Përkthimi jozyrtar në shqip i fjalës së plotë të kryeministrit në diskutimin e djeshëm të organizuar nga Instituti Zolberg mbi Migrimin dhe Mobilitetin në kuadër të universitetit The New School në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me titull “Mbështetja ndaj qytetarëve në një krizë ekonomike globale: Çfarë mund të mësojë bota nga Kosova”:
Është nder i madh, jo vetëm për mua, por edhe për vendin tim gjithashtu, të ftohem që të flas rreth asaj se çka bota mund të mësojë nga Kosova. Siç e dini shumë prej jush, Republika e Kosovës është shteti më i ri i Evropës. Ne e shpallëm pavarësinë gati 17 vjet më parë, dhe vetëm 26 vjet kanë kaluar që kur populli ynë doli nga një dekadë shtypjeje brutale dhe aparteidi, e cila kulmoi në gjenocidin e fundit të shekullit të njëzetë. E megjithatë, pavarësisht kësaj – ose ndoshta për shkak të saj – ne jemi jashtëzakonisht krenarë për atë që kemi arritur dhe atë që jemi në gjendje të kontribuojmë në botë.
Tema kryesore e kësaj ngjarjeje është se si qeveritë mund të mbështesin qytetarët e saj në një krizë ekonomike globale – në veçanti, krizën e kostos së jetesës, me të cilën shumica e vendeve të botës janë përballur në katër vitet e fundit. Edhe pse më e keqja e kësaj krize duket se ka kaluar, ende nuk jemi jashtë rrezikut. Qytetarët në të gjithë botën vazhdojnë të përballen me çmime dukshëm më të larta. Dhe, si në rastin e shumë krizave, kjo ka nxjerrë në pah edhe pabarazitë e mëdha të cilat i kanë bërë kaq shumë njerëz të jenë të cenueshëm nga goditjet ekonomike globale në përgjithësi.
Në këtë kontekst, shpresoj që tregimi ose rasti i Kosovës do të jetë relevante, të paktën në dy mënyra. Së pari, tregimi se si Qeveria jonë i ka ardhur në ndihmë popullit të Kosovës në këto kohë sfiduese mund t’u japë politikëbërësve të vendeve të tjera një mori idesh të dobishme se si ta kanalizojnë ndihmën drejt atyre që kanë më shumë nevojë. Së dyti, dhe po aq e rëndësishme, Kosova ia ka arritur ta bëjë këtë pa rritur normat e taksave ose pa rritur borxhin publik. Në një kohë kur ekonomitë e shumë vendeve janë të gjymtuara nga detyrimet ndaj kreditorëve, është jetike që qeveritë të mendojnë jo vetëm se si mund t’i mbështesin më së miri qytetarët e tyre, por edhe si ta bëjnë këtë pa u zhytur në një spirale të rrezikshme të rritjes eksponenciale të borxhit dhe pagesave të interesit.
Do të ishte e pamundur – dhe mjaft e mërzitshme për audiencën – të rendis secilën masë që Qeveria e Kosovës ka zbatuar për të ndihmuar qytetarët e vet ta përballen me rritjen globale të çmimeve: sepse thjeshtë kanë qenë shumë. Në të vërtetë, ndoshta mësimi më i rëndësishëm nga përvoja jonë është se, në mes të një krize ekonomike, është jetike që politikëbërësit të mendojnë në mënyrë kreative – të shfrytëzojnë çdo mjet në dispozicionin e tyre. Qeveritë duhet të punojnë me të gjitha forcat nëse shpresojnë të kenë sukses.
Unë besoj se suksesi i Kosovës vjen nga fakti që ne e kemi bërë pikërisht këtë. Përgjigja jonë ndaj inflacionit ka qenë shumëplanëshe, duke kombinuar tri lloje të ndryshme politikash.
Së pari, na është dashur të ndërhyjmë për të kontrolluar inflacionin, kudo dhe sido që të mundeshim. Identifikuam dy faktorë kryesorë që kontribuan në rritjen e kostos së jetesës. Njëri, ishin çmimet më të larta të importit, që erdhën si pasojë e kërkesës së madhe pas pandemisë dhe e rritjes së çmimeve të energjisë dhe mallrave si rezultat i luftës në Ukrainë. Tjetri ishte lakmia e korporatave, e manifestuar përmes rritjes së çmimeve dhe rritjes së marzheve të fitimit nën maskën e një mjedisi inflacionist.
