Shtime, 2 tetor 2025
Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga kryetari i Komunës së Shtimes, Qemajl Aliu dhe ministrja në detyrë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, mori pjesë në përurimin e çerdhes së re në fshatin Godanc të Shtimes, së cilës i është vënë gurthemeli më pak se dy vite më parë, më 20 tetor të vitit 2023.
Kryeministri Kurti tha se ky investim në vlerë prej 414 mijë euro, me sipërfaqe prej 756 metra katrorë, me 5 klasa të kompletuara me pajisje dhe 72 shtretër për të gjitha grup-moshat e fëmijëve, përfshin gjithçka që është e nevojshme për edukimin e hershëm dhe mirëqenien e plotë të fëmijëve.
“Kjo është çerdhja e gjashtë në komunën e Shtimes dhe e pesta që është realizuar gjatë mandatit të kryetarit, Dr. Qemajl Aliu. Kjo tregon për standardin e lartë dhe punën e madhe që bëhet këtu, edhe në bashkëpunim me qeverinë qendrore dhe praktikisht kemi zbatuar programin tonë me vlerat tona, që kujdeset për ata të cilët i kanë nevojat më të mëdha, nënat dhe fëmijët, pra një program social-demokrat, i cili respekton dinjitetin, të drejtat e të gjithë qytetarëve tanë e në veçanti pra atyre të cilët i kanë nevojat e kërkesat më të mëdha.” tha kryeministri Kurti.
Ai shtoi se ky premtim i mbajtur, është mundësi e re për dhjetëra familje e qindra prindër t’i ndajnë përgjegjësitë me institucionet dhe njëkohësisht të kenë mundësi të profesionalizohen e të aftësohen. Theksoi gjithashtu se fëmijët e tyre përveçse do të mësojnë në këtë çerdhe, do të jenë të shëndetshëm e të sigurt, të rrethuar me përkujdesje, dashuri dhe me përgatitje për nivelet e ardhshme të ngritjes së tyre intelektuale, por edhe të përgatitjes profesionale, që do ta kenë në shkollimin e mëtutjeshëm.
“Çerdhja është institucioni i parë arsimor, vendi ku fëmijët nisin e mësojnë dhe socializohen me bashkëmoshatarët e tyre e përgatiten për jetën në vijim. Ky pra është investim në themel të shtetit e të shoqërisë për të ardhmen e vendit e të popullit tonë, sepse Kosova që po e ndërtojmë është pikërisht Kosovë për të ardhmen e ku fëmijët janë e tashmja dhe e ardhmja e shtetit tonë.” u shpreh kryeministri.
Prononcimi i plotë i kryeministrit Kurti:
Të nderuara edukatore,
Të nderuar prindër,
Të dashur fëmijë,
I nderuari Kryetar i Komunës së Shtimes, Dr. Qemajl Aliu,
E nderuara ministre e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci,
Të nderuar drejtorë komunalë, asambleistë dhe zyrtarë të tjerë,
Motra dhe vëllezër,
Zonja dhe zotërinj,
Mirë se po takohemi këtu në Godanc të Shtimes, në këtë komunë me shërbime e projekte të përmirësuara rrënjësisht nga çfarë kishin qenë më parë.
Është kënaqësi e madhe që po e përurojmë bashkë këtë çerdhe të re, moderne e kaq të bukur, e cila e përmbushë një nevojë të kahmotshme të banorëve të kësaj ane. Njëkohësisht kjo çerdhe është dëshmi konkrete e ndryshimit që ka ndodhur në Shtime.
Investimi është në vlerë prej 414 mijë euro, me sipërfaqe prej 756 metra katrorë, me 5 klasa të kompletuara me pajisje, e që përfshijnë gjithçka që është e nevojshme për edukimin e hershëm dhe mirëqenien e plotë të fëmijëve. Kjo çerdhe ndër të tjera i ka edhe ambientet shëndetësore me hapësira për aktivitete, pastaj lavanderi e çdo gjë tjetër që është e domosdoshme. Këtu janë edhe 72 shtretër për të gjitha grup-moshat e fëmijëve, që do të thotë se 72 familje do të kenë një ndihmesë të konsiderueshme në rritjen dhe kujdesin e fëmijëve të tyre.
Kjo është çerdhja e gjashtë në komunën e Shtimes dhe e pesta që është realizuar gjatë mandatit të kryetarit, Dr. Qemajl Aliu. Kjo tregon për standardin e lartë dhe punën e madhe që bëhet këtu, edhe në bashkëpunim me qeverinë qendrore dhe praktikisht kemi zbatuar programin tonë me vlerat tona, që kujdeset për ata të cilët i kanë nevojat më të mëdha, nënat dhe fëmijët, pra një program social-demokrat, i cili respekton dinjitetin, të drejtat e të gjithë qytetarëve tanë e në veçanti pra atyre të cilët i kanë nevojat e kërkesat më të mëdha.
Çerdhja është institucioni i parë arsimor, vendi ku fëmijët nisin e mësojnë dhe socializohen me bashkëmoshatarët e tyre e përgatiten për jetën në vijim. Ky pra është investim në themel të shtetit e të shoqërisë për të ardhmen e vendit e të popullit tonë, sepse Kosova që po e ndërtojmë është pikërisht Kosovë për të ardhmen e ku fëmijët janë e tashmja dhe e ardhmja e shtetit tonë.
Andaj, ky premtim i mbajtur, është një mundësi e re për dhjetëra familje e qindra prindër t’i ndajnë përgjegjësitë me institucionet dhe njëkohësisht të kenë mundësi të profesionalizohen e të aftësohen; ndërkohë që edhe fëmijët e tyre përveçse do të mësojnë këtu, do të jenë të shëndetshëm e të sigurt, të rrethuar me përkujdesje, dashuri dhe me përgatitje për nivelet e ardhshme të ngritjes së tyre intelektuale, por edhe të përgatitjes profesionale, që do ta kenë në shkollimin e mëtutjeshëm.
Bashkë me kryetarin Dr. Qemajl Aliun dhe me ministren e Arsimit, Arbërie Nagavcin, kemi qenë këtu me 20 tetor 2023 kur e kemi vendosur gurthemelin dhe dy vjet minus 18 ditë e bëmë përurimin e një pune të realizuar me sukses, me standarde të larta për kushte moderne.
Gëzuar dhe urime të gjithëve!




















