Qeveria e Kosovës mbajti mbledhjen e rregullt


Image


Image

Prishtinë, 18 janar 2017

Qeveria e Republikës së Kosovës zhvilloi mbledhjen e 128-të të rregullt, nën drejtimin e kryeministrit Isa Mustafa, në të cilën mori vendime nga fusha e përgjegjësive kushtetuese dhe ligjore.

Kabineti qeveritar miratoi Projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes së Bashkëpunimit ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës, e përfaqësuar nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, e përfaqësuar nga Ministria e Energjisë dhe Industrisë, për shkëmbimin dhe/ose ndarjen e rezervës rregulluese ndërmjet Operatorit të Sistemit të Transmetimit OST Sh.a. dhe Operatorit të Sistemit të Transmisionit dhe Tregut KOSTT Sh.a.  Ky Projektligj, ka për qëllim bashkëpunimin ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë nëpërmjet organeve përgjegjëse për shkëmbimin dhe ndarjen e rezervës rregulluese ndërmjet këtyre dy operatorëve. Objektiv kryesor i këtij projektligji është rregullimi i zonës rregulluese dhe me këtë edhe integrimi në mekanizmat regjional, i cili do të ndikonte në realizimin e tregtisë ndërkufitare, duke rritur kështu likuiditetin e tregut të energjisë dhe duke përmbushur direktivat e Traktatit të Energjisë në të cilin traktat është anëtare edhe Republika e Kosovës.
 
Në mbledhjen e Qeverisë u miratua edhe Strategjia Kombëtare për të Drejtat Pronësore në Kosovë dhe Plani i veprimit, e cili përcakton çështjet si në vijim: sigurimin e të drejtave pronësore duke fuqizuar infrastrukturën ligjore të kësaj fushe, sigurimin e të drejtave pronësore duke adresuar informalitetin në sektorin e pronës së paluajtshme, garantimin dhe realizimin e të drejtave pronësore të personave të zhvendosur dhe komunitetit joshumicë, garantimin dhe realizimin e të drejtave pronësore të grave, si dhe promovimin e shfrytëzimit produktiv të pronës së paluajtshme për nxitjen e rritjes ekonomike.

Edhe vendimi preliminar për shpronësimin dhe krijimin e detyrueshëm të servitutit të pronave private dhe shoqërore, të cilat preken nga realizimi i Fazës së Tretë të Projektit për ndërtimin e “Fabrikës së Re të Ujit në Fshatin Shkabaj”, dhe vendimi preliminar për shpronësimin e pronave të paluajtshme të pronarëve dhe zotëruesve të interesit dhe të ndërtesave të ish NSH “Gërmia” Prishtinë, për nevoja të akomodimit të Institucioneve të Qeverisë së Republikës së Kosovës, u miratuan në  mbledhjen e sotme të Qeverisë. 

Zëvendësministrja e Integrimit Evropian, Anila Statovci-Demaj, informoi kabinetin qeveritar lidhur me takimin e parë të Nën Komitetit të MSA-së për Drejtësi, Liri dhe Siguri, ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Komisionit Evropian, i cili mbahet më 25-26 janar 2017 në Prishtinë, që është pjesë e strukturave formale për monitorimin dhe zbatimin e MSA-së. Në këtë takim, do të diskutohet progresi në zbatimin e reformave, sfidat e hasura në proces si dhe zbatimi i konkluzioneve të vitit të kaluar. Po ashtu, diskutohen masat prioritare të Agjendës së Reformave Evropiane si dhe për zbatimin e njërit prej dy kritereve të mbetura për liberalizimin e vizave, atë të luftimit të krimit të organizuar dhe korrupsionit. “Në fushën e gjyqësorit do të diskutohet për rishikimin e sektorit të drejtësisë  dhe posaçërisht aspektin e paanshmërisë, llogaridhënies dhe pavarësisë së gjyqësorit. Në këtë drejtim, Komisioni Evropian është i interesuar që të kuptoj më shumë sa i përket arritjes së numrit të nevojshëm të gjyqtarëve dhe prokurorëve nëpër gjykatat dhe prokuroritë anembanë Kosovës, si dhe miratimit të ligjit për zyrën e prokurorit disiplinor. Ndërsa sa i përket luftës kundër korrupsionit, diskutimi fokusohet fillimisht mbi zbatimin e kriterit për liberalizim të vizave, atij për luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe institucionet përgjegjëse raportojnë për rezultatet e fundit në këtë fushë, posaçërisht sa i përket dënimeve të shqiptuara ndaj kryesve të këtyre veprave penale. Po ashtu, do të diskutohet në veçanti edhe për aspektin e korrupsionit në prokurim publik”, tha zëvendësministrja, duke shtuar se do të diskutohet edhe për emigrimin e parregullt, me ç’rast Komisioni Evropian do të njoftohet për rënien drastike të numrit të azilkërkuesve kosovarë në shtetet e BE-së si dhe me masat që janë ndërmarrë për t’u siguruar që ky trend pozitiv të vazhdoj edhe në ardhmen. Po ashtu, do të diskutohet edhe për menaxhimin e integruar të kufirit, luftimin e krimit të organizuar, trafikimin me qenien njerëzore, trafikimin e drogave, armëve, si dhe luftimin e krimeve ekonomike, terrorizmit dhe krimeve kibernetike.
Në ditën e dytë të takimit, më 26 janar, do të diskutohet mbi të drejtat dhe liritë themelore të njeriut, për sistemin e burgjeve, mbrojtjen e të dhënave personale, lirinë e shprehjes dhe mosdiskriminimin. Po ashtu, do të diskutohet edhe për respektimin dhe mbrojtjen e komunitetit pakicë, drejtësinë tranzicionale dhe personat e zhdukur. Për të gjitha fushat është përgatitur një raport i detajuar dhe i njëjti është ndarë me Komisionin Evropian.

Ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, ka njoftuar kabinetin për mbajtjen e Forumit të Bashkëpunimit Ekonomik në mes të Kosovës dhe Italisë, më 31 janar, që është edhe njëra nga sugjerimet e Kryeministrit dhe konkluzionet e dala nga Konferenca e Ambasadorëve.
“Diplomacinë ekonomike do ta kemi prioritet në vitin 2017, sikurse që kemi vendosur që politika e jashtme ta ketë një qasje ndërsektoriale dhe të kemi koordinim sa më të mirë mes sektorëve të ndryshëm. Në këtë drejtim, ka pasur një bashkëpunim shumë të mirë mes Ministrisë së Jashtme dhe asaj të Tregtisë. Kjo temë është diskutuar në vizitën time të fundit në Itali. Pjesëmarrja e bizneseve italiane do të jetë shumë e madhe, por i kisha ftuar kolegët nga Qeveria që të bëhen gati dhe në të njëjtën kohë dikush nga kolegët përgjegjës, qoftë zëvendëskryeministri Kelmendi, qoftë ministrja Bajrami, do të duhej të komunikon me biznesin e Kosovës, që të kemi prani sa më të madhe të biznesit kosovar. Në analizën tonë, investimet mund të ndodhin kur ka bashkëpunim mes biznesit me biznes, jo vetëm Qeverisë në raport me Qeverinë e një vendi gjegjës. Dua poashtu t’ju informoj se në disa misione diplomatike ku kemi pasur njerëz të përgatitur, kemi vendosur që të emërojmë atashe të ekonomisë, aty ku ka pasur ekonomistë të mirëfilltë, por dua po ashtu t’i ftoj kolegët, që ne jemi të gatshëm të marrim nga ministritë gjegjëse personat që do të duhej të jenë atashe ekonomikë dhe duhet të veprojnë si ndërlidhës mes një misioni me ministritë gjegjëse. Në të kaluarën kemi pasur në Bruksel përfaqësues nga Ministria e Bujqësisë, nga Ministria e Tregtisë dhe jemi të gatshëm që edhe në këtë vit nëse ka sugjerime të tilla, sidomos sa i përket Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit që kjo ka të bëj më shumë me tregti dhe me bujqësi, që të dërgojmë persona përgjegjës, të cilët do të duhet ta mbulojnë këtë fushë. Forumi Ekonomik që mbahet në Itali është forumi i parë. Unë besoj që në shkurt apo në mars do ta kemi një forum të dytë në Emirate, i cili forum nuk do të jetë vetëm forum që do t’i mbledhë bizneset e Emirateve, por të gjitha vendet e Gjirit, do të thotë edhe Katarin edhe  Kuvajtin, Bahrenin, Arabinë Saudite. Po ashtu, kjo gjë është diskutuar vitin e kaluar. Në këtë drejtim desha ta jap një informatë të parë, pastaj gjatë vitit do të jetë punë rutinore e jona si Ministri e Jashtme në koordinim të ngushtë me ministritë e tjera që në vitin 2017 fokusin ta mbajmë tek investimet e huaja, sidomos për shkak të ndryshimit të kontekstit ndërkombëtar ku nuk mund të presim zhvillime të mëdha rreth Kosovës dhe ku një pjesë e madhe e politikës së jashtme duhet të jetë e drejtuar që të përmbushim kërkesat tona të brendshme dhe mënyra më e mirë për të demonstruar që t’i bëjmë këto, është pikërisht diplomacia ekonomike, që ka qenë sugjerim juaji z. Kryeministër, por edhe është në Planin e Qeverisë për vitin 2017”, tha ministri Hoxhaj.

Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, tha se MTI-ja, respektivisht KIESA është marrë komplet me aktivitetet rreth organizimit. 
“Deri tani kemi një numër shumë të madh të kompanive, të cilat e kanë konfirmuar pjesëmarrjen. Jemi duke biseduar me të gjitha asociacionet e biznesit në Kosovë. Pjesëmarrja e kompanive kosovare në këtë forum të biznesit është pak e kufizuar në aspektin financiar, sepse ne si Ministri dhe si Qeveri nuk kemi resurse të mjaftueshme që të paguajmë shpenzimet e tyre, do të thotë janë pikërisht bizneset private ato të cilat duhet të bartin koston e pjesëmarrjes së bizneseve. Kështu që numri më i madh do të jetë pikërisht nga kompanitë italiane dhe kompanitë e diasporës, por është një numër i konsiderueshëm edhe i kompanive tona. Ende nuk e kemi listën finale, por jemi në bashkëpunim të drejtpërdrejt edhe me Ambasadën tonë në Romë dhe gjithçka po shkon në rregull”, tha ministrja Bajrami.

Zëvendëskryeministri Ramiz Kelmendi, theksoi se Italia është një shtet që ka jashtëzakonisht shumë prodhimtari të makinerive të ndryshme që mund të jenë të domosdoshme për avancimin e prodhimtarisë sonë.
“Ka disa kompani garantuese të eksportit, që e garantojnë bashkëpunimin në mes të dy bizneseve Kosovë-Itali, pa ndërmjetësimin e bankave komerciale tona, me kushte shumë më të favorshme sesa Kosova dhe është mirë që ndoshta për të shtuar numrin e njerëzve sepse ka agjenci të mëdha dhe agjentë të shitjeve të pajisjeve të ndryshme të Italisë që shkojnë nëpër krejt regjionin dhe informojnë kush ka interes për blerje të industrive të caktuara. Është mirë ndoshta me i kyç edhe këto agjenci, me i ftuar nga ana e Italisë edhe këto institucione që e mbështesin garantimin e eksportit të makinerive nga Italia në Kosovë, por edhe për t’i ftuar të gjitha bizneset që kanë interes për prodhimtari e që mund të shtohet bashkëpunimi me Italinë”, tha zëvendëskryeministri Ramiz Kelmendi.

Kryeministri Isa Mustafa kërkoi nga zëvendëskryeministri Kelmendi, ministri Hoxhaj dhe ministrja Bajrami që gjatë javës të koordinohen, sepse siç tha ai, kjo është një fushë, e cila është edhe ekonomike dhe diplomatike.
“Pastaj ne mund të kemi javën e ardhshme në mbledhjen e parë të Qeverisë edhe një informatë lidhur me të gjitha përgatitjet përfundimtare, sepse jemi të interesuar që me Italinë të intensifikojmë bashkëpunimin, t’i përgatisim edhe forumet tjera ekonomike, për të cilat ministri Hoxhaj foli, mirëpo është një çështje që del pak jashtë një Ministrie, por që kërkon bashkëveprim të më shumë ministrive. Prandaj, lus edhe zëvendëskryeministrin Kelmendi që të kyçet prej sot me ju bashkë dhe pastaj të keni përgatitjet e duhura”, theksoi kryeministri Mustafa.

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors