Qeveria e Kosovës mbajti mbledhjen e rregullt


Image


Image


Image


Image


Image

Prishtinë, 26 maj 2017

Qeveria e Republikës së Kosovës ka mbajtur mbledhjen e 146-të me radhë, të kryesuar nga kryeministri Isa Mustafa, në të cilën ka miratuar rregullore dhe udhëzime administrative nga fusha e përgjegjësisë së saj kushtetuese dhe ligjore.

Në këtë mbledhje është miratuar rregullorja për Përbërjen, Funksionimin, Përgjegjësitë e Komisionit Vlerësues dhe Përcaktimin e Procedurave për Njohjen e Statusit dhe të Drejtave të Personave Paraplegjik dhe Tetraplegjik. Përmes saj janë përcaktuar procedurat për parashtrimin e kërkesave për realizimin e të drejtave të përcaktuara me Ligjin 05/L-067 për statusin dhe të drejtat e personave Paraplegjik dhe Tetraplegjik, funksioni dhe përgjegjësitë e Komisionit Vlerësues, kushtet dhe kriteret për njohjen e statusit të personit Paraplegjik dhe Tetraplegjik, si dhe procedurat ankimore dhe procedurat e rivlerësimit.

Aprovimin e Qeverisë së Kosovës e mori edhe Udhëzimi Administrativ për Mallrat e Liruara nga Tarifa Doganore, i cili ka për qëllim zbatimin e dispozitave të Ligjit për Mallrat e Liruara nga Tatimet Doganore dhe mallrat me tarifë zero, të tatimit doganor si dhe lirimin nga tarifat doganore të disa produkteve farmaceutike që në këtë rast janë citostatikët. Arsyeja e lirimit është humanitare pasi që ka të bëjë kryesisht me substanca aktive farmaceutike që trajtojnë sëmundjet kancerogjene.

U miratua edhe Raporti Vjetor për Funksionimin e Sistemit të Kontrollit Brendshëm të Financave Publike në Sektorin Publik të Kosovës për vitin 2016. Ky raport pasqyron vlerësimet e kryera nga subjektet e sektorit publik në fushën e kontrollit të brendshëm të financave publike në Kosovë për vitin 2016 si dhe jep rezultate dhe konkluzione të cilat duhet të merren parasysh nga Qeveria dhe Kuvendi.

Është aprovuar edhe Nisma për Negocimin e Marrëveshjes për Bashkëpunim në mes të Provincës Autonome të Trentos – Republika Italiane dhe Republikës së Kosovës, e cila rregullon bashkëpunimin në fushat e zhvillimit të qëndrueshëm dhe mbështetjes së zhvillimit të teknologjive të mjedisit, në energji, në trajtimin e mbeturinave, të ujit, kanalizimeve, inxhinieri mjedisore, civile dhe sektorë të drurit, në turizëm të qëndrueshëm, në përmirësimin e zonave natyrore dhe malore për qëllime turistike, në zhvillimin dhe mbështetjen e politikave për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, në përmirësimin e bashkëpunimit të Provincës Autonome të Trentos dhe Komunës së Pejës në veçanti, përmes projekteve të përbashkëta në fushat e përmendura më lartë dhe në promovimin e bashkëpunimit të përgjithshëm ekonomik dhe social në mes të dy palëve.

U miratua edhe Nisma për lidhjen e Marrëveshjes për vërtetimin e periudhave të sigurimit për realizimin e të drejtës në pension, në mes të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Republikës së Kroacisë. Me këtë marrëveshje qytetarëve të Kosovës të cilët kanë punuar një kohë të gjatë në Kroaci do t’u mundësohet që pas arritjes së moshës së pensionimit të kenë të drejtë që këtë pension ta marrin në shtetin e Kosovës dhe poashtu do t’u mundësohet e drejta e bashkimit të periudhave të kontributeve.

Aprovimin e kabinetit qeveritar e mori edhe Nisma për aderim në Organizatën ligjore për zhvillim ndërkombëtar – IDLO, që ka për qëllim të inkurajojë dhe lehtësojë përmirësimin dhe përdorimin e burimeve ligjore në procesin e zhvillimit.

Kabineti qeveritar u informua lidhur me aktivitetet e kryera për fillimin e mbledhjes së Premiumeve dhe Funksionalizimin e Sistemit të Informimit Shëndetësor.
Ministria e Shëndetësisë po vazhdon me aktivitetet për implementimin e planit të veprimit të dorëzuar në fillim të vitit në Qeveri, drejtë krijimit të kushteve për fillimin e mbledhjes së premiumeve. Konkretisht tash po punohet në rekrutimin e stafit për Fondin e Sigurimeve Shëndetësore dhe jemi në fazën finale të rekrutimit. Janë duke u finalizuar dhe konkretisht janë në diskutim publik udhëzimet administrative të cilat e rregullojnë fushën e kontraktimit të barnatoreve dhe çmimeve të barnave nga pakoja bazike.
Mbetet mjaft sfiduese në implementimin e programit e planit të veprimit çështja e tejkalimit të dilemave që kanë dalë nga koha e koordinimit me agjencione të ndryshme të cilat kanë rol mbështetës në funksionalizimin e Fondit të Sigurimeve Shëndetësore, që është dashur të adresohen ne plotësim ndryshimin e Ligjit për Sigurime Shëndetësore.
Po punohet që plani i veprimit që është dorëzuar më herët të implementohet dhe të targetohen afatet që janë vendosur.
Ndërsa, të sistemi i informimit shëndetësor është duke vazhduar edhe më tutje trajnimi i personelit dhe implementimi i sistemit të informimit shëndetësore në zonën pilot që përfshinë 30 për qind të institucioneve shëndetësore në territorin e Kosovës.
Vetëm në hardware në këtë fazë në këto institucione janë investuar 1 milion e 500 mijë euro, duke përfshirë edhe 970 mijë euro tjera plus, që janë dashur të investohen në rritjen e kapaciteteve të qendrës së të dhënave nacionale në Ministrinë e Administratës Publike.
Implementimi i software-ëve ka filluar në dhjetor të vitit 2014 dhe jemi duke punuar që edhe më tutje të perfeksionojmë integrimin e regjistrit civil, regjistrin e institucioneve shëndetësore, regjistrin e stafit shëndetësorë, regjistrin e barnave ICD 9 dhe ICD 10. Momentalisht janë funksionale modulet për pranim, lëshim, transferë të pacientëve, kartela elektronike shëndetësore, trajnimi i pacientëve jashtë spitalor ambulator dhe trajnimi i pacientëve spitalor.
Procesi i zhvillimit të software-ëve po vazhdon dhe është në fazën e përshtatjes së proceseve tjera, si dhe ato procese spitalore, laboratorë, rëntgen, vaksinim, raportim dhe statistika. Edhe në këtë segment përpos tjerash është duke u punuar edhe në funksionalizimin e sistemit të informimit të fondit që është një komponent shumë e rëndësishme e sistemit të informimit shëndetësor.
Deri më tani janë trajnuar 3500 zyrtarë kryesisht personel shëndetësor për shfrytëzimin e sistemit të informimit të Fondit. Është duke u punuar shumë edhe në krijimin e vazhdimësisë në mirëmbajtje dhe mbështetje teknike profesionale të sistemit, sepse ka kontratë deri në muajin shtator 2017, është marrë mendimi nga KRPP dhe mendohet që me një procedurë të shpejtë të negocimit duhet të vazhdohet kontrata për mirëmbajtje.
Deri më tani sistemi i informimit shëndetësor është funksional në 30 për qind të komunave, në QKUK dhe në zonën pilot duke u përdorur dhe rezultatet e para veç janë mbledhur. Gjithashtu, në 6 komuna pilot janë mbledhur shënimet e para dhe ndarja e buxhetit konform pagesës për kapitacion duke u bazuar në performancë.

Në mbledhjen e sotme u miratua edhe Nisma për negocimin e Marrëveshjes së Kredisë në mes të Republikës së Kosovës, e përfaqësuar nga Ministria e Financave, dhe Unicredit Bank Austria AG, për financimin e projektit të trajtimit të ujërave të zeza në Komunën e Podujevës.

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors