Fushë Kosovë, 7 tetor 2025
Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli dhe ministri në detyrë i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, dhe bashkë me Kryeshefin e Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Prishtina”, Arsim Fetahu mori pjesë në përurimin e rrjetit të Ujësjellësit për fshatrat Lismir, Bardh i Madh dhe Sllatinë të Fushë Kosovës.
Ky është një investim i madh nga i cili do të përfitojnë drejtpërdrejt mbi 15 mijë qytetarë të kësaj komune. Uji vjen nga Liqeni i Ujmanit, përpunohet në fabrikën në Shkabaj dhe shpërndahet nëpër krojet e banorëve.
Projekti është dëshmi e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve: Ministria e Ekonomisë, Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës dhe Kompania Ujësjellësi Rajonal “Prishtina”.
Në fshatin Lismir, kryeministri u shpreh se kjo është një ditë e gëzueshme për të gjithë dhe se duke sjellë ujë për banorët e këtij fshati po rregullohet një padrejtësi që ka zgjatur për çerek shekulli, si dhe po plotësohet një e drejtë themelore njerëzore e që do të mundësojë që jetesa të jetë më e dinjitetshme. Me çeshmen dhe rezervuarin e ri në Lismir sigurohet furnizim i qëndrueshëm me ujë të pastër për qindra familje.
Pas fshatit Lismir, kryeministri ishte në fshatin Bardh i Madh, i cili po ashtu është bërë pjesë e rrjetit të ri. Aty ai falënderoi të gjithë për punën e bërë deri në këtë përurim dhe falënderoi banorët për mikpritjen.
Nga Bardhi i Madh vizitoi fshatin Sllatinë, ku u bë përurimi i rezervuarit të ri që garanton presion të mjaftueshëm të ujit dhe furnizim të qëndrueshëm me ujë për banorët e kësaj zone. Përgëzoi banorët dhe institucionet për bashkëpunimin e mirë dhe të frytshëm në realizimin e një nevoje të kahmotshme dhe të drejtë themelore.
Duke falënderuar për mikpritjen, kryeministri u shpreh se Qeveria do të jetë gjithmonë pranë qytetarëve me projekte që burojnë nga kërkesat dhe nevojat e tyre. Ai theksoi se me këtë përurim po përmbyllet një pjesë e rëndësishme e projektit të ujësjellësit në këtë zonë, ndërsa punimet tashmë janë kryer dhe pritet të bëhet shumë shpejt lidhja edhe për fshatrat Graboc, Mesbardh dhe Bardh i Vogël, të cilët do të përfitojnë nga i njëjti rezervuar.















