar kështu në atë që kemi synuar për më shumë se 14 vite – në shtrirjen dhe unitetin e Republikës së Kosovës në tërë territorin e saj.

Prandaj, të nderuar anëtarë të kabinetit qeveritar, unë ju kisha ftuar që ta miratojmë Planin zbatues, të nënshkruar të mërkurën në Bruksel. Kjo marrëveshje përfshinë planin e zbatimit në tërësi, përfshin periudhat kohore, përfshin aktorët implementues sa i përket gjashtë elementeve kryesore, rregullimit të kornizave ligjore, asociacionit, policisë, drejtësisë, zgjedhjeve lokale dhe dispozitave të përgjithshme.

I tërë plani është planifikuar që të implementohet brenda gjashtë mujorit të ardhshëm, prandaj duke ju falënderuar gjithmonë për mbështetje, duke falënderuar Parlamentin e Kosovës, gjithë spektrin politik dhe gjithë shoqërinë kosovare, unë pa humbur kohë  do t’ju ftoja që ta miratojmë edhe Planin zbatues dhe pastaj të procedojmë për aprovim në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Edhe njëherë më lejoni që të falënderoj baroneshën Ashton për udhëheqjen e gjithë këtij procesi dhe lehtësimin që ka krijuar me angazhimin e vet për arritjen e kësaj marrëveshje.

*****

Në mbledhjen e sotme të Qeverisë, Ministrja e Ministrisë së Integrimeve Evropiane, Vlora Çitaku ka propozuar, ndërsa Qeveria ka miratuar amandamentimin e vendimit për themelimin e Komitetit Ndërministrorë për Strategjinë e Integrimit të Komuniteteve Rom, Ashkali dhe Egjiptian, me qëllim të funksionalizimit të këtij komiteti.

Ministri i Ministrisë së Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, ka njohur kabinetin qeveritar për organizimin e Samitit të Procesit të Bashkëpunimit për Evropën Juglindore, nikoqir i të cilit është Republika e Maqedonisë. Kabineti qeveritar e ka vlerësuar të papranueshme mungesën e ftesës për Presidenten e Kosovës në këtë samit dhe është theksuar se kjo dëshmon se paqja, bashkëpunimi dhe respektimi i ndërsjellë në rajon është pre e paragjykimeve dhe mungesës së njohjes së realitetit në rajon.

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors