Prishtinë, 31 korrik 2015
Qeveria e Republikës së Kosovës, e kryesuar nga kryeministri Isa Mustafa, zhvilloi mbledhjen e 41, të rregullt.
Në këtë mbledhje, kabineti qeveritar miratoi unanimisht propozimin për riprocedimin e amendamenteve të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.
Fjala e kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa, në mbledhje.
Të nderuar zëvendëskryeministra, ministra, zëvendësministra.
Kuvendi i Republikës së Kosovës e ka shqyrtuar me datën 26 qershor të këtij viti amendamentin numër 24 në Kushtetutën e Republikës së Kosovës, i cili është proceduar nga Qeveria e Republikës së Kosovës, ndërkaq Qeveria e kishte shqyrtuar dhe e kishte aprovuar këtë amendament më datë 7 mars 2015. Amendamenti është përkrahur nga 75 deputetë por nuk i ka arritur votat e mjaftueshme prej dy të tretave përkatësisht të 80 deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës. Në takimin e Qeverisë të datës 27 qershor kemi shprehur përcaktimin tonë që pas konsultimeve të nevojshme me deputetë të riprocedojmë në Kuvend të njëjtin amendament kushtetues për të përmbushur detyrimet që kemi marrë me ligjin numër 04/L 274 të datës 23 prill të vitit 2014, i shpallur me dekretin e Presidentes së Republikës së Kosovës DL 022 2014 të datës 7 maj të viti 2014. Në ndërkohë janë zhvilluar takime me deputetë dhe me grupe parlamentare në të cilat është biseduar lidhur me nevojën e aprovimit të ndryshimeve kushtetuese të cilat do të mundësojnë themelimin e Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit Specializuar.
Kushtetuta e Republikës së Kosovës dhe Rregullorja e Punës së Kuvendit të Republikës së Kosovës nuk e kufizojnë mundësinë që Qeveria të riprocedojë me të njëjtat amendamente në Kuvendin e Republikës së Kosovës.
Prandaj, konsideroj që ne nuk e kemi asnjë pengesë kushtetuese që amendamentet të cilat janë aprovuar njëherë në Qeveri të riprocedohen në Kuvend me kërkesë që Kuvendi t’i shqyrtojë edhe njëherë dhe të marrë vendim për aprovimin e tyre, duke pasur parasysh rëndësinë shumë të madhe që ka për vendin aprovimi i këtyre amendamenteve.
Arsyeja e riprocedimit të amendamenteve ndërlidhet veçmas me përmbushjen e obligimeve të cilat i ka marrë Kosova në ligjin 04/L-274, për ratifikimin e letrës së Presidentes së Kosovës me Baroneshën Ashton të aprovuar me votat e dy të tretave të deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës. Prandaj, ne jemi të detyruar të zbatojmë ligjet të cilat i aprovon Kuvendi, ndërkaq Kosova duhet të tregojë se është përgjegjëse dhe se është e zonja që të përmbushë zotimet e saj para komunitetit ndërkombëtar, zotime të cilat janë ratifikuar me ligj. Kosova përmes aprovimit të këtyre amendamenteve demonstron në mënyrë të qartë përcaktimin e Qeverisë së saj për rend dhe ligj dhe për arritjen e standardeve të larta perëndimore të drejtësisë, por njëherit poashtu shprehë bindjen se votimi i tyre në Kuvend është në dobi afatgjate të Kosovës.
Themelimi i Dhomave të Veçanta sipas këtyre amendamenteve është kërkesë eksplicite e partnerëve tanë strategjikë, sidomos e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian. Gjatë riprocedimit kemi pas parasysh poashtu edhe opinionin e Gjykatës Kushtetuese e cila në aktgjykimin e saj 788/2015, e ka deklaruar të pranueshme kërkesën e kryetarit të Kuvendit dhe e kanë konfirmuar se amendamenti numër 24 nuk i pakëson të drejtat dhe liritë e njeriut të përcaktuara me kapitullin 2 dhe me kapitullin 3 të Kushtetutës.
Unë jam i bindur që edhe pas këtij riprocedimi e respektojmë rolin e Kuvendit dhe çdo deputeti në Kuvend dhe shprehim besimin tonë se aprovimi i këtij amendamenti është në dobi të shtetit të Kosovës dhe të zotërimit të drejtësisë mbi çdo dyshim të mundshëm.
Riprocedimi dhe vendimi në Kuvend për këto amendamente kushtetuese e ruan sovranitetin e Kosovës sepse institucionet e Republikës së Kosovës janë ato që marrin rolin dhe përgjegjësin për një vendim të tillë. Për neve do të jetë e dëmshme dhe e papranueshme që për këtë çështje të vendoset mbi bazën e Rezolutës 1244, pasi që rikthimi dhe fuqizimi i kësaj rezolute sjell në pikëpyetje sovranitetin e vendit dhe vlerat e ndërtuara që nga periudha e shpalljes së pavarësisë.