Duke qenë një ekonomi relativisht e vogël, nuk mund të bënim shumë për të ndryshuar çmimet e importit. Por ne i vumë vetes detyrë nxitjen e fermerëve vendas dhe prodhuesve të vegjël, në mënyrë që ata të mund të zëvendësonin të paktën disa nga importet e shtrenjta. E dyfishuam mbështetjen financiare për fermerët, në mënyrë që ata të mund të rrisnin rendimentin dhe kapacitetet e tyre. Kjo më pas u lejoi atyre t’u ofronin prodhuesve vendas lëndë të para dhe vendore më të lira. Ne ndihmuam në përballimin e shokut të çmimit të energjisë elektrike duke subvencionuar diferencën e çmimeve – si për familjet ashtu edhe për bizneset – në vitin e parë të krizës. Në këtë mënyrë, ne u siguruam që familjet të merrnin lehtësimin që u nevojitej, por edhe që të mos kishte rritje të çmimeve për mallrat e prodhuara në vend. Ne gjithashtu krijuam një skemë mbështetëse për prodhuesit e vegjël dhe të mesëm. Sipas kushteve të kësaj nisme, prodhuesit kishin të drejtë të merrnin një grant deri në 20% të kryegjësë së kredisë, për çdo kredi të marrë për të blerë makineri të automatizuara me qëllim rritjen e kapaciteteve prodhuese. Përveç kësaj, lansuam Dritaren e Investimeve të Diasporës si pjesë e Fondit tonë të Garancisë Kreditore, përmes së cilës pjesëtarët e diasporës sonë mund të merrnin kredi investimi për të nisur një biznes në Kosovë dhe për të sjellë ekspertizën e tyre në vendin tonë, pa pasur nevojë të vendosin ndonjë aset si kolateral. Këto masa jo vetëm që ndihmuan që të përmbajnë të paktën një pjese të inflacionit në afat të shkurtër, por ato gjithashtu përgatitën terrenin për rritjen e eksporteve pasi situata të stabilizohej në vitet që pasuan.
Sa i përket rritjes së çmimeve në mënyrë abuzive, ne kishim legjislacion në fuqi që rregullonte kufijtë e fitimit te karburantet si nafta dhe benzina. Më duhet të theksoj frazën “kufizim fitimi” në vend të “kufizim çmimi”. Duke vendosur një kufizim mbi fitimet në vend se të çmimeve, ne u siguruam që të mos dëmtoheshin konsumatorët por gjithashtu që të mos kishte mungesë furnizimi, diçka që ka tendencë të ndodhë me kufizimet e çmimeve: Kur çmimet vendosen nën kosto, bizneset thjesht ndalojnë së shituri. Ne përdorëm kufizime fitimi sa herë që shihnim se marzhet e fitimit po zgjeroheshin në mënyrë të pajustifikueshme, dhe vendosëm një kufizim fitimi bruto prej 0,15 Euro për litër – ose për audiencën këtu, rreth 67 cent të dollarit për galon. Kjo rezultoi mjaft e suksesshme, pasi parandaloi një spirale inflacioni, duke marrë parasysh se karburanti është një komponent i shumë rëndësishëm i çdo industrie.
Duke ndjekur një qasje të ngjashme, ne miratuam dy ligje të tjera, një për rregullimin e marzheve të fitimit për produktet farmaceutike, dhe një tjetër që bënte të njëjtën gjë për mallrat bazë si buka, mielli, vaji i gatimit, produktet e higjienës e kështu me radhë. Derisa i pari për produktet farmaceutike ka hyrë në fuqi dhe po zbatohet, ligji për mallrat bazë për fat të keq u bllokua nga Gjykata jonë Kushtetuese (ekuivalenti i Gjykatës suaj Supreme këtu), pasi partitë e opozitës e kontestuan atë. Gjykata e rrëzoi ligjin si jokushtetues, me pretekstin se ai shkelte parimet e tregut të lirë. Kjo ishte e njëjta Gjykatë që, vetëm disa muaj para këtij vendimi, në një rast tjetër kishte konkluduar se pagat e gjyqtarëve dhe zyrtarëve të tjerë të lartë publikë nuk duhej të përcaktoheshin nga tregu, por duhej të konsideroheshin si një “e drejtë e fituar”. Ky vendim erdhi pasi ne propozuam të ulnim pagat e tyre për të ulur pabarazinë midis pagave më të larta dhe më të ulëta në sektorin publik. Pra, e njëjta Gjykatë që kishte bindje kaq të forta për tregun e lirë kur bëhej fjalë për ofrimin e ndihmës për familjet me të ardhura të ulëta, nuk shprehej njëjtë për tregun e lirë kur bëhej fjalë për pagat e tyre jashtëzakonisht të larta.