Unë pres që vendimi për ndryshimet kushtetuese të përkrahet nga të gjithë deputetët e Kuvendit, të pozitës dhe opozitës, dhe kjo është një çështje që i takon tërë vendit, ashtu siç është partneriteti me Shtetet e Bashkuara të Amerikës të cilat e kanë ndihmuar vendin tonë në të gjitha fazat e shtetndërtimit dhe partneriteti me BE-në, janë në interes të pozitës dhe të opozitës dhe të gjithë qytetarëve të Republikë së Kosovës. Ne poashtu duhet të jemi të vetëdijshëm se nuk mund ta ndërtojmë dhe zhvillojmë këtë vend të izoluar nga vendet mike. Na nevojitet përkrahja e tyre për integrimet në BE, për anëtarësimin në organizata ndërkombëtare, për njohjen e pavarësisë së Kosovës, për investime dhe zhvillim ekonomik dhe për forcimin e shtetit ligjor. Këtë duhet ta bëjmë së bashku me partnerët strategjikë në rrugën e integrimeve tona euroatlantike.
Prandaj, duke pas parasysh rëndësinë e themelimit të Dhomave të Veçanta, unë ju ftoj që ta përkrahni riprocedimin e këtij amendamenti përkatësisht amendamenteve kushtetuese dhe poashtu Kuvendi i Republikës së Kosovës që sa më shpejt ta thërret seancën dhe të aprovojë këto amendamente.
Faleminderit!
Fjala e zëvendëskryeministrit të parë, njëherësh ministër i Punëve të Jashtme i Kosovës, Hashim Thaçi, në mbledhje.
Faleminderit i nderuar kryeministër Mustafa.
Vlerësoj se është një hap jashtëzakonisht i rëndësishëm për Qeverinë dhe të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës që të riprocedojmë për këtë çështje të rëndësishme të themelimit të Gjykatës Speciale.
Vlerësoj se është e rëndësishme edhe për të kaluarën, për të sotmen dhe mbi të gjitha për të ardhmen e shtetit të Kosovës. Ne kemi marrë obligimet si institucione para bashkësisë ndërkombëtare, në një proces të një bashkëpunimi të ngushtë, të një transparence të plotë, por edhe të një bashkëpërgjegjësie mund të themi lirisht. Prandaj, edhe letërkëmbimet që kanë ndodhur duke u bazuar në vendimet e Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe letërkëmbimit që ka ndodhur në mes të Presidentes së Republikës së Kosovës dhe autoriteteve të Bashkimit Evropian, janë edhe një përgjegjësi e re që del para institucioneve tona.
Mendoj se kjo çështje është ajo që duhet të largoj ndasitë politike, përkundrazi është një përgjegjësi e përbashkët shtetërore dhe duhet të shndërrohet në një rrethanë të favorshme për të ardhmen euroatlantike të Kosovës, që të vazhdohet menjëherë me çështjen e Stabilizim-Asociimit, pastaj me rekomandimin për liberalizimin e vizave, me anëtarësimin e Kosovës edhe në UNESCO, edhe në Interpol edhe me aplikimin e Kosovës për t’u anëtarësuar në Këshillin e Evropës. Gjithashtu, vlerësoj se është një standard të cilin Kosova e plotëson më mirë se të gjitha vendet e tjera të rajonit dhe që do të mirëpritet prej të gjithë partnerëve dhe miqve ndërkombëtarë dhe që do të kemi një mbështetje të fuqishme, gjithashtu edhe në të ardhmen.
Pra, ky votim apo ky kalim në Kuvendin e Kosovës në ditët e ardhshme do të mund t’i hap Kosovës një kapitull të ri, kapitullin e fuqizimit të integrimeve euroatlantike për Kosovën, por edhe ruajtjes, kultivimit dhe thellimit të partneritetit tonë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimin Evropian dhe NATO-n, dhe pastaj ne të procedojmë agjendën tonë shtetërore, në mënyrë që të kemi një mbështetje edhe më të fuqishme ndërkombëtare. Por, që të kemi një mbështetje çfarë e meritojmë, duhet natyrisht që edhe ne të prodhojmë argumente sikur sot që po prodhojmë si Qeveri e Kosovës dhe në ditët e ardhshme edhe si Kuvend i Republikës së Kosovës.
Mbesë me shpresë, e optimizëm dhe besim të plotë që edhe deputetët kësaj radhe do të votojnë pa ndonjë hezitim në drejtim të asaj që të përmbyllim edhe këtë sfidë apo bashkëpërgjegjësi të politikës dhe institucioneve të Republikës së Kosovës.
Faleminderit shumë kryeministër!
Gjatë mbledhjes, kabineti qeveritar miratoi edhe vendimin për propozimin e anëtarëve të Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik.