Nuk kam ngurruar të kritikoj vendimet e Gjykatës Kushtetuese kur besoj se ato janë të gabuara, ose edhe hipokrite si në këtë rast. E shoh këtë si detyrën time jo vetëm si zyrtar publik, por si një aktivist politik i përjetshëm, i rritur në traditën e kritikës së hapur dhe demokratike. Mund të them pa dyshim se asnjë vendim gjyqësor në katër vitet e fundit nuk ka qenë më i dhimbshëm për mua sesa ai që ndalonte kufizimet e fitimit për mallrat bazë, sepse u ka shkaktuar shumë dëm qytetarëve dhe familjeve më të cenueshme të Kosovës.
Megjithatë, për fat të mirë, ne gjithashtu zbatuam një numër politikash të një lloji tjetër: ato që ofruan lehtësim të drejtpërdrejtë për familjet. Ne kemi gjetur mënyra për të zvogëluar barrën e familjeve, qoftë duke hequr një pjesë të peshës nga supet e tyre, ose thjesht duke ripërshtatur kriteret në mënyra inovative. Ndër këto masa:
- Universitetet publike i bëmë falas për të gjithë studentët e nivelit Bachelor dhe Master. Gjithashtu, lansuam një program bursash të veçantë për gratë në STEM. Kosova tani ka përqindjen më të lartë në Rajon të grave që studiojnë lëndët STEM (Shkencë, Teknologji, Ingjinieri dhe Matematikë).
- Zgjeruam listën e ilaçeve që i mbulon qeveria për pacientët me kancer, diabet dhe sëmundje të tjera, në mënyrë që të mund të mbulojmë më shumë shpenzimet e pacientëve. Për këtë na u desh të dyfishonim ndarjen e buxhetit, që do të thotë se shumë më tepër para tani mbesin në xhepat e familjeve (të pacientëve).
- Meqenëse pagat paguhen në fund të çdo muaji, vendosëm të ndryshojmë datën e pagesës së pensioneve. Në vend se të ekzekutoheshin në fund të muajit, ato tani shpërndahen në ditën e 15-të të muajit. Kjo siguron që familjet të pranojnë të hyra parash çdo dy javë në vend se një herë në muaj, duke i ndihmuar kështu familjet me buxhetimin dhe fluksin e parave të tyre.
- Për vitin e parë, ne subvencionuam familjet që kursenin energji elektrike – u paguanim atyre dyfishin e kostos së çdo kW orë të kursyer të konsumit të tyre familjar nga muaji në muaj. Pra, nëse keni konsumuar 100 kW orë më pak se në të njëjtin muaj gjatë vitit të kaluar, ne paguanim ekuivalentin e 200 kW orëve si subvencion direkt në faturën tuaj. Kishte raste kur qytetarët shkonin të paguanin energjinë elektrike dhe punonjësi në anën tjetër të tavolinës thoshte, nuk keni asgjë borxh, sistemi ju ka borxh juve. Kjo ishte një marrëveshje fitimprurëse – si për ne ashtu edhe për familjet: Ne shpenzuam rreth 20 milionë për këtë masë, por në këmbim i kursyem buxhetit afërsisht 70 milionë euro që përndryshe do të kishin shkuar për të subvencionuar importet e shtrenjta të energjisë elektrike.
- Subvencionuam familjet që investonin në izolim termik dhe efiçiencë të energjisë në mënyrë që të ulnin konsumin e energjisë elektrike në planin afatgjatë.
Së treti, ndëmorëm hapa për të mbrojtur dhe rritur fuqinë blerëse të familjeve. Kjo ishte paksa e vështirë për t’u bërë, sepse gjëja e fundit që një ekonomi që kalon inflacion ka nevojë, është më shumë para në qarkullim. Megjithatë, na u desh të siguroheshim që të kujdeseshim fillimisht për ata që ishin më të prekurit. Prandaj:
- Rritëm pagën minimale, pasi ajo ishte lënë e pandryshuar për më shumë se një dekadë. Rreth një e treta e të gjithë fuqisë punëtore përfitoi nga kjo rritje. Gjithashtu e përjashtuam pagën minimale nga tatimi mbi të ardhurat, një tjetër ndihmë për familjet në nevojë.
- Reformuam sistemin e pagave në sektorin publik duke zvogëluar hendekun midis pagave më të larta dhe më të ulëta – nga 20:1 siç ishte më parë, në 4:1 siç është tani. Bëmë katër rritje graduale vjetore të pagave, nga të cilat dy të fundit ishin rritje absolute dhe jo proporcionale, duke i ndihmuar kështu më shumë ata me pagat më të ulëta. Për shembull, nëse të gjithë marrin një rritje prej 100 dollarësh, ata me një pagë më të ulët do të përfitojnë më shumë, në terma të përqindjes, sesa ata me një pagë më të lartë. Kjo ka ndihmuar në mbylljen edhe më tej të hendekut midis pagave më të ulëta dhe më të larta në sektorin publik. Gjatë mandatit tonë katërvjeçar, paga mesatare në sektorin publik u rrit me 46%.
- Nisëm skemën universale të ndihmës/shtesave për fëmijë që aktualisht arrin në 1.5% të PBB-së sonë. Pagesat mujore paguhen direkt në llogarinë e nënës.
- Gjithashtu, lansuam një program punësimi për të rinjtë që paguan ekuivalentin e një page minimale për 6 muajt e parë për çdo biznes që punëson një të ri të papunë të moshës 18-29 vjeç. Monitorimi ynë tregon se dy nga çdo tre të punësuar mbahen në vendin e punës edhe pas skadimit të subvencionit. Kjo na bindi që të zgjerojmë programin për gratë e të gjitha moshave, veçanërisht ato që nuk kanë qenë të pranishme në tregun e punës dhe për këtë arsye kanë pasur vështirësi në gjetjen e punës.
- Fillimisht vendosëm një nivel minimal pensioni, duke rritur kështu të gjitha pensionet që ishin nën atë minimum. Dhe më pas, në fazën e dytë, zbatuam një rritje prej 20% në të gjitha pensionet e financuara nga shteti.
Ne i kemi zbatuar të gjitha këto masa, dhe më shumë, duke ruajtur një deficit buxhetor që është më i vogël se çdo deficit buxhetor i kaluar gjatë viteve para pandemisë. Sado joreale që mund të duket, ne nuk rritëm as një normë të vetme tatimore. Prandaj, krahasimi është Ceteris Paribus.
Pra, si e bëmë?
Edhe pse trashëguam një politikë tatimore të djathtë me një normë të sheshtë prej 10% taksë mbi të ardhurat e korporatave, një normë maksimale marxhinale prej 10% për taksën mbi të ardhurat personale, asnjë taksë të dividendës dhe një Tatim mbi Vlerën e Shtuar prej 18% (më e ulëta në rajon), ndryshimi që bëmë ishte në mënyrën se si i rishpërndamë paratë që mblodhëm.
Ne stimuluam punësimin dhe kapacitetet e reja prodhuese duke i subvencionuar ato drejtpërdrejt. Inkurajuam produktivitetin dhe efikasitetin, përderisa në të njëjtën kohë garantuam një standard të mirë jetese për ata që kanë më shumë nevojë ose që nuk mund të marrin pjesë në tregun e punës – për familjet e varfra, fëmijët, të moshuarit dhe studentët.
Në vend të projekteve të shtrenjta për prestigj nga të cilat përfitojnë një numër i vogël firmash të mëdha, u siguruam të përqendroheshim në ndërtimin e shkollave dhe kopshteve të reja, urave dhe rrugëve rajonale që lidhin fshatrat dhe zonat e largëta. Në këtë mënyrë, përveç ndihmës ndaj komuniteteve lokale me infrastrukturë më të mirë, këto projekte të shumta më të vogla në fakt krijuan më shumë vende pune. Ato gjithashtu e shpërndajnë buxhetin në mënyrë më të barabartë për të ndihmuar në uljen e pabarazisë.
Ulja e pabarazisë sociale që ka rezultuar nga politikat tona ka gjeneruar një cikël reagimi pozitiv – jo një rreth vicioz, por një rreth virtyti. Një shpërndarje më e barabartë e burimeve çon në një rritje ekonomike edhe më të madhe, e cila përsëri mund të ndahet gjerësisht midis të gjithë popullsisë. Ky është një model që e kemi parë vazhdimisht në të dhënat tona ekonomike gjatë katër viteve të fundit. Ai përbën një argument të fuqishëm për një shoqëri social-demokrate, në të cilën të gjithë qytetarët marrin pjesë në progresin ekonomik të shoqërisë.
Kjo rritje është përkthyer në rritje të të ardhurave pa pasur nevojë të rriten normat e taksave. Rritja mesatare ekonomike gjatë katër viteve të fundit ka qenë 6%, e cila nuk ka rënë kurrë nën 4% – që dikur ishte shkalla mesatare e rritjes gjatë viteve normale para pandemisë.
Pjesa më e madhe e performancës mbresëlënëse të ekonomisë së Kosovës mund të gjurmohet te shpenzimet qeveritare. Shtimi i mbështetjes direkte për familjet, si dhe stimulimi i sektorit privat, kanë qenë përgjegjëse për pjesën më të madhe të rritjes që kemi parë. Por një pjesë e rritjes i atribuohet edhe progresit tonë në luftën kundër korrupsionit dhe sundimit të ligjit. Kompanitë e huaja janë shumë më të gatshme të investojnë në një vend nëse nuk detyrohen të korruptojnë zyrtarë publikë për të hyrë në tregun vendas. Kjo ka ndihmuar në dyfishimin e investimeve të huaja direkte gjatë katër viteve të fundit. Për më tepër, kur njerëzit dhe bizneset janë optimistë për drejtimin e qeverisë dhe të vendit, ata shpenzojnë në vend që të kursejnë, duke ofruar një stimul tjetër për rritje.
Luftën kundër korrupsionit dhe sundimin e ligjit e kemi bërë prioritetin kryesor të qeverisjes tonë. Rezultatet janë njohur gjerësisht nga vëzhgues ndërkombëtarë të pavarur. Për shembull, që kur morëm detyrën në vitin 2021, Kosova është përmirësuar me një ngritje mbresëlënëse prej 31 vendesh në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit të Transparency International, duke arritur rezultatin e saj më të lartë ndonjëherë në indeks. Dhe vetëm këtë javë, Raporti Global i Sigurisë i Gallup e renditi vendin tonë të tretin në botë dhe të parin në Evropë për sa i përket rendit dhe ligjit.
Kur njerëzit e dinë se taksat e tyre po shpenzohen mirë dhe nuk abuzohen, ata bindën më lehtë që të paguajnë edhe pjesën e tyre në taksa, duke e bërë kështu më të lehtë uljen e informalitetit.
Për shembull, shumë biznese që më parë vepronin në tregun informal tani janë të regjistruara ligjërisht, duke rritur kështu ndjeshëm bazën tonë tatimore dhe duke na lejuar të mbajmë normat e ulëta. Kjo rritje e regjistrimit të bizneseve shpjegon të paktën një pjesë të uljes masive të shkallës zyrtare të papunësisë, nga 25.8% kur morëm detyrën, në 10.9% sipas statistikave të fundit të disponueshme.
Pra, një qeveri që lufton korrupsionin dhe mbështet njerëzit e saj duke ulur pabarazinë sociale, me të vërtetë mund ta arrijë këtë pa e çuar borxhin e saj publik në nivele të paqëndrueshme. Kështu arritëm të zbatojmë paketën më të madhe të mbështetjes për koston e jetesës dhe krizën energjetike, sipas Bankës Botërore, dhe rritjen më të lartë të Bruto Produkti Vendor në rajon, pa rritur deficitin buxhetor, dhe duke e mbajtur borxhin tonë publik më të ulëtin në Evropë (17% të BPV-së). Me fjalë të tjera, ne po rritemi në mënyrë të qëndrueshme, dhe me ekonominë tonë rritet edhe mirëqenia e qytetarëve tanë. Paga mesatare u rrit me 57% në sektorin privat në katër vitet e fundit, dhe pagat totale të paguara u rritën me 62% për të njëjtën periudhë, gjë që përfshin edhe vendet e reja të punës të shtuara në ekonomi.
Shpresoj sinqerisht që arritjet që i kam përmendur deri më tani të mund të ofrojnë disa mësime të dobishme për vendet e tjera. Por dua gjithashtu të jem shumë i qartë: Lufta kundër pabarazisë është larg përfundimit. Ashtu siç presionet inflacioniste në të gjithë botën nuk janë zhdukur plotësisht, ashtu edhe historia e Kosovës mbi këtë temë është ende duke u shkruar. Ajo që Qeveria jonë ka arritur gjatë katër viteve të fundit është vetëm fillimi, jo fundi i kësaj historie. Qytetarët e Kosovës, ashtu si ata të vendeve të tjera, ende kanë nevojë për mbështetje të fortë qeveritare. Prandaj, ne planifikojmë të vazhdojmë me një zgjerim tjetër të madh të mbështetjes për qytetarët tanë gjatë mandatit tonë të ardhshëm katërvjeçar. Shpresoj që këto plane të mund të shërbejnë si një burim shtesë idesh të frytshme për politikat, të cilat mezi pres t’i diskutoj me ju ndërsa iu përgjigjem pyetjeve tuaja.
Faleminderit shumë.









































